web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qeveria e "majtë" që të varfrit i shikon si numra të shtrembër

24 Gusht 2022, 16:50, Opinione Tanush Çaushi
Qeveria e "majtë" që të varfrit i shikon si numra
Foto ilustruese

Përgjithësisht partitë e majta, kanë si bazë votash shtresat e poshtme të shoqërisë. Programet këtë shenjojnë, pra të përkrahin, të mbrojnë e t'u dalin për zot të varfërve, skamnorëve, të nëpërkëmburve.

Edhe partitë e majta shqiptare këtë kanë në majë të gjuhës në tubime e tribuna. Deri këtu mirë.

E shkruara dhe e folura janë për bukuri. Mirëpo: "nga e thëna në të bërë,  qëndron një mal i tërë"...

Le të zbresim poshtë tek nevojtarët.

 

Kur bilbilojnë kandidatët

 

Ja, kanë filluar të xhirojnë anëkënd vendit se erdhi dita për pashallarët e bashkive.

Eh, t'i shikosh!... Të qeshur, babaxhanë, krahë e këmbë hapur!... Përqafojnë, puthin, gudulisin, të godasin shpatullat...

Dhe skamnori i shkretë gëzohet pasi kujton se vlerësohet e besohet!...

Eh t'i dëgjosh!... Bilbilojnë si bilbilat a thua se do të sjellin pranverën:

Do bëj këtë, do japim këtë, do keni sa të doni, do hani sa të dëndeni!... Tutje varfërisë, skamjes, papunësisë, rryshfetit e korrupsionit!...

Dhe nevojtari dëgjon, beson dhe fare nuk dyshon:

Do i bëjë se është yni, i partisë sonë, na i njeh problemet e do na i zgjidh hallet,

 

Kur pashallarët pashallojnë

 

Koha kalon se s'di të qëndrijë në vend, as të pres. Nevojtari pret të gëzojë ato që do pjellë mali i premtimeve.

Prit e hiç... prit e s'ka... Prit e rënko... Por dhe pritja e ka një kufi.

Kështu skamnori vendos t'i flasë në celular deputet pashait që aq shumë premtoi.

T'i thotë se na the kështu dhe e duam... na premtove këtë dhe na e jep... 

I nervozuar, por besimplot merr celularin dhe i bie i sigurt se në krahun tjetër do përgjigjet pashai.

Pra. ai që më përqafoi e më gudulusi!...

Bjer dhe s'ka... bjer dhe vuv... bjer dhe... celulari mbyllet.

Ah, psherëtiu me bosh dëshpërimi në kraharor.

Por duke kujtuar gjithë përkëdhelitë e kandidatit që u bë pasha nuk deshi ta besojë bllokimin.

Mbase ka mall e do të më shoh me sy, tha dhe ia nisi vrapit mbi gomar për tek deputet pasha apo kryebashkiak pashai.

 

Shtyhu sa të shyhemi, për katër vjet do piqemi

 

Nevojtari skamnor, me besim tek partia e tij e majtë dhe tek programi aq social e human, trokiti tek dera e pasha deputetit.

Trokit e hiç... tak tak tak, por qetësi...

E shtyu lehtë derën. Vuvëri... memecëri... boshësi...

Iu ngritën nervat. Kujtoi se Pasha deputetin e paskish zënë gjumi e nuk e kishte dëgjuar trokitjen e shtyrjen e tij.

Atëherë e goditi fort me grushta e shkelma.

Dera ime është, thirri, dera e partisë sime ndaj s'më thoni e s'më bëni dot asgjë!...

Dera e pasha deputetit u hap me vrull. Dy tipa kokërruar e me figura xhindesh vizatuar në qafë e në krah, e mbërthyen osh.

- Ej, c'bëni?... Jam unë, jam juaji!... Mos më goditni se kam fëmijët pa bukë...

Kokërruarit s'ja varën, por vazhduan grushtimin dhe shkelmimin.

- Prisni, u lutet nevojtari skamnor, sa të takoj pasha deputetin. E njoh, kemi ngrënë bukë bashkë në fushatë... se unë jam juaji... 

Ndjeu se dikush hapi pakëz kanatin e derës. E njohu. Ishte Ai.

U gëzua... por buzëqeshja i ngriu në buzë kur dëgjoi fjalët e deputet pashait:

- Shtyhu sa të shtyhemi,

për katër vjet do piqemi!

Skamnori i shkretë u përlot:

- Po unë e fëmijët ku të mbytemi? - pyeti e krahët i lëshoi poshtë si të prerë.

Megjithatë më në fund e kuptoi se në këtë qeverisje "të majtë" të varfërit  nuk shihen si njerëz, por  si numra të shtrembër me vlerë të përkohëshme....

 

Ëndrrimtarët pas tubimit elektoral

 

Thanë se do rimbulsohen ilacet. Dhe të lënduarit e shumë u gëzuan. Në gjumë panë ëndrra me pare të shumtë.

Thanë se shërbimi shëndetësor do të ishte falas. Dhe pacientët pane ëndrra me ëngjëj të bardhë.

Thanë se familjet e varfëra do të kenë përkrahje financiare nga shteti. Dhe prindër e fëmijë përkrah pulëbardhave.

Thanë se pensionistëve jo vetëm do ju ngrihet pensioni, por do t'u indeksohen edhe cmimet e larta. Dhe pensionistët panë ëndrra sikur qenë bërë  riosh e kërcimtarë.

Të gjitha ëndrrat u panë gjatë natës. Kuptohet se ditën nuk shihen ëndrra..

 

Zhgjëndrra e hidhur shumëvjecare

 

Por pas natë, zbardhi dita. Të lënduarit, pacientët, të varfërit, pensionistët fërkuan sytë që t'u hapeshin sa më shpejt. 

U hapën... Vështro e kërko... asgjë!... Kërko e  vështro... bosh!...

I fërkuan sytë prapë e prapë, por më kot... Asgjë dhe bosh!...

Ku shkoi e u fshi gjithë ai mal fjalësh të bukura e premtimesh që na bëri partia jonë e majtë, o vëllezër?...

Të gjithë shikuan shoshokun. Pas një heshtje të gjatë, dikush u kollit dhe ia bëri:

- Ne të marrët, ne të vrarët, 

  besuam, na vunë samarët!...

  Qënkan shtuar hileqarët!...

  Qënkan shtuar gënjeshtarët!...





Lajmet e fundit nga