web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Ka shkelur Kushtetutën”/ PD depoziton në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt

15 Tetor 2025, 12:28, Politikë CNA

“Ka shkelur Kushtetutën”/ PD depoziton në Kuvend

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj.

Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se Begaj ka shkelur Kushtetutën.

“Presidenti ka konsumuar 7 shkelje Kushtetuese të rënda. Konkretisht, shkelje të rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës nga ana e Presidentit, janë dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Ka ndërhyrë në mënyrë brutale te kompetencat e pushtetit vendor. Në 35 vite demokraci, është zhveshur gjykata Kushtetuese. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në këtë shkelje të evidentuar nga ne, ka kryer shkelje të Kushtetës. Ai ka futur në ngërç kushtetues, zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, duke shkaktuar konfuzion të zgjedhësit. Ka marrë kompetencat e Gjyqësorit, duke përdorur juridiksionin. Ka shfaqur anësi dhe duke lejuar ushtrimin e pushteteve. Ka prishur ekuilibrin e kontrolleve të pushtetit. Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese. Ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi.

7 shkeljet e kryera nga Begaj sipas Gazment Bardhi

Shkelja nr. 1 – Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 13, 86, 92/gj, 94, 115, 124 dhe 131 të Kushtetutës dekretoi zgjedhje të pjesëshme vendore në Bashkinë Tiranë, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në autonominë e pushtetit vendor, të drejtat themelore të njëriut, kompetencat e organeve të tjera kushtetuese dhe duke tentuar të zhvesh Gjykatën Kuhtetutese nga kompetenca që i njeh shprehimisht Kushtetuta.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

·Ka ushtruar një kompetencë kushtetuese që nuk kishte lindur ende dhe që kishte pengesë kushtetuese për ta ushtruar në atë moment;

·Ka synuar të ngushtojë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e saj në rastet e shkarkimit të një të zgjedhuri vendor;

·Ka futur në ngërc kushtetues zgjedhjet e pjesëshme për Bashkinë e Tiranës, si dhe ka minuar legjitimitetin e tyre duke shkaktuar konfuzion tek zgjedhësit;

·Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor, duke përcktuar juridiksionin për të kundërshtuar një vendim të Këshillit të Ministrave;

·Ka shfaqur mungesë paanësie, integriteti dhe pavarësie, duke u nënhtrur ndaj autoritetit të Kryeministrit dhe duke lejuar përqëndrimin e të gjitha pushteteve në një dorë të vetme, gjë që cenon rendin kushtetues për shkak të prishjes së ekulibrit të “kontrollit dhe balancave mes pushteteve”;

·Ka cenuar garancitë kushtetuese të një funksionari kushtetues që gëzon si i zgjedhur vendor;

·Ka ndërhyrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore;

·Ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për të caktuar juridiksionin e shqyrtimit të pajtueshmërisë së VKM me Kushtetutën.

Shkelja nr. 2 – Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatëve të anëtarëve të kësaj Gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si forma kyce e cenimit të pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.

Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

·Ka ushtruar parakohe kompetencën e tij, pa i lindur ende e drejta;

·Ka ndërhyrë në mënyrë të dhunëshme dhe brutale në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese;

·Ka investuar Gjykatën Kushtetuese në tejkalim të kompetencave të tij, duke i uzurpuar përgjegjësinë/kompetencën ekskluzive Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

·Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

·Ka vënë në pikëpyetje kohëzgjatjen e të gjitha mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar në mënyrë brutale pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe duke krijuar gjendje pasigurie të qëndrimit në detyrë për të gjithë trupën e anëtarëve të Gjykatës;

·  Ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shprehet për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë emërtesë e Kuvendit.

Shkelja nr. 3 – Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore

Në kundërshtim me nenet 77, 86 dhe 132 të Kushtetutës, duke injoruar të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës për kontroll parlamentar, dhe duke injoruar fuqinë detyruese të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se u informua paraprakisht dhe ishte në dijeni të një krize të thellë në Kuvendin e Shqipërisë, dekretoi shpalljen e një ligji antikushtetues që ndryshonte ligjin ekzistues të Komisioneve Hetimore, duke mos përmbushur rolin e tij si përfaqësues i unitetin kombëtar dhe për të moderuar konfliktin politik në vend.

Presidenti Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kuhtetutës, për shkak se:

·Ka cënuar neutralitetin politik dhe paanësinë gjatë ushtrimit të funksionit të tij;

·Ka ndërmarrë veprime aktive për të ngushtuar kompetencat kushtetuese të opozitës në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për kontroll parlamentar efektiv;

·Ka injoruar fuqinë detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;

· Nuk ka përmbushur rolin dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese si faktor ekulibrues dhe moderator i konflikteve politike.

 

Shkelja nr. 4 – Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”

Në kundërshtim me nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës, ka dekretuar emërimin e Kryeministrit, njëkohësisht duke përcaktuar edhe ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella, duke i shërbyer në këtë mënyrë në kundërshtim me rolin dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese qëllimeve propagandistike të Kryeministrit Edi Rama dhe duke rrënuar seriozitetin e institucioneve kushtetuese publike.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se Dekretet e tij:

I-Cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual);

II-Cënojnë organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive;

III-Shkelin në mënyrë flagrante nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhen me kompetencat e Presidentit të Republikës, kompetencat e Kryeministrit/Këshillit të Ministrave, cilësitë e ministrit, procedurën e emërimit dhe betimit të tij, ushtrimin e kompetencave ministrore.

Shkelja nr. 5 – Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale

Në kundërshtim me nenin 1, 86 dhe 92 të Kushtetutës, përmes mosveprimit të tij, lejojë përfshirjen e paligjshme të Trupit Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në aktivitete politike/zgjedhore të partisë në pushtet, duke mundësuar pabarazinë e garës në zgjedhjet e 11 Majit dhe duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në zgjedhje.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

·Ka cënuar barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet;

·Nuk ka ushtruar kompetencat me natyrë vendimmarrëse në fushën e politikës së jashtme, duke cenuar/dëmtuar zgjedhjet e lira e të barabarta apo rolin e tij kushtetuese si faktor ekulibrues dhe garant i respektimit të ligjshmërisë nga ana e autoriteteve publike;

·Ka dështuar të ruante rolin e tij neutral dhe mbi palët, si dhe të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.

Shkelja nr. 6 – Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor

Në kundërshtim me nenet 1, 67, 86, 92 dhe 94 të Kushtetutës ka lejuar angazhimin e Kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme, duke injoruar përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe duke  konsumuar një ndërhyrje flagrante antikushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje. Kjo ka përforcuar perceptimin e shkrirjes së shtetit dhe partisë në zgjedhje, si dhe ka rrënuar neutralitetin politik që duhet të gëzojë Institucioni i Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

· Ka cënuar barazinë e palëve në zgjedhje, duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet;

·Ka dështuar të ruante rolin e tij neutral dhe mbi palët, si dhe të garantonte funksionimin demokratik të institucioneve.

Shkelja nr. 7 – Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës

Në kundërshtim me nenet 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi, që cenon konkurencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimin e të gjitha pokurimeve publike të Institucionit të Presidentit në fushën përkatëse kompanisë private ku është punësuar djali i tij pas emërimit të z. Bajram Begaj si President i Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

.Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private, duke u fokusuar plotësisht në detyrën më të lartë shtetërore, atë të Presidentit të Republikës;

.Ka cënuar parimin e konkurrencës së lirë, në drejtim të barazisë së pjesëmarrësve në kontrata publike, duke i akorduar kompanisë private, ku rezulton i punësuar i biri, të gjitha prokurimet publike në fushën e sigurimeve në kushtet e konfliktit faktik të interesit;

.Ka cënuar rëndë besimin e publikut të figura e Presidentit të Republikës, për shkak se gjenerimi i të ardhurave nga detyra të tjera publike dhe veprimtari private nga vetë Bajram Begaj, si dhe gjenerimi i të ardhurave nga i biri (person i lidhur) nga një kompani private në marrëdhënie kontraktuale me Institucionin e Presidentit të Republikës, krijojnë perceptimin tek qytetarët e përdorimit të funksionit publik për përfitime personale.

Për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjit, e paprecedentë për një President Republikës, kam autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se jemi në kushtet e konsumimit të të paktën dy veprave penale, në bashkëpunim, përkatësisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të parashikuara nga nenet 25, 258 dhe 260 të Kodit Penal./ CNA





Lajmet e fundit nga