web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë

27 Maj 2024, 09:56, Politikë CNA

Dje në degën e Partisë Demokratike të Korçës, të Rithemelimit të kryesuar nga Berisha, u zhvilluan zgjedhjet për kryetar dege. Që në pamjen e parë gjithçka ka qenë thuajse e dështuar.

Së pari, për faktin se gara ishte nën kontroll fillimisht, e mirëpërgatitur nga vetë kandidatja Eleina Qirici, e cila kishte nxjerrë dhe një kandidat në garë, Harito Zoton, për të qenë e sigurt në fitoren e saj. Por më pas një grup individësh, të cilët fillimisht kanë qenë mbështetës të Lulzim Bashës dhe më pas kanë kaluar me Rithemelimin, nxorën kandidatin e tyre.

Ky ishte Dhimitraq Çyfeku, i cili nga ana e tij ka qenë një nga njerëzit me më shumë kontribute në degën e Partisë Demokratike të Korçës. Por ajo që u bë edhe më problematike, përveçse një gare thuajse të parapërgatitur dhe më pas të hapur, është fakti se sot gjatë procesit në degën e Partisë Demokratike të Korçës kanë votuar vetëm 577 persona.

Një alarm që tregon se PD-ja në Korçë ka katandisur aty ku thërret qameti, duke shkuar më keq sesa në zgjedhjet lokale të një viti më parë ku kandidatja Ledina Aliolli ka marrë 13.600 vota dhe nga kaq vota PD-ja në Korçë ka vetëm 577 njerëz që shkojnë të votojnë ditën kryesore që thirren në apel.

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë
Ledina Aliolli

Dy janë momentet kryesore që thirret në apel anëtarësia e Partisë:

1. Për të zgjedhur kryetarin e degës.

2. Për të zgjedhur kryetarin e partisë në qendër, kur është një anëtar një votë.

Në degën e Korçës, anëtarësia aktive është më pak se 5% e votave që ka marrë kandidatja e kësaj partie një vit më parë.

Në fakt, edhe vetë Ledina Aliolli në atë kohë humbi me gati 8 mijë vota me rivalin e saj Sotiraq Filo, i cili ka rreth 21 mijë vota, por po analizojmë thjesht dhe vetëm votat që ka dega e Partisë Demokratike të Korçës.

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë
Dega e PD-së Korçë

Nga ana tjetër, në listën e zgjedhësve të Bashkisë së Korçës, ku janë 8 njësi administrative, janë rreth 110 mijë votues, por në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë rreth 36 mijë votues, të cilët kanë votuar.

Nga një përllogaritje zyrtare e KQZ-së del se pjesëmarrja është rreth 32%, pasi listat e zgjedhësve kuptohet janë të fryra, ka shumë emigrantë Bashkia e Korçës dhe njësitë e saj administrative si Drenova, Lekasi, Mollaj, Bulgareci, Vithkuqi, Voskopi dhe Voskopoja që janë Njësi Administrative përbërëse të Bashkisë së Korçës.

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë
Rezultati i Korçës në zgjedhjet vendore 2023

Në të gjitha këto njësi kanë votuar 36 mijë veta dhe Ledina Aliolli, kandidatja e PD-së së Rithemelimit, ka marrë 13.600 vota dhe PD-ja sot ka thirrur në apel 577 veta. Kaq ka anëtarësia.

577 persona bëheshin kuvendet e PD-së kur ka qenë procesi me votë të deleguar, shkonin 400-500 delegatë për të zgjedhur kryetarin e PD-së në Korçë. Sot që është një anëtar, një votë, ka të njëjtin numër si me procesin e votimit me anëtarë të deleguar. Kjo do të thotë se strukturat e Partisë Demokratike dhe anëtarësia e saj janë shpartalluar.

A mundet PD-ja të përmbysë dhe të fitojë me mazhorancën socialiste, e cila ka rreth 7-8 mijë vota më shumë në këtë bashki? Kjo është thuajse e pamendueshme dhe e paimagjinueshme për shumë e shumë arsye.

Për faktin se dega e PD-së së Korçës është bërë kashtë e k*qe, e shpartalluar, luftëra, intriga. E mori Andrea Mano, e kontrollon Ervin Salianji, u përplas Basha me Berishën, shumica shkuan fillimisht te Basha se mendonin që ai ishte e ardhmja, pastaj e drodhën rrugës e shkuan te Berisha, e kështu me radhë. Sherre, konflikte dhe dështime.

Sot jemi përballë një fakti alarmant dhe thuajse një sirenë që tregon fatkeqësisht se PD-ja rrezikon deri dhe ekzistencën. Nuk flasim më për fitore, të cilat janë spektakolare kur shpallen si ato të Lulzim Bashës, por të marrë një subjekt politik me kandidatin e saj 13.600 vota, të thërrasë për të votuar dhe t’i shkojnë vetëm 577 veta, pra më pak se 5%, kjo është të vësh duart në kokë. Nëse shohim edhe disa të dhëna të tjera më poshtë do të kuptojmë se ku është katandisur PD-ja në Korçë.

Sipas të dhënave të marra zyrtarisht nga KQZ-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare, po marrin ato të fundit kur kanë qenë bashkë, të vitit 2021, PD, Aleanca për Ndryshim në Bashkinë e Korçës ka 18.263 vota, gati 41.8%. Në zgjedhjet e Ledina Aliollit, në vitin 2023, ka 13.600 vota.

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë
Rezultati i Korçës në zgjedhjet parlamentare 2021

Pra, kandidatja Aliolli ka marrë më pak vota sesa ka marrë PD-ja në zgjedhjet parlamentare në këtë bashki, ndërkohë që sot votojnë vetëm 577 vetë si anëtarë aktivë, ndonëse PD-ja kishte 18.263 vota në vitin 2021, sikur t’i heqësh edhe disa rrjedhje të Lulzim Bashës, të paktën duhet të ishin diku të 2-3000 veta anëtarësi aktive.

Minimalisht rreth 15-20% duhet të jetë struktura e anëtarësisë së partisë për të ngritur një makinë elektorale.

Gjithçka është rrënuar, e kanë rrënuar intrigat e brendshme, përplasjet, paaftësia, injoranca dhe gjithçka tjetër.

Një leksion nga zgjedhjet e PD-së në Korçë
Dega e PD-së Korçë

Sirenat e alarmit kanë kohë që bien, por dikush nuk ka veshë t’i dëgjojë, dikush nuk ka sy të shikojë dhe lexojë rezultatet dhe kjo po shton rrezikun e çuarjes së PD-së në Korçë, drejt shuarjes.

Me 577 vota në 18 mijë e ca vota të marra në 2021-shin apo 13.600 të marra në 2023-shin, të kesh kaq pak anëtarësi (vetëm 577 veta më pak se në 1997-ën) do të thotë të rrezikosh ekzistencën në politikë ose të kthehesh forcë opozitare e përjetshme, pasi e ka thuajse të pamundur me një strukturë të tillë, me kaq pak anëtarësi dhe me problematika që të krijojë strukturë elektorale për të mposhtur mazhorancën.

Shifrat flasin vetë, faktet janë fakte./ CNA





Lajmet e fundit nga