web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Varësia e turpshme e Gjermanisë nga autokratët si Vladimir Putin dhe Xi Jinping

10 Prill 2023, 14:24, Kosova & Bota Daniel Johnson
Varësia e turpshme e Gjermanisë nga autokratët si Vladimir Putin
Foto ilustruese

Gjatë 75 viteve të fundit, gjermanët e kanë rindërtuar Europën sipas imazhit të tyre. Me politikën e koalicioneve, ekonominë tregtare, ideologjinë ambientaliste dhe kulturën e zgjuar, BE-ja është sot në shumë aspekte një Republikë Federale në një format gjigant.

Atëherë, si ka mundësi që Gjermania, të cilës i pëlqen të promovojë vlerat e saj liberale dhe virtytet europiane, është ende peng i një lidhje të fortë toksike me autokratët rusë dhe kinezë? Pritja në Berlin për Mbretin e Britanisë së Madhe Çarls dhe Mbretëreshën Kamila në fillim të këtij muaji, ishte vërtet e ngrohtë.

Gjermanët e admirojnë monarkinë britanike, dhe shumica e tyre do ta mirëprisnin fundin e sjelljes hakmarrëse të BE-së ndaj Britanisë së Madhe që pas fundit të Brexit. Deputetët gjermanë e vlerësuan fjalimin e mbretit në Bundestag dhe duartrokitën kur ai tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kishin treguar së bashku një “udhëheqje jetike” në lidhje me Ukrainën.

Por realiteti në Berlin është më i zymtë. Në Ukrainë, presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmajer, shihej si aq prorus, saqë një vit më parë iu tha se ishte "non grata" (6 muaj më vonë shkoi në Kiev). Megjithatë, shembulli i tij nuk është i vetmi.

Ndërsa lufta më e përgjakshme në Europë që nga viti 1945 vazhdon në Ukrainë, ekonomia më e madhe e kontinentit mbetet e pavullnetshme për t’u përballur me kërcënimin e dyfishtë që vjen nga Rusia e Putinit dhe Kina e Xi Jinping. Pavarësisht natyrës gjenocidale të kësaj lufte, Rusofilia është ende një fakt real në Gjermani.

Mbështetja publike për luftën e Ukrainës për mbijetesë po bie: gjysma e vendit nuk e mbështet më dërgimin e armëve, dhe 4 nga 5 gjermanë mendojnë se është më e rëndësishme që lufta të përfundojë shpejt, sesa që Ukraina ta fitojë atë. Tregtia gjermane me Rusinë gati u përgjysmua në vëllim gjatë vitit 2022.

Por vlera e importeve u rrit me 6.5 për qind. Kjo do të thotë se vetëm vitin e kaluar, Gjermania kontribuoi me më shumë se 30 miliardë paund në makinerinë ruse të luftës. Me gjithë fjalët e tij të guximshme për një Zeitenwende  - një ndryshim epokal - kancelari Olaf Sholc ka dështuar të ofrojë një përgjigje të fortë ndaj agresionit rus.

Këtë vit, ashtu si vitin e kaluar dhe ndoshta edhe vitin e ardhshëm, shpenzimet gjermane për mbrojtjen do të jenë nën minimumin e kërkuar prej NATO-s, 2 për qind të PBB-së. Nën presionin e Uashingtonit dhe Londrës, ministri i ri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka dërguar në Kiev një numër të vogël tankesh “Leopard 2”.

Ai ka bindur partnerët e tij të koalicionit të miratojnë objektivin prej 2 për qind. Por po vepron shumë ngadalë për ripërtëritjen e ushtrisë gjermane. Edhe pse Gjermania mbetet tërësisht e varur nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e saj, antiamerikanizmi në vend është rritur.

Ekstremet e së majtës dhe së djathtës po luajnë me frikën popullore nga zhytja në një luftë direkte kundër Rusisë. E kudondodhur në media, demagoga neostaliniste Sara Vagenneht ka bërë bujë me “Manifestin e saj për Paqe”, duke kërkuar ndalimin e dërgesave të armëve në Ukrainë, fundin e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe nisjen e bisedimeve me Putinin.

Nëse Sholc po u reziston deri tani kërkesave të Vagenneht dhe korit të “idiotëve të dobishëm” të Rusisë, kancelari gjerman është shumë i gatshëm t’i dorëzohet joshjes ndaj Pekinit. Nëntorin e vitit të kaluar, Sholc udhëhoqi vizitën e një delegacioni të madh biznesi në Kinë.

Ai ishte udhëheqësi i parë perëndimor që takoi Xi Jinping që kur OKB-ja dënoi persekutimin gjenocidal të ujgurëve në rajonin e Xinjiang. Megjithatë, gjatë takimit dypalësh, ai mezi e ngriti këtë ose tema të tjera të sikletshme, si Tajvani dhe Hong Kongu. Në vend të kësaj, Sholc iu lut presidentit kinez që t’i kërkojë Kremlinit t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Por në samitin midis Xi me Putinit muajin e kaluar, u bë e qartë se Kina do të vazhdojë të ketë një mbështetje të heshtur për agresionin rus. Autokratë si Xi nuk marrin udhëzime nga “tregtarë” si Sholc. Të enjten e kaluar, në Pekin shkoi Emanuel Makron. Presidenti francez e siguroi Xi se Franca, ashtu si Gjermania, nuk ka ndërmend të “shkëputet” nga Kina.

Këtë javë, Kinën do e vizitojë Ministrja e Jashtme gjermane. Nga këndvështrimi kinez, këto vizita të nivelit të lartë, vetëm sa do të theksojnë faktin se Xi nuk ka paguar asnjë kosto ekonomike dhe as diplomatike për brutalitetin e tij. Nëse Kina do të vinte në jetë kërcënimin e saj për të pushtuar Tajvanin, ajo me siguri që nuk do të kishte shumë frikë nga një Europë ku vendimet diktohen nga Berlini.

Por pse Gjermania ka ende një marrëdhënie kaq toksike me autokracinë kineze? Përgjigjja e shkurtër është: sepse ky ishte çmimi i ribashkimit të vendit. Kjo pyetje mund të tingëllojë si provokuese, madje fyese, duke pasur parasysh të dhënat pozitive të Republikës Federale në mbështetje të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Përveç grupeve neonaziste në skajet e shoqërisë, në vend nuk ka ndonjë nostalgji të madhe për Rajhun e Tretë. Por shumë ish-gjermano-lindorë mendojnë se janë qytetarë të dorës të dytë, dhe disa dëshirojnë siguritë e dikurshme që ua ofronte epoka komuniste. Dominimi ushtarak, politik dhe kulturor rus është për ta një kujtim ende i freskët.

Për ta, pushtimi sovjetik përfundoi vetëm një brez më parë. Fakti që Republika Federale ishte në gjendje ta përthithte Gjermaninë Lindore pa dhunë, u pa si një mrekulli, e mundësuar nga ngurrimi i Mikail Gorbaçov për të përdorur forcën ushtarake. Kjo u shoqërua me Ostpolitikën katastrofike të Gerhard Shrëderit dhe Angela Merkelit, e cila e la Gjermaninë të varur nga energjia ruse dhe praktikisht të pambrojtur.

Libri i ri i historianes gjermane Katja Hojer mbi Republikën Demokratike Gjermane, Përtej Murit, shpjegon se Stalini nuk donte një Gjermani të ndarë, por një Gjermani neutrale dhe të çmilitarizuar. Lufta e Ftohtë ndodhi sepse Perëndimi nuk kënaqej me neutralitetin gjerman.

Muri i Berlinit, manifestimi i dukshëm i asaj lufte, ra sapo rusët hoqën dorë nga ambiciet e Stalinit, duke e pranuar se Gjermania dhe bashkë me të Europa Qendrore, do t’i përkisnin Perëndimit. Por disa rusë nuk janë pajtuar kurrë me humbjen e Ukrainës. Në dallim nga gjermanët, polakët e dinë se çfarë rrezikohet atje.

Një shekull më parë, Marshalli Pilsudski tha: “Pa një Ukrainë të pavarur, nuk mund të ketë një Poloni të pavarur!” Presidenti ukrainas Zelenski vizitoi Britaninë vitin e kaluar dhe Poloninë javën e kaluar, por nuk e ka vizituar ende Gjermaninë. Nëse dhe kur ta bëjë, ai do t’u kujtojë me siguri gjermanëve se Putini ka ringjallur edhe një herë Murin e Berlinit në Ukrainë.

Megjithatë, ka shumë gjermanë që mendojnë se Zelenski duhet të arrijë një marrëveshje me Putinin, edhe nëse kjo do t’i linte rusët në zotërimin e pjesëve të mëdha të vendit të tij. Ata mendojnë se kjo është ajo që duroi për 40 vjet edhe Gjermania. Të metat në heqjen e paraleleve të tilla mund të jenë të dukshme, por kujtimet e një të kaluare traumatike mund të jenë shumë selektive.

Pasi pushtoi dhe shkatërroi Europën, derisa u detyrua t’i nënshtrohej dorëzimit të pakushtëzuar, Gjermania nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte ndarjen e territorit dhe popullit të saj. Ndërkohë ukrainasit po luftojnë për vetëmbrojtje, jo kundër, por me mbështetjen e Perëndimit.

Prandaj Ukraina ka ende një mundësi zgjedhjeje. Ajo që Berlini e sheh një biznes si zakonisht, duket nga Moska ose Pekini më shumë si pranimi i butë i qasjes autoritare, e përcaktuar kështu nga historiani i lashtë grek Tukididi: “E drejta u takon vetëm atyre që janë të barabartë në pushtetin që kanë. Ndërsa të fortët bëjnë atë që munden, të dobëtit vuajnë atë që duhet”.

Sholc lë të kuptohet se Gjermania nuk ka luksin të pengojë Rusinë në synimet e saj. Megjithatë, vendi që ai drejton ngriti taksat në një rekord prej 1 trilion euro vitin e kaluar. Polonia, me një ekonomi sa një e gjashta e asaj të Gjermanisë, ka tani një ushtri më të madhe dhe më të mirëpajisur.

Ka ardhur koha që Scholc t’i japë fund marrëdhënies toksike të Gjermanisë me autokracinë. Në vend se të mashtrojë veten se varësia nga Kina do të ketë një fund më të mirë sesa mbështetja tek energjia ruse, ai duhet të paktën të dyfishojë fondin e tij prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e ushtrisë gjermane. Dhe Sholc mund të forcojë realisht besueshmërinë e tij si një udhëheqës, duke e shndërruar Gjermaninë në arsenalin e demokracisë europiane./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga