LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një projektbuxhet pa dimension njerëzor

9 Nëntor 2022, 22:38, Opinione Bujar Leskaj
Një projektbuxhet pa dimension njerëzor
Bujar Leskaj

Qeveria vjen me projektbuxhetin 2023, pa një plan të detajuar për të përmirësuar gjendjen sociale të grupeve në nevojë, duke mos zbatuar detyrimet që ka shteti, sipas Nenit 59 të Kushtetutës (Objektivat Socialë: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë; etj.). Projektbuxhetit i mungon dimensioni njerëzor dhe mbështetja reale ndaj shtresave në nevojë dhe 621 mijë qytetarëve që jetojnë nën kufirin e varfërisë, sipas anketës së INSTAT për matjen e të ardhurave dhe nivelit të jetesës në Shqipëri për vitin 2020. Ky buxhet ka dhjetë mangësi kryesore:

I. Projekt buxheti 2023 nuk kryen rishpërndarje të të ardhurave në dobi të qytetarëve

Pjesa dërrmuese e 16 përqind të të ardhuravë të shtuara për periudhën janar-shtator 2022(shifër e Relacionit të Projektbuxhetit) vjen për shkak të rritjes së çmimeve. Të ardhurat në buxhet rriten me 10% në raport me 2022-in, ndërsa shpenzimet publike me 4%. Pra, qytetarët dhe bizneset, me këtë projektbuxhet, marrin dy herë e gjysëm më pak nga ajo çka japin.

II. Projekt buxheti 2023 nuk rrit pensionet dhe pagat reale të shqiptarëve

Për rritjen e pensioneve të mbi 678 mijë pensionistëve, qeveria do të alokojë ne buxhetin per vitin 2023, vetëm 1.2 miliardë lekë. Çfarë mund të rritësh në pensionet me vetëm 10 milionë euro?! I bie mesatarisht 1.3 euro shtesë në muaj për pensionist.

Projektbuxheti parashikon një rritje mesatare të pagave në sektorin shtetëror prej 6 përqind për vitin e ardhshëm. Në një kohë kur inflacioni vjetor për këtë vit pritet të shkojë të pakten 7 përqind dhe me rritje në vitin 2023, shtimi i pagave nën nivelin 6 përqind për 2023 nënkupton që pagat reale ulen!

III. Projekt buxheti 2023 nuk ul borxhin publik

Në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, qeveria angazhohet se do të ulë borxhin publik nga 68.8% të PBB-së(niveli i pritshëm për vitin 2022), në 67.5%. Ky angazhim është i pamundur të mbahet, për dy arësye shumë të qarta.

Së pari, qeveria ka një mal me detyrime të papërmbushura. Detyrimet e prapambetura, detyrimet nga gjyqet ndërkombëtare dhe detyrimet kontigjente nga koncesionet dhe PPP-të, qeveria i ka, në total, mbi 20 përqind të prodhimit kombëtar!

Së dyti, kjo qeveri e ka premtuar shumë herë uljen e borxhit publik, thjesht për interesa zgjedhore, pa e mbajtur asnjëherë këtë premtim. Premtoi në Programin Qeverisës 2013-2017, ku u angazhua për ulje borxhi në 60 përqind të PBB-së. Nuk e mbajti. E përsëriti të njëjtin premtim edhe në Programin Qeverises 2017-2021. Është një aksiomë në botë, që kur një premtim e përsërit disa herë, pa e mbajtur, ai kthehet në mashtrim. Edhe në programin zgjedhor 2022-2025, kjo qeveri tekstualisht premtoi: “Shënjestra e këtij mandati – konsolidim i përshpejtuar fiskal, duke synuar borxh publik nën 60 perqind në fund të mandatit”. Sa besim duhet të kenë qytetarët shqiptarë tek një qeveri që nuk e ka përmbushur angazhimin e saj në 9 vite dhe në projektbuxhetin e vitit 2023 premton sërisht ulje borxhi?

IV. Politika fiskale 2023 nuk i ndihmon, por i rëndon qytetarët

Në një kohë që pritshmëria e rritjes së çmimeve për vitin 2023 do të jetë në një nivel më të lartë se në vitin 2022, qeveria ia lejon vetes të mos përmendë në asnjë rrjesht në Paketën Fiskale 2023, qoftë dhe mundësinë e përshkallëzimit në ulje të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), në ndihmë të qytetarëve, për mallrat më jetike për mbijetesën e tyre, si mallrat ushqimore të shportës, etj.

V. Politika fiskale nuk përmirëson, por përkeqëson klimën e biznesit

Paketa fiskale 2023 sjell dyfishime e madje dhjetëfishime të gjobave dhe penaliteteve ndaj biznesit, duke rritur pasigurinë dhe frikën e tatimpaguesve ndaj trajtimeve selektive dhe gjuetisë së shtrigave mbi ta, si dhe mundësitë pë korrupsion nga strukturat tatimore

Rëndimi i biznesit me gjobave në dyfish e deri në dhjetëfish, rrezikon të përkeqësojë klimën e biznesit dhe krijojë hapësira të mëdha për abuzim, duke rritur fuqinë diskrecionale të strukturave tatimore.

VI. Projektbuxheti 2023 është buxhet i koncesioneve dhe PPP-ve, është buxhet i oligarkëve

Projektbuxheti për vitin 2023 parashikon rreth 14 miliardë lekë, ose afro 120 milionë euro pagesa për koncesionet/PPP aktive me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Në krahasim me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 4%. Qeveria e sektit Rama ka planifikuar në Projektbuxhet dhënien e 7 kontratave të reja me koncesion me vlerë rreth 1 miliardë euro. Me rritjen e vlerës dhe numrit të projekteve PPP, janë rritur edhe më shumë risqet fiskale.

Kjo qeveri, në një vit të çmimeve të luftës, nuk mendon të shtyjë për një periudhë të mëvonshme gjysmën e pagesave për koncesionet dhe PPP-të, sepse oligarkët duhen të financojnë shpenzimet e saj elektorale.

VII. Projektbuxhet i rritjes së ulët ekonomike

Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë vetëm 3.7% për vitin 2022 dhe me një parashikim në ulje të konsiderueshme, në 2.6 % për vitin 2023. Kjo është një normë e ulët rritjeje dhe përfaqëson një nivel minimal, që zhvillohet për shkak të shkëmbimeve tregtare dhe konsumit të brendshëm, por jo nga politikat nxitëse qeveritare.

VIII. Projektbuxheti nuk bën asgjë për të ndaluar hemorragjinë e trurit jashtë dhe boshatisjen e vendit

Projektbuxheti 2023 nuk ka një plan konkret për të ndalur largimet masive të shqiptarëve, me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, duke prekur direkt edhe bizneset që vuajnë për forcë punëtore, ndërkohë që po përballen dhe me pasojat që ka sjellë pandemia dhe lufta në Ukrainë.

Shpërndarja e fondeve buxhetore sipas institucioneve buxhetore për vitin 2022, nuk reflekton prioritetin për arsimin. Në një kohë që rinia po largohet dhe vendi po boshatiset, cilësia e arsimit dhe numri i studentëve ka rënë, ndërsa pedagogët janë në prag të grevës së urisë.

IX. Projektbuxheti 2023 nuk ul shpenzimet dhe nuk reflekton mbi detyrimet e rritura të ndërmarrjeve të sistemit energjitik

Edhe pse jemi ne nje vit jashtezakonisht te veshtire dhe ne gjendje krize, projektbuxheti i vitit 2023 i kanalizon 65% të shpenzimeve të tij në shpenzime kapitale dhe operative, në një kohë kur duhet të ketë një shpërndarje më të barabartë.

Projektbuxheti financon sektorin energjitik me 12 miliardë lekë. Ky sektor, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme që ka patur, vijon të mbetet një ndër sektorët më të dështuar dhe të korruptuar. Detyrimet e ndërsjellta të sektorit energjitik janë aktualisht në 156 miliardë lekë ose 1.3 miliardë euro. Në këtë situatë dhe në kushtet e krizës globale, KESH shpenzon 250 mijë euro me spote ndërgjegjësuese në televizione për kursimin e energjisë elektrike. Si ta cilësojmë këtë veprim: kursim, apo propagandë dhe shpërdorim të parasë publike?

X. Projektbuxheti 2023 tallet me Ish-Të Përndjekurit Politikë

Qeveria në projektbuxhet ka caktuar një shumë 1 miliardë lekë(vetëm 8.5 milionë euro) për dëmshpërblimin e shtresës më të përvuajtur dhe të keqtrajtuar të shoqërisë sonë, Ish-Të Përndjekurit Politikë. Kjo shumë është krejtësisht e pamjaftueshme, madje qesharake. Ajo duhet urgjentisht të paktën të trefishohet.

Kjo qeveri nuk ka menduar asnjëherë dhe nuk e ka konsideruar kurrë kërkesën ligjore që të ardhurat e pritshme nga privatizimet të shkojnë 50% për uljen e borxhit, 20% për të përndjekurit politikë dhe 30% për investime. I referohem nenit 10 të Projektbuxhetit. Me këtë ritëm, qeveria nuk do të arrijë të shlyejë përfundimisht detyrimin ndaj tyre as edhe në vitin 2050!

xxx

Për projektbuxhet do të flas më në detaje në Kuvend. Qytetarët e vendit tonë, taksapagues dhe mbushës së arkës së Shtetit, nuk kanë si të kenë asnjë pritshmëri se do të mbrohen nga ky projektbuxhet, jo profesional, jo njerëzor dhe tërësisht i papërgjegjshëm, që ka përgatitur qeveria e sektit Rama, në një ndër vitet më sfidues të dy dekadave të fundit.

 

10:17 Opinione Ditmir Bushati

Intimiteti strategjik!

Në fjalimin përmbyllës të Konferencës për të Ardhmen e Eur...

Lajmet e fundit nga