web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si shpëtoi Google miliona njerëz nga tërmetet në Venezuelë/ Teknologjia funksionoi aty ku shteti nuk kishte asnjë mënyrë

27 Qershor 2026, 21:57, Kosova & Bota CNA

Si shpëtoi Google miliona njerëz nga tërmetet në

Venezuela po përballet me pasojat tragjike të dy tërmeteve të fuqishëm me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, të cilët kanë shkaktuar qindra viktima, ndërsa autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve do të rritet, pasi shumë persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Ndryshe nga vende si Japonia, Meksika, Kanadaja apo Shtetet e Bashkuara, Venezuela nuk disponon një sistem shtetëror për paralajmërimin e hershëm të tërmeteve. Në këtë situatë, një rol vendimtar luajti sistemi Earthquake Alerts i Google, i cili funksionon përmes miliona telefonave Android.

Ky sistem përdor sensorët e lëvizjes (akselerometrat) të integruar në telefonat Android për të identifikuar valët e para sizmike (P-waves). Kur shumë pajisje regjistrojnë të njëjtin fenomen, të dhënat dërgohen në serverët e Google, ku analizohen dhe konfirmohet nëse bëhet fjalë për një tërmet. Më pas, përdoruesit marrin njoftime paralajmëruese disa sekonda ose edhe deri në dy minuta përpara mbërritjes së lëkundjeve më të forta.

Sipas Google, gjatë tërmeteve në Venezuelë u dërguan paralajmërime për rreth 11.4 milionë njerëz, ndërsa afro 1.4 milionë prej tyre morën njoftimin më urgjent, të quajtur "Take Action", që i këshillonte të merrnin menjëherë masa mbrojtëse.

Dy tërmetet ndodhën me një interval shumë të shkurtër kohor, duke bërë që sistemi t'i trajtonte si një ngjarje të vetme sizmike dhe të zgjeronte gradualisht zonën e paralajmërimit, ndërsa përditësonte vlerësimin për magnitudën dhe intensitetin e lëkundjeve.

Ekspertët theksojnë se efektiviteti i sistemeve të tilla varet edhe nga largësia nga epiqendra. Personat që ndodhen më larg kanë më shumë kohë për të reaguar, ndërsa ata pranë epiqendrës mund ta marrin njoftimin vetëm pak çaste para ose gjatë fillimit të lëkundjeve. Megjithatë, edhe disa sekonda mund të jenë vendimtare për të shpëtuar jetë.

Rasti i Venezuelës tregon se teknologjia e kompanive private mund të zëvendësojë përkohësisht mungesën e infrastrukturës shtetërore në vendet që nuk kanë sisteme moderne paralajmëruese.

Megjithatë, specialistët theksojnë se teknologjia nuk mjafton. Për të reduktuar humbjet në jetë njerëzish, paralajmërimet duhet të shoqërohen me edukim publik dhe informim të vazhdueshëm, në mënyrë që qytetarët të dinë si të reagojnë në momentet kritike. /CNA





Lajmet e fundit nga