Protesta pro-palestineze në Londër/ Arrestohet aktivistja Greta Thunberg
Policia britanike ka arrestuar sot aktivisten suedeze, Gre...

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, liria, paqja, siguria dhe një perspektivë më e mirë për të rinjtë... Këto janë pritjet e disa pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Disa prej tyre, megjithatë, shprehin mosbesim ndaj politikanëve, të cilët, siç thonë, gjithmonë premtojnë shumë gjatë fushatave parazgjedhore. Zgjedhjet mbahen pasi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk arriti të siguronte mbështetjen e partive të tjera parlamentare për formimin e Qeverisë së re.
Kosova, po ashtu, u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike për disa muaj, për shkak të pamundësisë për të konstituuar Kuvendin, si pasojë e mosmarrëveshjeve mes partive shqiptare.
Për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjit apo Rregullores së Kuvendit, partitë, në disa raste, iu drejtuan edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës - mes tjerash edhe për çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese e mori një vendim në favor të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit - duke vlerësuar se Kuvendi nuk është i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Megjithatë, ende pritet përgjigjja nëse zgjedhja e Nenad Rashiçit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ishte legjitime. Në zgjedhjet e shkurtit, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një mandat i shkoi Rashiçit.
Subjektet politike serbe që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, janë: Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Aleanca Kosovare - parti e formuar në qershor të këtij viti me mbështetjen e deputetit në Kuvendin e Serbisë, Zharko Ristiç. Analistët politikë kanë vlerësuar më herët për Radion Evropa e Lirë se, në mungesë të konkurrencës së fortë, fitorja absolute e Listës Serbe është pothuajse e sigurt.
Prioritetet: Siguria në veri, çështjet ekonomike në jug
Sllavica nga Mitrovica e Veriut thotë se dëshirë e saj e vetme është “të jetë e sigurt në vendin e vet”.
“Të kemi diçka tonën, ta dimë se jemi këtu, sepse kështu nuk e dimë ku jemi”, thotë ajo, duke shtuar se interesat dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë mund të mbrohen vetëm përmes formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë asociacion është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim që t’u ofronte pjesëtarëve të komunitetit serb një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit. Por, marrëveshja për të nuk është zbatuar ende në praktikë.
Jellena, në anën tjetër, nuk pret asgjë, sepse, siç thotë, është dëshmuar se “askush nuk kujdeset për popullin”.
“Çfarë të pres? Asgjë. Për ne nuk ka shpresë”, thotë kjo banore e Mitrovicës së Veriut.
Ajo shton se e ka humbur besimin, pasi edhe më herët, para zgjedhjeve, janë premtuar shumë gjëra, ndërsa në terren ka ndodhur e kundërta.
Si shembull, Jellena përmend mbylljen e institucioneve të Serbisë, heqjen e targave serbe të automjeteve nga përdorimi, si dhe heqjen e dinarit serb. Lista Serbe, për tre vjet, i ka bojkotuar institucionet dhe proceset zgjedhore të Kosovës, pasi, paraprakisht, ka iniciuar daljen e serbëve nga institucionet, për shkak të insistimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e targave serbe.
Krizat kanë pasuar njëra-tjetrën, ndërsa situata ka kulmuar me sulmin e armatosur të një grupi serbësh në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, kurse në përleshjen e armatosur që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Dragolubi, gjithashtu nga Mitrovica e Veriut, pret që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të fillojë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pres që të jetë më mirë për serbët, që të mund t’i realizojmë të drejtat tona”, thotë ai.
Nga ana tjetër, Snezhana nga Graçanica - komunë me shumicë serbe afër Prishtinës - thotë se ka liri të lëvizjes dhe bashkëjetesë me komunitetin shumicë shqiptar, por se mungon perspektiva për të rinjtë.
“Askush nuk të ngacmon, por nuk ka perspektivë. Nuk më pëlqen ajo që ndodh kur vjen koha e votimit - premtojnë gjithçka, e pastaj asgjë”, thotë ajo.
Për Raden nga Graçanica, çelësi i mbijetesës së komunitetit serb në Kosovë është punësimi i të rinjve.
“Unë jam pensionist, por pres që së pari të punësohen të rinjtë. Së dyti, paqe dhe stabilitet. Shpresoj që të jetë mirë”, shprehet ai.
Çfarë thonë politikanët?
Lista Serbe, në një tubim parazgjedhor në Mitrovicë të Veriut, tha se po hyn në garë për të dhjetë vendet e garantuara parlamentare dhe se “do të mbrojë - në çdo moment - interesat e popullit serb dhe të çdo individi”.
Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiç, tha se, pas zgjedhjeve, nuk do të zhduken menjëherë të gjitha problemet e komunitetit serb, por se dhjetë deputetët do të luftojnë për të drejtat e tyre.
Ndërkohë, Komisariati për Refugjatë dhe Migrim i Republikës së Serbisë u bëri thirrje personave të zhvendosur nga Kosova që të votojnë në zgjedhjet e Kosovës, të caktuara për 28 dhjetor, duke theksuar se çdo votë është e rëndësishme “për qëndrimin dhe mbijetesën e popullit serb”.
Shteti i Serbisë, i cili i jep mbështetje Listës Serbe, është angazhuar edhe më herët për të organizuar votimin e personave të zhvendosur nga Kosova, si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ashtu edhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor dhe në nëntor.
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiçit - i cili ka qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti - premton një të ardhme më të mirë përmes projekteve dhe ndihmës së institucioneve të Kosovës.
Nga kjo parti, në fund të javës së kaluar, u bë e ditur se fokusi i fushatës do të jetë lufta “për të drejtat themelore të njeriut, mbrojtjen institucionale të popullit serb dhe lirinë e zgjedhjes pa shantazhe dhe presione”.
“Ne angazhohemi për drejtësi, jetë dinjitoze, zhvillim ekonomik dhe barazi për të gjithë qytetarët”, u tha në deklaratë.
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë shfaqi gjithashtu shpresën se qytetarët do të gjejnë forcën për t’iu rezistuar, siç tha, shantazheve dhe mashtrimeve të Listës Serbe, duke theksuar se ekziston një nevojë e madhe për ndryshime.
Lista Serbe, në anën tjetër, ka akuzuar Rashiqin dhe partinë e tij për “keqpërdorim të institucioneve të Kosovës dhe blerje votash”, duke pretenduar se, së bashku me ndarjen e subvencioneve nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, po shpërndahet edhe material zgjedhor.
Disa parti politike serbe kanë akuzuar më herët Listën Serbe për keqpërdorim të burimeve shtetërore të Serbisë gjatë fushatave parazgjedhore.
Lideri i Aleancës Kosovare, Goran Marinkoviç, tha më 22 dhjetor se, aktualisht, prioriteti kryesor është sigurimi i paqes në Kosovë, e më pas stabilizimi i ekonomisë, në mënyrë që qytetarët të kenë një ekzistencë të sigurt.
Nga Aleanca Kosovare u tha gjithashtu se problemi më i madh në veri të Kosovës është siguria dhe se, për këtë arsye, një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb janë shpërngulur. Kjo parti ka deklaruar më herët se ka tentuar të bisedojë për krijimin e një koalicioni më të gjerë të partive opozitare serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, por se këto përpjekje kanë përfunduar pa sukses.
Në zgjedhjet e së dielës, të drejtën e votës do të mund ta ushtrojnë mbi dy milionë shtetas të Kosovës. Në zgjedhje do të marrin pjesë 24 subjekte politike me gjithsej 1.180 kandidatë. /REL
Policia britanike ka arrestuar sot aktivisten suedeze, Gre...
Ekonomia amerikane u rrit me shpejtësi gjatë tre muajve de...
Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me ko...
Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përga...
Dy minatorë humbën jetën në një shpërthim metani në një mi...
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të ishte ...
Gjermania kreu sot deportimin e saj të parë në Siri në 10 ...
Një draft-raport i Pentagonit ka zbuluar se Kina ka të ngj...
Katër persona u plagosën, tre prej tyre në gjendje kritike...
Të paktën tre persona janë vrarë dhe shumë rajone ukrainas...
Papa Leo XIV mbajti fjalimin e parë për Krishtlindje drejt...
Pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania u përball me sf...
Një mega-aeroport i planifikuar prej kohësh i Polonisë do ...
Pas ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç në...
Ushtria amerikane ka bërë me dije se ka goditur një tjetër...
Presidenti francez Emmanuel Macron ka përcaktuar planet pë...
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shprehu optimiz...
Presidenti Donald Trump zbuloi të hënën klasin “Trump” të ...
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor të Uk...
SHBA-të po ndërpresin menjëherë kontratat e qirasë për pro...
Standardet e SPAK-ut, mënyra se si heton, si siguron prova...
Irfan Hysenbelliu, pretendon që është biznesmen i madh, nj...
Vrasja e efektivit Enea Mekolli në krye të detyrës ka nxje...
Rasti i radhës i transmetuar në emisionin “Stop”, këtë të ...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Policia Kufitare bllokoi mjetin lundrues dhe ndëshkoi drej...
Një operacion policor i koduar “Zonat” ka përfunduar me se...
Një shtetas 37-vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi p...
Një aksident rrugor është shënuar në aksin Fier–Levan, në ...
Më shumë se 860 milionë njerëz sëmuren dhe 1.5 milionë vde...
E ëma e Violand Braçellarit, autorit të ngjarjes së rëndë ...
Udhëtari modern eurropian kërkon një lidhje kuptimplotë me...
Këtë të diel, kushtet atmosferike parashikohen me kthjelli...
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargre...
Qytetarët e Kosovës votojnë sot për zgjedhjet e parakohshm...
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar rezu...
Megjithëse politika e shtetësisë është kompetencë e Serbis...
Korça është shndërruar këtë fundjavë në kryeqendrën e fest...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Dy vite pas ndarjes nga jeta, poeti i njohur korçar, Skënd...
Muzeu Etnografik i Beratit ka hapur dyert për vizitorët pa...
Industria automotive në Shqipëri ndodhet sot në një pikë k...
Nëse do të ndiqje hartën industriale të Ballkanit Perëndim...
Bordi i Transparencës në mbledhjen e ditës së sotme ka ven...
Këtë të shtunë një dollar amerikan blihet me 81.4 lekë dhe...