LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Ermal Mulosmani/ Lulzim Basha, drama e fundit e popullit opozitar

13 Qershor 2023, 18:57, Opinione Ermal Mulosmani
Nga Ermal Mulosmani/ Lulzim Basha, drama e fundit e popullit opozitar
Lulzim Basha

Kur në vitin 2005 në skenën politike të Partisë Demokratike u shfaq Lulzim Basha, si shumë të tjerë pata dëshirën e madhe që, më në fund, gjërat po fillojnë të lëvizin për mirë. Luli spikaste, mes shumë të tjerëve, jo vetëm se ishte i gjatë, elegant dhe të sillte në mendje Enver Hoxhën e ri. Peshën politike kryesore në ambientet opozitare ia jepte miqësia e afërt me vajzës dhe dhëndrin e Sali Berishës.

Dukej se Berisha bashkë me trukimin e fytyrës së plakur e plot mëkate të Partisë së tij po mendonte edhe për Pasardhësin.

Për këtë arsye Luli u pa qysh në fillim si një katapultim më i rëndësishëm sesa të gjithë prurjet e tjera së bashku. KOP-istët tjerë tashmë janë harruar…

Luli ishte “amaneti” i Berishës, fytyra e Partisë Demokratike të ardhshme. Përpiqesha të gjeja gjëra të mira, ndonjë mprehtësi në diskurs apo debatet televizive por në fund më mbetej në mendja vetëm buzëqeshja proverbiale. Nuk ishte një buzëqeshje cinike, qesëndisëse. As aprovuese a mirëkuptuese. Ishte një buzëqeshje e marrë, e pandalshme, e kotë… Si një tik nervor. Luli thjesht nuk e ndalte dot. Më dha përshtypjen dëshpëruese të një farë spitullaqi dendi e kokoroç pa kurrfarë thelbi a përmbajtjeje. Qysh prej asaj dite jam përpjekur ta ndërroj përshtypjen e parë por fatkeqësisht vetëm e kam përforcuar.

Kur erdhi afera e Rrugës së Kombit më bëri shumë përshtypje qëndrimi i tij. Isha i sigurtë që ai njeri nuk kishte këllqe për të bërë korrupsionin për të cilin akuzohej. Rruga e Kombit ishte investim i Berishës për interesat e veta politike dhe Basha thjesht ishte dëm kolateral i atij investimi.

Opozita e akuzonte Bashën se organizoi tenderin ndërkombëtar të Rrugës së kombit (fituar nga Bechtel Enka) pa një projekt të plotë përfundimtar. Kjo sipas akuzës, kishte shkaktuar një dëm material prej 230 a më shumë milionë Euro.

Berisha e mbrojti me forcë kanakarin e vet. Ai solli vendime kolegjiale Qeverie për të justifikuar shtesat e fondeve duke e lënë përgjegjësinë pa emër individi. Proçesi u mbyll me proçedurë nga Gjykata e Lartë.

Ambiguiteti

Nga ajo aferë kuptova një gjë: Basha është numri 2 edhe në ushtrimin e detyrës së Titullarit si Ministër i Transportit. Numri 1 ishte Shefi i tij Kryeministër. Ky rol ambig Bashës i pëlqente dhe ishte gati ta pranonte në çdo post. Sigurisht edhe Berishës që vdes për të tillë.

Rasti i 21 Janarit ishte vetëm rikonfirmim i këtij konstatimi. Vrasja e 4 njerëzve pa gjyq, përpara Kryeministrisë, duhej të kishte pasoja së pari për garantuesin e rendit publik, Ministrin Basha. Koha vërtetoi se situata të ngjashme dhune nga demonstruesit përballohen edhe me strategji alternative si gazi lotsjellës dhe përballja me policinë. Më e bukura, askush nuk e përmendte dështimin e Policisë. Sepse dinin pafuqinë dhe ambiguitetin e Lulit. Të gjithë e dinin që Ministër real ishte Berisha. Luli Basha ishte në rolin e tij të përjetshëm: Zëvendës Ministër i Ministrisë ku është titullar!

Nuk po zgjatem në shfaqjet e mëvonshme të pafuqisë së tij, për paaftësinë proverbiale dhe dështimin spektakolar si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Po si nuk bëri një gjë të vetme, një gjë?! Ah, po, bëri sheshin e turpshëm në formë linesi! Do mjaftonte ai turp për ta zhdukur nga politika apo postet publike…

Në jetën e tij politike unë i di vetëm një sukses, dekriminalizimin e politikës. Falë asaj nisme politike u larguan nga politika disa deputetë dhe funksionarë lokalë me precedent penalë dhe u krijua një farë premise për ndarjen e poltikës nga rrugeçërit e lagjes apo kriminelët ordinerë. Ata të sofistikuarit nuk kishin lënë gjurmë aq flagrante, ata edhe sot e kësaj dite përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve.

***

Karrigia e Kryetarit të Partisë i rrinte e madhe. Sidomos me pushtetin që kishte marrë me ndryshimet e 2008-ës. Kryetari i Partisë nuk bënte lista kandidatësh më. Jo, tani ai kishte fuqinë të të bënte deputet, të paktën 45 deputetë që Basha i vinte në zonë të sigurtë mund të flinin rehat dhe të gdhiheshin deputetë! Kjo rriti servilizmin por edhe presionin. Për ta ndarë presionin Basha përsëri kishte mentorin e tij politik. E përdorte prapë atë stilin:

"Unë jam zëvendëskryetar i Partisë për përgjegjësitë dhe Kryetar për të drejtat".

E kush nuk do e donte një privilegj të tillë!

Kështu duke përdorur të drejtat u ra në kokë të gjithë ish drejtuesve që i shisnin pordhë korridoreve sikur çoç ishin. Por jo edhe Kryetarit të të gjithëve. Megjithëse do të donte shumë…Por me kë do e ndante përgjegjësinë nëse do i binte Kryetarit të të gjithë Kryetarëve? Ndaj e mbajti…

Mbajtja e Berishës si kandidat në zgjedhjet e 2017-ës ishte treguesi i ambiguitetit dhe pafuqisë së tij për të qenë numri “një” ndonjëherë. Çdo Kryetar Partie që ka një shans për tu bërë Kryetar duhej të pensiononte paraardhësin. Me çdo kusht. Qoftë edhe duke i dorëzuar çelësat e partisë nëse nuk pranonte të largohej. Kështu të paktën do të fillonte të ecte me këmbët e veta. Por Luli nuk ecën dot vetë, ai do rrethore. Ai duhej të kishte një tjetër kumbar që të merrte vendime për të. Këtë radhë Kumbari i përjetshëm nuk e ndihmonte dot më…

Moslargimi i Berishës nuk ishte gabimi më i madh i Bashës në vitin 2017. Jo, gafa më e madhe ishte ndërtimi i një çadre të madhe në mes të Bulevardit në Shkurt të atij viti. 4 muaj para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme. Aksionit politik nuk i shihej fundi nga ne votuesit e së djathtës. Si do përfundonte? A thua di gjë Lul shkreta?

Papërgjegjshmëria

Këtu për herë të parë kuptova që Basha jo vetëm që nuk merrte dot vendime pa tutor, por, edhe nëse i merrte nuk mbante fare përgjegjësi sesi shkonin ngjarjet. Kjo ishte vdekjeprurëse për një forcë politike.

Largpamësia e tij politike nuk shkonte më shumë se 3-4 ditë. Kur rritej presioni ai shihej në hall, sin ë atë ditën kur Edi Rama i tha që “Politika është shah” dhe Basha erdhi në çadër dhe shihte Aldo Bumçin me një militant duke luajtur shah… Ishte e mjerueshme për një militant opozitar ta shihte shefin e vet në atë derexhe…

Këmbëngulja

Dështimi spektakolar i “Republikës së re” në 2017-ën na dëshmoi edhe për një cilësi tjetër të karakterit të Bashës: ai ishte edhe këmbëngulës i paskrupullt!

Mos! Një i papërgjegjshëm këmbëngulës ishte më e keqja e mundshme që mund t’i ndodhte një Opozite. Me një paturpësi cinike dhe me mbështetjen e deputetëve të emëruar prej tij ai filloi menjëherë turin e ….rizgjedhjes! Pa asnjë analizë, asnjë përgjegjësi, asnjë dorëheqje.

Koha kalon shpejt dhe erdhi 2019-a. Po afroheshin zgjedhjet lokale dhe Luli ishte i tmerruar prej tyre. Pushteti i kishte dhënë arsye të mjaftueshme për reagim: U publikuan përgjimet e vjedhjeve të votave…

Por kjo që kishte menduar këtë radhë Luli ishte ku e ku më e tmerrshme se çadra: Luli vendosi të digjte mandatet e deputetit! Me një eksklamacion patetik bërtiti : “Mbaroi”!

Ka shumë mundësi që vendimin ta ketë marrë tjetërkush. Sepse siç e thamë më lart, Luli ishte Zëvendëskryetar në përgjegjësi. E çoi Partinë në qorrsokak, i dorëzoi pushtetin Ramës në tavolinë, dekurajoi militantët dhe dëmtoi Opozitarizmin për 20 vitet e ardhshme! Vetëvrasje si ajo nuk mund të ketë bërë ndonjë Kryetar Partie ndonjëherë… Rama i zëvendësoi deputetët e dorëhequr nga listat e Bashës. Me votat e tyre ndryshoi Kushtetutën dhe hoqi koalicionet! Me këtë veprim siguroi matematikisht fitoren e 2021-shit.

Luli filloi përsëri avazin. "I jemi afruar fitores si kurrë më parë" –thoshte. Shpalli zgjedhjet, filloi fushatën ndër të vdekur.

Befas i erdhi një dhuratë nga Perëndia: Departamenti i Shtetit shpall “non grata” tutorin e tij, Sali Berishën!

Basha tashmë mund ta rrëzonte kumbarin e vjetër me ndihmën e kumbarit të ri. I bëri zgjedhjet brenda Partisë duke i ofruar mbështetje Berishës. Si skuth i vërtetë. Me qëndrime ambige, si gjithmonë…

Ishte momenti që Opozita shqiptare të shpëtonte nga ambiguiteti Berisha-Basha, ishte momenti për herë të parë të ofronte një vendim të fortë. Para Bashës ishin tri zgjidhje:

Të ofronte dorëheqje nga posti i Kryetarit të Partisë si shenjë solidariteti me Berishën duke e lënë zbuluar këtë të fundit;

Të merrte vendimin e ndarjes së partisë nga Berisha shoqëruar me dorëheqjen e parevokueshme të tij për të ndalur alibinë e Berishës “besëpremi”;

Të mos e largonte Berishën duke refuzuar të njihte vendimin e DASH-it.

Të tria vendimet e nësipërme do të ishin në funksion të ruajtjes së Partisë nga shkatërrimi.

Por Basha, si gjithmonë nuk zhgënjen, zgjedh një të katërt: Largon Berishën dhe mban veten!

Ky ishte një vendim bash për t’i vënë zjarrin Partisë, siç i vuri. Baza iu kundërvu dhe humbi maxhorancën brenda Partisë.

Por kurrsesi këmbënguljen e të papërgjegjshmit.

***

Tani Lul Basha po rikthehet me petkun e euroatlantikut që po shpëton Partinë nga berishizmi. Rolet kanë ndërrua por komedia është e njëjta: Berisha po shpëtonte Partinë nga “besëpremi” ndërsa tani "besëpremi" po shpëton Partinë nga Berisha…. Meqë nuk ike ti nuk po ik as unë...

Ky i paaftë proverbial, ky i papërgjegjshëm i pakrahasueshëm me asnjë tjetër; ky këmbëngulës idiot e i paepur po vjen sërish në krye të një partiçke që ka një pakicë opozitare.

Tashmë po vjen pa drojën e humbjes, as të llogaridhënies. Pas 20 vjet karriere politke, 6 vjet Ministër (Transporti, Jashtëm, Brendshëm), 4 vjet Kryebashkiak i Kryeqytetit dhe 10 vjet Kryetar I partisë më të madhe opozitare, ky vigan liberator vjen të çlirojë vendin nga Trekëndëshi i Bermudës që ka uzurpuar. Kj është tragjikomedia jonë…

Tashmë është i lirë të marrë 5%, 7% a 10%. Sepse ka alibinë e Berishës përballë. Siç e ka pasur përherë. Tani ka kumbar Amerikën. Ai e di mirë që krijimi i një Partie të vogël opozitare është vdekja e Opozitës. Por kjo as e brengos fare. Në fund të fundit alibia e tij e përjetshme është përballë. Ai nuk ka nevojë më të thotë fshehtas: “Është faji i Berishës”. Mund të thotë haptas, të bërtasë dhe ta përdorë si argument në fushatën e rizgjedhjes pas humbjes…

Drama është e popullit opozitar që po sheh fundin. Kur mendonin se Berisha ka biologjinë kundër dhe shpejt do të vijë një dite e re ja ku vjen Kryedështaku më i madh i historisë politike të Shqipërisë. Me petkat e liberatorit veshur… Komedi e zezë.

14:30 Opinione Ilir Levonja

Basha, heroi i humbjeve

Shumë nga ne e marrin me tallje, e disa të tjerë me shumë ...

12:25 Opinione Agim Xhafka

Një pjatë me bakllava

Sa kishte hyrë janari kur mamaja na tha, ej, u nda Alma ng...

17:48 Opinione Hysni Gurra

T’u harroftë emri!

Prej 20 vjetësh në politikën shqiptare endet një i ‘ri...

Lajmet e fundit nga