web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe marshimi i gjatë drejt BE-së

15 Gusht 2023, 08:13, Kosova & Bota Devin Haas
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe marshimi i gjatë drejt BE-së
Foto ilustruese

Tërheqja e një partie etnike shqiptare nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, mund ta lejojë më në fund vendin ballkanik që të njohë zyrtarisht ekzistencën e një pakicë bullgare në kushtetutën e saj. Dhe kjo mund t’i japë fund mosmarrëveshjes së Shkupit me Sofjen dhe ta lejojë si Maqedoninë e Veriut ashtu edhe Shqipërisë të vazhdojnë marshimin e tyre të gjatë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rruga e Maqedonisë së Veriut për t’iu bashkuar institucioneve ndërkombëtare ka qenë prej kohësh e vështirë, për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj për gjuhën dhe emrin e saj. Për shkak të emërtimit si “Republika e Maqedonisë” - ose ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) tek organizatat ndërkombëtare - Greqia kundërshtoi anëtarësimin e saj në NATO dhe Bashkimin Evropian, derisa ajo të shtonte përcaktorin gjeografik “Veri” në emrin e saj. 

Greqia ka një rajon shumë pranë të quajtur “Maqedoni”, dhe një popullsi grekësh etnikë të cilët gjithashtu identifikohen si ‘maqedonas’. Vetëm pas 2 dekadash ndërmjetësimi nga ana e Kombeve të Bashkuara, të dyja vendet ranë dakord t’i japin fund mosmarrëveshjes së tyre me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018.

IRJM u bë “Maqedonia e Veriut”, dhe nga ana tjetër Greqia e lejoi atë të bëhej anëtari i 30-të i NATO-s në fillim të vitit 2020 dhe të fillonte procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE që nga viti 2005.

Por pikërisht kur u duk se kishte hequr pengesën e saj të fundit për të filluar negociatat e anëtarësimit, qeveria bullgare paraqiti një listë të gjatë kërkesash për Shkupin. “Bullgaria nuk do të lejojë që integrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, të shoqërohet me legjitimimin evropian të një ideologjie anti-bullgare”-thuhet ndër të tjera në kërkesat e Sofies.

Në fundin e vitit 2020, Bullgaria shpërndau një dokument tek shtetet e tjera anëtare të BE-së, duke e shpjeguar refuzimin e saj për të avancuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ndër të tjera shprehej se nuk mund të “pranojë që procesi ende në vazhdim i ndërtimit të kombit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të kryhet përmes rishikimit të historisë sonë të përbashkët, mohimit të rrënjëve tona të përbashkëta etnike dhe gjuhësore apo pretendimet e pabaza për ekzistencën e një “minoriteti maqedonas” në Bullgari”. 

Pas disa raundeve negociatash dypalëshe, dhe dështimit të një komisioni të përbashkët për çështjet historike dhe arsimore me ndërmjetësimin e BE-së, Franca propozoi në qershor 2022 një zgjidhje kompromisi:Bullgaria do të zhbllokonte pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE, nëse ndryshohej kushtetuta e Maqedonisë së Veriut për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e një minoriteti etnik bullgar.

Si Shkupi ashtu edhe Sofja ranë dakord për marrëveshjen, por asaj i mungonte mbështetja parlamentare e nevojshme për të ndryshuar në fakt kushtetutën maqedonase. Kjo deri javën e kaluar.

Mosmarrëveshja me Bullgarinë 

Shumë nacionalistë bullgarë e shohin Maqedoninë e Veriut si “Bullgarinë Perëndimore”, një pjesë e Bullgarisë e ngjashme me mënyrën se si nacionalistët serbë pretendojnë Kosovën dhe nacionalistët hungarezë pretendojnë Transilvaninë. Për ta forcuar këtë pozicion, ata vënë në dukje shkallën e lartë të kuptueshmërisë së ndërsjellë midis gjuhëve maqedonase dhe bullgare. 

Në fakt, maqedonishtja është një gjuhë reciprokisht e kuptueshme me varietetet e serbo-kroatishtes, sepse të gjitha janë gjuhët e sllavëve të jugut, të cilat ekzistojnë në një vazhdimësi dialektesh. Pra dallimet ndërmjet varieteteve gjuhësore grumbullohen në distancë gjeografike, ndaj varietetet e ndara gjerësisht janë më pak të kuptueshme reciproke sesa varieteteve fqinje. 

Linjat ndarëse midis gjuhëve, ishin më pak të përcaktuara përpara ngritjes së shtetit-komb si model politik në shekullin XX. Në pjesën më të madhe të historisë së Ballkanit - sidomos gjatë sundimit austro-hungarez dhe osman - shumë njerëz ishin poliglotë, pra flisnin shumë gjuhë dhe nuk e shihnin etninë në termat reciprokisht ekskluzivë që janë sot të zakonshme. Në “gjuhën maqedonase” ekzistojnë 29 dialekte, dhe një diversitet i konsiderueshëm është i pranishëm edhe me “bullgarishten”. Megjithatë, kjo nuancë u ka shpëtuar politikanëve nacionalistë në të dy vendet.

Por pas vitesh ngërçi mes nacionalistëve maqedonas dhe bullgarë, hapi zhbllokues për këtë çështje, ka ardhur si për ironi nga partia më e madhe që përfaqëson pakicën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). 

Faktori shqiptar

“Të ndërgjegjshëm për shpresat, synimet dhe ëndrrat e qytetarëve që një ditë të bëhemi pjesë e familjes së madhe evropiane, ne, ministra dhe qeveritarë nga radhët e BDI-së, japim dorëheqje nga funksionet që i kryejmë aktualisht”- thuhet në njoftimin e BDI- së në një letër drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski fundjavës që kaloi.

Në të theksohej se “dorëheqjet do të hyjnë automatikisht në fuqi në momentin që opozita voton ndryshimet kushtetuese”. Amendamentet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut kërkojnë mbështetjen e 2/3 të tretave të parlamentit.

Partia kryesore opozitare, nacionaliste VMRO-DPMNE, i tha qeverisë se mbështetja e saj për amendamentin që njeh një pakicë etnolinguistike bullgare kushtëzohej me daljen e BDI-së nga qeveria, formimin e një koalicioni të ri qeveritar, duke përfshirë partitë opozitare dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të reja të parakohshme. 

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, është i lidhur me atë të Maqedonisë së Veriut, ndaj vetoja e Greqisë dhe Bullgarisë e ka penguar ecjen përpara të Procesit të Berlinit. Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kanë qenë gjithnjë e më të zëshëm në shprehjen e padurimit të tyre me këtë proces të ngecur në vend. 

“Përveç mesazheve politike që vijnë nga ky proces, ne si rajon kemi nevojë për përfitime të shpejta, konkrete, të cilat do të rrisin potencialin ekonomik të rajonit dhe do të ngushtojnë  hendekun midis vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht në rajoni i Evropës Juglindore”- deklaroi Kovaçevski në një takim në fund të muajit korrik me kryeministrin shqiptar Edi Rama. 

“Sot është e qartë se BE-ja ka nevojë për ne, po aq sa ne kemi nevojë për BE-në”- deklaroi Rama. Tani po i hapet më në fund rruga VMRO-DPMNE-së për t’iu bashkuar partive të tjera në parlamentin e Shkupit në votimin pro amendamentit kushtetues. Pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, do të jenë në gjendje të fillojnë marshimin e tyre të gjatë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga