LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Albin Kurti, ky pasues i Demaçit të Rambujesë

11 Nëntor 2022, 22:58, Opinione Ermal Mulosmani
Albin Kurti, ky pasues i Demaçit të Rambujesë
Foto ilustruese, Albin Kurti

Ismail Kadare në esenë e tij “Mbi krimin në Ballkan”, ka një kapitull mjaft mbresëlënës që i kushtohet Marrëveshjes së Rambujesë dhe ngjarjeve që po zhvilloheshin në Paris në Shkurtin e vitit 99. Kadare e titullon atë kapitull “Kapardisja shqiptare”.

Ja se çfarë shkruan Kadare aty:

“Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet mirë pa kapardisjen. Madje shpesh është vështirë të dallohet ku mbaron kufiri i një bëme dinjitoze, madje trimërore e ku nis kapardisja. Kjo e fundit është e ndërthurur shpesh me të gjitha ato tipare, të mbara e të mbrapshta, të njeriut ballkanas duke i dhënë një theksim të veçantë si veseve, si virtyteve të tij. Si e tillë ajo pasqyrohet gjithsesi në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes, të të menduarit, të të vepruarit e gjer në gjëra tepër të përditshme, siç janë veshja ose ecja e njeriut.

Megjithatë, për një habi të madhe, po të hetojmë me gjakftohtësi historinë e gjatë të popullit shqiptar, vërejmë se ndërsa ka qenë tepër e pranishme në jetën e përditshme, kjo sëmundje nuk është dëshmuar aq sa pritej në atë sferë, ku dëmtimet e saj janë vërtetë fatale: midis prijësave shqiptarë, ata që sot quhen “liderë”."

Vini re. Megjithëse kapardisja ka një "shkëlqim" të veçantë në tokën e arbrit, prapë se prapë, nuk ka qenë aq e pranishme te prijësat politikë.  Pak më poshtë Kadareja vë në dukje Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun. Vetëdija se përfaqësonin një komb të vogël dhe me fat të rëndë në histori i bënte ata të ishin të vetëpërmbajtur e të përulur. Me fjalë të tjera, ata kishin kuptuar se historia i kishte vënë ata në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, ndaj as mburrjet e as ethet e lavdisë s’mund të kishin vend në kokat e tyre.

Një nga pikëvështrimet më interesante të Kadaresë për kapardisjen shqiptare i referohet sjelljes së Adem Demaçit në Rambuje gjatë bisedimeve të famshme. Demaçi nuk ishte fare në Rambuje ku ishin ftuar delegacionet serbe dhe shqiptare. Ai ishte në vilën e zotit Hetem Ramadani në Slloveni dhe prej andej jepte urdhëra për mosfirmosjen e dokumentit të ofruar nga aleatët dhe që mbrohej fort nga zonja Madlen Ollbrajt.

Ja sesi shkruan Kadare me referencë të qartë për Demaçin:

"Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, që Kosova të bëhet shkrumb e hi. E kështu me radhë, e kështu pa fund. Dhe është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta “biznesmenë të lirisë” s’pësojnë kurrë asgjë."

Adem Demaçi, përkundër jetës heroike dhe përkushtimit jetësor ndaj lirisë së Kosovës, bash në çastin e mbramë, kur liria po afrohej dhe po bëhej realitet e humbi drejtpeshimin dhe i kërkoi broçkulla Sekretares së Shtetit Ollbrajt: “Hajde në Slloveni të takohemi!” Një takim që do e tmerronte Sekretaren e Shtetit për nivelin skandaloz të njohjes që kishte Demaçi me realitetin dhe delirin në të cilin jetonte. Një moment turpi i atyre ditëve historike për popullin shqiptar.

Situata gjeopolitike e atyre kohëve ishte totalisht në favor të Kosovës. E gjithë aleanca perëndimore me në krye SHBA dhe UK po ushtronte presion ndaj Millosheviçit për të pranuar forcat e Nato-s si administruese të Kosovës. Bëhej fjalë për 30,000 forca të NATO-s. Kosova do ishte krahinë me autonomi thelbësore por pjesë e Jugosllavisë. Kështu thoshte draft marrëveshja.

Sigurisht, steka ishte vendosur shumë lart për serbët, që ata të mos firmosnin dhe Nato të fillonte sulmin me këtë pretekst. Ja si e përshkruan Henry Kisinger marrëveshjen e propozuar të Rambujesë:

“Teksti i Rambujes, i cili i bëri thirrje Serbisë të pranojë trupat e NATO-s në të gjithë Jugosllavinë, ishte një provokim, një justifikim për fillimin e bombardimeve. Ishte një dokument diplomatik i tmerrshëm që nuk duhet të ishte paraqitur në atë formë”

Mirëpo aleatëve tanë në ato ditë historike u doli kundër Demaçi! Në mënyrë paradoksale!

Historia po i kalonte anash në momentin e saj kulmor dhe ai nuk mund të pranonte kurrsesi. Kosova duhej të kishte në qendër të zhvillimeve vetëm Demaçin, përndryshe është tradhti! Përkrah Demaçit aso kohe (ndoshta jo në atë takim), në pozicionin e zëdhënësit ishte Albin Kurti.

Nga ana tjetër, sjellja e Adem Demaçit gjatë ditëve të bombardimeve është mirëfilli heroike! Ai dilte çdo ditë rrugëve të Prishtinës, zihej me ushtarë serbë, u hakërrehej. Me shpresën se një prej tyre do ta vriste dhe kështu do të shënonte emrin e tij në altarin e më të famshmit të lirisë së Kosovës. Etja e tij për lavdi e tejkalonte edhe atë për jetë!

Nga Rambujeja erdhi Nato me bombardimet, liria e Kosovës e më vonë pavarësia. Por si një re e zezë mbeti mbi kokën e Kosovës hija e Serbisë! Me të vërtetë Pavarësia u shpall më 2008 dhe u gjykua si e akt i pranueshëm ndërkombëtarisht por shumë prej vendeve të botës nuk pranuan ta njihnin. Përfshirë këtu edhe 5 shtete të bashkimit Evropian.

Tani vijmë në kohët e sotme.

Aleatët perëndimorë, bombarduesit e Serbisë në ’99-ën, kërkojnë dialog dhe negociata me Serbinë për t’i mbyllur hesapet njëherë e përgjithmonë dhe për t’i hapu rrugë kështu një rrugëtimi të ri si shtet i njohur nga gjithë bota. Mirëpo tani situata gjeopolitike nuk është ajo e 99-ës. Ujërat kanë lëvizur dhe aleatët e dikurshëm nuk i kanë prioritet më shqiptarët e Kosovës. Përkundrazi, dëshira e tyre për shkëputjen e Serbisë nga ndikimi ruso-kinez e ka bërë atë joshëse në sytë e Perëndimit. Nga ana tjetër Kosova është krijesa e tyre ndaj nuk është aq e kollajtë t’i sakrifikojnë interesat.

Nga këndvështrimi i Kosovës ky nuk është momenti më i përshtatshëm për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Por kjo as nuk mund të ndryshohet e as nuk të shtyhet. Aleatët duan ta mbyllin me çdo kusht, serbët duhet të motivojnë dorëzimin e Kosovës para popullit të vet nacionalist, Kurti dhe kosovarët duan të mos humbin asgjë. Kjo është situata.

Por si mund të zgjidhet?! Sigurisht me bisedime, kalkulime, propozime. Çfarë fiton Kosova nga ajo marrëveshje? Çfarë është gati të japë për atë fitore? Çfarë pretendojnë serbët, çfarë propozojnë ndërkombëtarët? Ja kjo është negociata.

Termat patetiko-spekulativë si "tradhtia", "dinjiteti", "nderi" "sovraniteti", "thikat", "zajednica" etj  i varrosin bisedimet. Serbia dihet se çfarë do japë, ajo ka veç një ofertë: njohjen e Kosovës. Kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme dhe e pamundur pa marrë asgjë në këmbim. Nëse nuk marrin diçka, ata nuk ka forcë që i bind për të firmosë njohjen e Kosovës. Kjo është krejt e qartë. Nëse bëhen kryefjalë fjalë si ato që thashë më lart është e pamundur që të arrihet një kompromis. Ndaj të gjithë duhet të pregatiten se marrëveshja finale, ajo që do të firmosë Serbia, do t’i japë Kosovës njohjen përfundimtare si shtet POR DO I MARRË DIÇKA. Lufta duhet bërë që të japë atë që cënon më pak interesat e vendit.

Gjendja e staus quo-së ku gjysma e botës nuk e njeh Kosovën, 18 shtete kanë tërhequr njohjen dhe prej vitesh të tëra nuk është shtuar asnjë njohje e re, e bën të domosdoshme prerjen e nyjes gordiane që e mban peng – njohjen nga Serbia!

Në këtë kontekst vjen edhe përplasja më e fundit e Albin Kurtit me ndërkombëtarët. Sekretari i Shtetit Antony Blinken kërkoi shtyrjen e implementimit të një marrëveshje të firmosur për targat.  Pavarësisht se dy palët kishin rënë dakord të fillonin aplikimin e targave RKS në Nëntor dhe Kosova veç po plotësonte marrëveshjen. Fakti që Sekretari i Shtetit, njeriu më I rëndësishëm amerikan pas Presidentit këkron personalisht të shtyjë për 10 muaj vendimin, kush dreqin je ti që nuk e përfill atë këshillë-propozim? Mu kujtua Demaçi i kohës së Rambujesë! Propozimi i Blinken-it ishte krejt i pranueshëm. Duhej vetëm pak vullnet i mirë dhe Kurti kthehej në një interlokutor të besueshëm. Aqmë shumë që para 5 muajsh thoshte “Kur thotë Amerika “kërce” ne nuk pyesim pse por sa”. Ja pra Albin, Amerika tha shtyje e ti the jo! Për një gjë që nuk kishte pikë rëndësie. Që ti nuk do ta zbatosh dot në 10 muajt e ardhshëm. Ai vendim më shumë ndihmonte Kosovën dhe imazhin e saj sesa dikë tjetër. Por si në 99-ën Demaçi edhe në 2022-shin Kurti zhgënjyen aletaët! Dhe kur zhgënjejnë për një kërkesë kaq periferike, të parëndësishme, si mundet të pranojnë propozime për asosiacionin e komunave serbe apo të tjera që do të cënojnë interesat e Kosovës?!

Dhe për ta mbyllur po përdor edhe një herë një pjesë nga eseja e Kadaresë. Këtu flet për pasuesit e këtyre liderucëve pordhacë:

“Si gjithmonë, në Ballkanin tonë heroik aq edhe servil, nuk mungojnë kurrë puthadorët, sejmenët dhe lajkatarët. Pas Rambujesë, një pjesë e mediave shqiptare, në vend të merreshin seriozisht me analizën e asaj që ndodhi, e sidomos, asaj që do të ndodhte, filluan lajkat për bëmat e njerit apo të tjetrit. Ca legjenda, ca fakte të neveritshme, imorale e të pabesa filluan të serviren si heroike. Kështu, sahanlëpirësit nisën të ekzaltohen që X –i nuk pyeste fare për ministrat e Europës, apo që Y- i e la ministren amerikane Ollbrajt të priste orë të tëra te dera, etj., etj. Edhe sikur këto dokrra të ishin të vërteta, ato do të ishin jo lavdia, por turpi ynë në Rambuje. Dhe jo vetëm turpi: ato do të ishin një njollë e zezë, dëshmi e maçizmit, e injorancës dhe e paburrërisë sonë përpara një ministreje dhe një gruaje.”

Çdo përngjasim me situata, ngjarje dhe njerëz të sotëm është i qëllimshëm./ CNA.al

Lajmet e fundit nga