web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tregimi i së dielës/ Të dashuruarit e një qyteti

8 Shtator 2024, 09:46, Kuriozitete Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Të dashuruarit e një qyteti
Agim Xhafka

Askush nuk e thotë me saktësi se kur nisi përgojimi i Erisës dhe Jovanit. Për lexuesin sqaroj se këta të dy tashmë janë burrë e grua. Prej shumë vitesh kështu, por qyteti i mban mend edhe si të dashuruar për një kohë të gjatë. Bëri bujë atëherë, jo se ishin çifti më simpatik, më tërheqës, por ngaqë shfaqeshin si një ekuilibër i prishur. Jovani, një djalosh i gjatë, me trup atleti, me sy bojëqielli, me flokë të zinj, me profesion kirurg dhe Erisa një vajzë me trup mesatar, pak e shëndoshë, paçka se e re në moshë, me flokë të verdha dhe të rralla që i rrinin si të lëpira dhe me sy që nuk u kuptohej ngjyra. Një ditë kaf e një ditë jeshil. Plus te dhëmbët njëri sipër i dilte mbi ekzistuesin. Si kat pa leje d.m.th., por fat që i shfaqej veç kur qeshte. Qe arkitekte dhe dukej që larg profesioni, dinte të kombinonte hijshëm veshjet e saj.

Po pse nisi përgojimi i gjatë për ta? Ngaqë bota e vogël e qytetit lindor çuditej se si mund të dashurojë një mashkull si Jovani atë vajzë. Nuk e quanin shëmtirë, mbase e mendonin ashtu, por kur e shihnin në krah të Jovanit duke folur e qeshur e kur të dy zhyteshin te sytë e njëri-tjetrit banorëve u ikte zari, u lëvizte petlla nga vendi. E tamam atë çast ua nisnin hamendjeve.

-Do ta ketë babain të pasur kjo Erisa!

Po nuk qëndronte fare si argument. Babai i saj qe një pensionist i thjeshtë e bashkë me gruan jetonin në një banesë as 50 metër katrorë. Një dhomë e një kuzhinë. Atje u rrit Erisa, atje dhe Berti, vëllai i Erisës që tani jetonte e punonte në Athinë.

-I ka bërë magji Jovanit, - flisnin ata që kishin moshën 60 vjeç e sipër.

Më tej nisnin budallallëqet.

-Ore, po mbase Jovani ka vrarë dikë dikur dhe dëshmitare aty ka qenë rastësisht Erisa. Martohu me mua që të mos tregoj, i ka thënë ajo. E Jovani është dorëzuar.

Kështu mot pas moti. Që kur ishin të dashuruar e më pas, kur u martuan. U shumuan llafet në vitin kur Erisa ishte shtatzënë. Normal që barku i rritur e pesha e shtuar e kthyen atë në një top të madh që lëviz. Më saktë që rrokulliset. Kur ajo lindi djalë që pa dalë ende nga materniteti u sul njerëzia drejt nënës së Erisës me pyetjen:

-Kujt i ngjan, moj?

-Jovanit. Tëpkë i ati, - dha sihariqin ajo.

Qyteti sikur mori frymë lirisht. Do qe gjëmë po t’i ngjante Erisës, thoshin plot muhabetaxhinj. Po pse do të qe gjëmë nuk pyetej se të shihin gjindja me çudi. Ngaqë në bisedat e ditës marrëdhënia mes çiftit ishte debati më i zjarrtë në qytet, madje zinte vendin e dytë edhe kampionati evropian i futbollit, disa syresh morën poza filozofi.

-O po s’pyet dashuria për pamje. Është punë kimie dhe pikë. Dy njerëz i afron aroma, i këput ajo e shkreta. Ndaj thonë se të dashuruarit janë pak si të marrë.

-Jo, jo. Nuk është punë kimie. Është më e thellë, - shtonte kot një tjetër dhe biseda futej në hulli teorie.

Një ditë, tamam një mbasdite këtë verë kur zhegu atje nuk ndihej shumë, dëgjova ca shpjegime që m’u dukën të arsyeshme. Logjike pra. Kur i mendoj tani qesh se rashë edhe unë në ujërat e atyre bjerrakohësve. Por vërtet më bindën.

-Dashuria është si puna e gishtërinjve të duarve, - tha dikush.

Njerëzit pranë tij po shihnin duart atë çast, por ai e cyti më tej.

- Ne e dimë dhe është shkencore që askush nuk i ka shenjat e gishtave njësoj. Jemi 8 miliardë njerëz në glob e qoftë dhe dy nuk ngjajnë. Janë të veçantë. Andaj mos u përpiqni të gjeni shpjegim. Jovani dhe Erisa janë si gishtat. Nuk thua dot pse kanë ato shenja. Se kështu lindën. Kaq.

Në fakt u vendos një heshtje, por ca çaste. Se shpejt doli përfundimi tjetër.

-Eh, gruaja e bukur është si të jetosh mes një filmi pambarim. Jovani është i privuar nga kjo.

Nuk u mor vesh kush e tha, por ia rrëzuan shpejt.

-Po dhe gruaja e mençur, (qe fjala për Erisën) është si të jetosh mes një biblioteke plot me libra e Jovani është i fituar në këtë rast.

Atje u pre filmi, thuhet në zhargonin e muhabetit. Njerëzit ndërkohë po përtypnin atë çfarë u tha. Më tej dëgjova një argument që besova se qe fija e fortë që lidh Jovanin me Erisën.

-E dini ju që luledielli gjithë ditën e kthen surratin e vet nga dielli? E ndjek atë mo, nuk i ndahet çast pas çasti?

Kësaj pyetje i thanë po të gjithë.

-Po kur s’ka diell? Po kur bie shi? Po kur qielli mbushet me re? Hë, ç’ndodh?

Këtu të gjithë ngecën. Nuk folën.

-Në këto raste luledielli e kthen fytyrën nga bima pranë, te ajo që ka ngjitur, nga luledielli në krah pra. Dhe kështu rrinë e shohin njëra-tjetrën si me qenë diell i njëra-tjetrës. Se ato nuk e dinë që dielli është fshehur atë ditë. E dinë që ai ka ndërruar vend. Marrin dhe japin energji, edhe ushqim ngaqë pandehin se dielli është ulur aty, rri ngjitur përballë te kulaçi rrumbullak me fara plot.

Ky shpjegim qe një njohuri e re thuajse për të gjithë, por edhe një zgjidhje e rebusit të çiftit të përgojuar. Që atë çast dyshen Erisa-Jovan po e shihja fiks si dy bimë luledielli mbushur me prodhim. Që secili i gëzohej diellit karshi. Diellit të jetës. Dhe në hallet e problemet e ditës, kur drita errësohej e retë donin t’ua mbulonin lumturinë, ata vrik kthenin fytyrat, zemrat, sytë drejt njëri-tjetrit. Se në lumturinë e tyre prej kohësh kishte zënë vend dhe jetësohej fare pa password motivi drithërues;

-Ti je dielli im, Erisa!

-Ti je dielli im, Jovan!

Ca kohë sikur u mbyll ky muhabet. Triumfoi luledielli dhe dielli. Por ca kohë se më pas do nisë sërish përgojimi. Jo për çiftin që fola, por për diçka që do mblidhte një tufë muhabetçinjsh te kafja që do grinden p.sh. pse shumica e shoferëve që drejtojnë “Benz”-a të zinj janë tullacë. Njerëzimi kështu ka ecur. Prej marrëzive ai gjithnjë e ka pësuar, por ama edhe ka mësuar.





Lajmet e fundit nga