LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Skandali me dokumentet sekrete/ Kush po e saboton presidentin e SHBA-së?

29 Janar 2023, 08:31, Kosova & Bota CNA

Skandali me dokumentet sekrete/ Kush po e saboton presidentin e SHBA-së?

Pyetja më intriguese këto ditë në SHBA është kjo: Kush do ta sabotonte garën e Xho Bajden për një mandat të dytë si president? Ose më konkretisht: Kush ia tregoi historinë e dokumenteve të klasifikuara televizionit "CBS News"?

Mos harroni se ishte CBS dhe jo Shtëpia e Bardhë, e cila njoftoi më 9 janar se Prokurori i Përgjithshëm Merrik Garland kishte deleguar prokurorin e Çikagos të shqyrtonte dokumentet sekrete të gjetura në zyrën e vjetër të presidentit në “Penn Biden Center” në Uashington, dhe se në këtë çështje ishte përfshirë edhe FBI-ja.

"CBS" raportoi se zbulimi i dokumenteve të klasifikuara ndodhi më 2 nëntor të vitit të kaluar, pak ditë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit dhe citoi, por nuk identifikoi dy burime që i treguan për hetimin që ka nisur. Detajet e ofruara nga ato burime ishin të paqarta, sepse nuk mund të identifikonin temat e dokumenteve të gjetura apo nivelin e tyre të klasifikimit.

Ajo që ata zbuluan është se materialet mbaheshin në një dollap të mbyllur, një detaj ky në favor të mbrojtjes së presidentit, duke i dhënë atij mundësinë të pretendojë se gjithsesi dokumentet ishin të sigurta nga sytë e kureshtarëve. Cilido që qëndronte pas daljes së këtij informacioni ka dashur që ta “plagosë” presidentin, por jo për vdekje.

A ndodhi kjo rrjedhje informacioni nga njerëz brenda Departamentit të Drejtësisë, të neveritur nga fakti që shkelja ligjore e presidentit Bajden po trajtohej me shumë delikatesë, ndërsa rezidenca e Donald Trump ishte kthyer përmbys nga një bastisje e FBI-së?

Skandali me dokumentet sekrete/ Kush po e saboton presidentin e SHBA-së?

Apo sinjalizuesit ishin pjesëtarë të FBI-së, të irrituar nga ritmi i ngadaltë i hetimit të agjencisë së tyre mbi materialet kompromentuese të gjetura në laptopin personal të djalit të presidentit, Hanter Bajden, një hetim që mund të sjellë rreziqe për sigurinë kombëtare dhe mund të çojë në një nismë për shkarkimin e presidentit?

Kjo nuk ka shumë gjasa, sepse nëse informacioni do të kishte ardhur nga organizatat e përfshira ose në fillimin e hetimit ose në hetimin që po vijon, ata do të kishin më shumë të dhëna për materialet e gjetura në dollap. Një teori alternative është se ka qenë dikush brenda Shtëpisë së Bardhë, që donte largimin e Xho Bajden nga gara presidenciale e vitit 2024.

Tek e fundit, Bajden ishte në prag të njoftimit zyrtar se do të kandidonte për një mandat të dytë. I nxitur nga rezultatet befasisht të favorshme gjatë zgjedhjeve të mesit të mandatit dhe një rritje e mëvonshme në sondazhe, presidenti po ndihej më i fuqishëm se më parë. Ai ishte i gatshëm të sfidonte sërish republikanët e MAGA (Make America Great Again), siç i quan ai, dhe të pretendonte një mandat të dytë.

Por të tjerë në partinë e tij mund të mos ishin dhe aq optimistë. Ata e dinin se paraqitja e dobët e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit 2022 i detyrohej pjesërisht për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë “Roe vs Wade”, që motivoi shumë votuesit e së majtës, por edhe sepse Donald Trump mbështeti disa kandidatë të dobët.

Në prag të zgjedhjeve të nëntorit, shumë demokratë zgjodhën të mos bënin fushatë me presidentin Bajden. Disa e panë të përshtatshme të lëviznin jashtë qytetit kur ai shfaqej në shtetet e tyre. Ata e dinin se ai nuk ishte votues. Por më pas situata për Bajden u përmirësua. Ai mori meritat për sukseset relative në ato zgjedhje - demokratët mbajtën shumicën në Senat dhe e humbën për pak mandate shumicën në Kongres.

Për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike në Kinë dhe pakësimit të pamatur nga Bajden të Rezervës Strategjike të Naftës së vendit tonë, çmimet e naftës dhe benzinës ranë ndjeshëm, duke sjellë edhe rënien e inflacionit. Recesioni ekonomik i pritshëm, që ka të ngjarë të vijë nga rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale, nuk ka ndodhur ende.

Skandali me dokumentet sekrete/ Kush po e saboton presidentin e SHBA-së?

Pra javët e fundit, Bajden shijoi lajme relativisht në favor të tij dhe dukej gati të shfrytëzonte rastin për të rishpallur kandidaturën e tij. Sondazhet për të u përmirësuan nga katastrofike në të mjerueshme. Në këtë drejtim e ka ndihmuar edhe ecuria e bursave, që kanë fituar terren javët e fundit të vitit 2022.

Por sondazhet ishin në përgjithësi të qarta: 70 për qind e amerikanëve, përfshirë 57 për qind të demokratëve, nuk duan që Bajden të garojë për një mandat të dytë. Madje ata nuk duan as rikandidimin e Donald Trump. SHBA-ja është gati që të shohë përpara, drejt një brezi të ri udhëheqësish.

Por Xho Bajden nuk dëshiron të hapë rrugë. Ai është dukshëm i bezdisur që zhurma e skandalit me dokumentet sekrete po ia zbeh shkëlqimin që fitoi disi në zgjedhjet e mesit të mandatit, duke i thënë një gazetari javën e kaluar se “nuk është penduar” për çështjen e dokumenteve sekrete dhe se në to “nuk ka asgjë më rëndësi”.

Të tjerët, përfshirë shumë njerëz në partinë e tij, e shohin ndryshe këtë çështje. Shumë ligjvënës demokratë kanë bërë thirrje për një hetim të plotë të shkeljes së ligjit me mbajtjen privatisht të dokumenteve sekrete. Dhe kritikat po shtohen çdo ditë e më shumë. Senatorët Dik Darbin, Tim Kejn, Xho Mançin dhe Debi Stejbnau, janë ndër ata që e kanë qortuar presidentin për keqpërdorimin e dokumenteve sekrete.

Gjatë fundjavës së kaluar, edhe aleatja e tij e fortë, ish-kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, refuzoi që t’i jepte Bajdenit dritën jeshile për të kandiduar sërish, duke deklaruar në një intervistë televizive se vendimi për këtë çështje i takon presidentit, gjë që vështirë se përbën një mbështetje të fortë.

E pyetur nga gazetarja e “New York Times” nëse “mosha e madhe është një faktor pozitiv për të?”, ish-kryetarja e Kongresit e pranoi që nuk ishte, edhe pse më pas e zbuti deklaratën duke shtuar se mosha është “diçka relative”. Vetë Nensi, 82 vjeçe, e di se çfarë është duke thënë.

Skandali me dokumentet sekrete, ka shkaktuar një rënie tjetër në sondazhe për Bajden. Keqpërdorimi i kësaj situate, ka bërë që administrata e tij të duket e paaftë në sytë e publikut. Duke pasur parasysh një perspektivë ekonomike në përkeqësim, me shpenzimet e prodhimit, strehimit dhe shitjes me pakicë që janë në rënie sidomos në shtetet jugore, është e vështirë të shihet që mbështetja për presidentin do të përmirësohet së shpejti.

Ndërkohë, shumë demokratë janë në radhë për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2024. Gevin Njuzëm, J.B.Pricker, Kamala Herris, Pit Batigig dhe të tjerë shpresojnë që Bajden të mos synojë një mandat të dytë. Për të gjithë ata që duan të garojnë, skandali me dokumentet sekrete nuk mund të kishte ndodhur në një kohë më të mirë.

Në rast se Biden do të kishte shpallur rikandidimin, ata do të ishin frenuar nga frika se sfidimi i presidentit në zgjedhjet brenda partisë do të distanconte sidomos votuesit zezakë që janë besnikë ndaj Xho Bajden, pa të cilët asnjë demokrat nuk ka shanse të fitojë.

Nëse Bajden njofton se nuk do të kandidojë, të gjithë ata e kanë fushën e lirë. Gjithsesi, kush e zbuloi sekretin e presidentit? Nuk e dimë, por demokratët kudo që ndodhen duhet të gëzohen, dhe jo më pak ata që janë të etur të zënë vendin e Xho Bajdenit.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga