LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shqipëri, ngacmimet seksuale në vendin e punës të përhapura dhe pak të denoncuara

2024-03-04 20:32:00, Sociale CNA

Shqipëri, ngacmimet seksuale në vendin e punës të

Denoncimet për ngacmimet seksuale në vendin e punës në Shqipëri janë të ulëta, edhe pse fenomeni është i përhapur, sipas një studimi të organizatës Together for life në Shqipëri. Ato janë dy herë më të larta se në vendet europiane në dy vitet e fundit, sipas studimit. Parlamenti shqiptar ka ratifikuar Konventën për Dhunën dhe Ngacmimin të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, në shkurt të vitit 2022, por përfaqësues të shumicës qeverisëse thonë se institucionet duhet të propozojnë nisma ligjore në përputhje me këtë konventë. Një masë e rëndësishme për parandalimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës shihet edhe rritja e masës së dënimit në Kodin Penal.

“Nga përvoja ime personale, kam patur një afrim jo profesional nga ana e shefit, që u bë në formë ngacmimi me fjalë, me disa komplimente që nuk ishin të thjeshta. Ai donte të shprehte diçka më shumë. Sa vinte bëhej më konkret derisa një ditë më tha -sot do rrimë këtu në punë bashkë të pimë një shishe verë të festojmë- për diçka pa lidhje. Nuk kam mundësi të rri i thashë, do vazhdoj. U ndjeva shumë në siklet”- u shpreh Albana ( emër jo i vërtetë), që vendosi të ndajë me zërin e Amerikës përvojën e saj të ngacmimit seksual në punë.

Por eksperienca e Albanës nuk është një rast i veçuar.

Një studim i fundit i organizatës “Together for life”, mbi ngacmimet seksuale në vendin e punës ngre në një nivel të ri diskutimet mbi këtë fenomen të përhapur dhe pak të denoncuar në Shqipëri. Studimi shtrihet në sektorin publik dhe atë privat dhe përfshin si gratë ashtu dhe burrat. Sipas gjetjeve kryesore, afro 60% e të anketuarve mendojnë se ngacmimet seksuale në punë janë një shqetësim serioz. 11% e tyre thonë se në dy vitet e fundit kanë përjetuar një ngacmim seksual në vendin e punës, ndërsa 19% gjatë gjithë jetës, nga të cilët dy herë më shumë janë gra. Krahasuar me vendet europiane shifra është dy herë me e lartë në dy vitet e fundit. Një prej konstatimeve më shqetësuese të studimit në fjalë lidhet me nivelin e ulët të denoncimeve.

“Pavarësisht se fenomeni është i përhapur, denoncimi është në nivele të ulëta. 80% e personave punëmarrës, që kanë deklaruar se janë janë ngacmuar në vendin e punës nuk e kanë denoncuar fenomenin”- u shpreh për Zërin e Amerikës Alma Lahe, menaxhere projekti e organizatës Together for life.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, thotë se denoncimet në institucionin që drejton për këtë fenomen janë thuajse zero, ndërsa rendit disa arsye.

“Disa nga frikërat që lidhen me ngacmimet seksuale i referohet paragjykimeve të forta në shoqëri. Duhet kuptuar që gratë dhe vajzat, e kanë të vështirë të ekspozojnë sjellje të tilla për shkak të paragjykimit dhe stigmatizimit duke filluar që nga familja, shoqëria, puna, zona ku banojnë apo dhe frika nga ekspozimi në rrjete digjitale të situatës”- u shpreh për Zërin e Amerikës Robert Gajda, Komisioner për Mbrotjen nga Diskriminimi.

Edhe Albana (emër jo i vërtetë) në rrëfimin e saj për Zërin e Amerikës, tha se ishte ndeshur me këtë paragjykim, kur e kishte ndarë shqetësimin e ngacmimit seksual në punë, me njerëzit pranë saj.

“Të paragjykojnë duke të thënë “po ti i ke dhënë ndonjë shenjë atij, ka keqkuptuar ndonjë sjellje tënden. Sidomos kur je dhe vajzë e re të thonë se ndoshta e ke provokuar, je veshur në mënyrë provokuese. Janë shumë gjëra dhe varet se kë ke përballë për të të kuptuar”- vijoi Albana ( emër jo i vërtetë).

Studimi i “Together for life”, kur bëhet fjalë për ngacmimet seksuale ndaj djemve dhe burrave në punë, evidenton faktin se problemi është horizontal. Ata ngacmohen nga koleget ose kolegët, ndryshe nga vajzat që ngacmohen më së shumti nga eprorët e tyre.

Në Kodin Penal ngacmimet seksuale në punë nuk janë të specifikuara, por që prej vitit 2013, në tërësi ato përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burg nga 1 deri në 7 vjet. Zëri i Amerikës duke analizuar të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme konstatoi se kjo vepër penale në 5 vitet e fundit, mban peshën më të lartë të grupit prej 12 veprash të kualifikuara si krime seksuale, si për numrin e procedimeve penale dhe të të pandehurve, ashtu dhe për të atë të dënuarve nga gjykata.

Por ngacmimet seksuale, nuk janë një fenomen vetëm shqiptar. Disa vite më parë ato nxitën një lëvizje botërore, në rrjete sociale që nisi në SHBA, nën hashtagun “Me Too”. Fushata erdhi pas skandalit të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale të producentit të Hollivudit, Harvey Weinstein.

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) pas kësaj fushate në vitin 2019, miratoi një Konventë për Dhunën dhe Ngacmimin e cila në shkurt të vitit 2022 u ratifikua edhe në parlamentin shqiptar. Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj i tha Zëri të Amerikës, se ky dokument i rëndësishëm detyron institucionet të rishohin legjislacionin me qëllim për të forcuar mbrojtjen e punonjësve në vendin e punës. Ngacmimet seksuale, siç shprehet ajo shkaktojnë deri edhe dëme të pariparueshme, psikologjike, emocionale apo ekonomike. Zonja Felaj shtoi se duhen marrë në konsideratë dhe ndryshimet teknologjike.

“Ne kemi thënë që duhet të ndryshojnë një sërë rregullash në botën e punës që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës. Legjislacioni ka nevojë të rishikohet. Fatmirësisht ne i kemi shtuar një vepër Kodit Penal në 2013, siç është ngacmimi seksual. Në tërësi formulimi është i mirë se të lejon të ushtrosh ndjekje penale, por të them të drejtën unë nuk do isha shumë dakort me masën e dënimit të propozuar në atë kohë, sepse kanë kaluar mbi dhjetë vjet. Fenomeni dhe për shkak të ndryshimeve të forta demokratike por veçanërisht të teknologjisë, bëhet i vështirë për t’u gjurmuar por dhe i lehtë për t’u realizuar. Të rritet dënimi sipas mënyrës që manifestohet, moshës, shpeshtësisë së ngacmimeve apo shkallës së dëmit. Janë të gjitha këto momente që do e pasuronin kuptimin e veprës dhe do i jepnin mundësi edhe policisë, prokurorisë dhe gjykatës t’i shohin me një sy tjetër dhe të kishin një ndjeshmëri më të lartë për trajtimin e kësaj vepre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ermonela Felaj, N/kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj nxit komsionet paramentare të vënë në lëvizje institucionet të propozojnë ndryshime ligjore në përputhje me konventen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të ratifikuar në Kuvend.

Nga ana tjetër përfaqësues të organizatës TFL mendojnë se në Kodin Penal, duhet specifikuar vepra e ngacmimeve seksuale në punë, pasi aktualisht përcaktimi është i përgjithshëm.

Ashpërsimi i dënimit shihet si një masë parandaluese pasi dëmi vlerësohet i lartë edhe nga studimi i kryer nga kjo organizatë. Viktimat thuajse në të gjitha rastet largohen nga puna, pasi ai kthehet në një vend armiqësor, ashtu siç konfirmoi për Zërin e Amerikës edhe Albana, viktimë e ngacmimeve seksuale nga shefi i saj.

“Ika vetë pas 6 muajsh. Ai ndryshoi sjellje, filloi të sillej keq, në mënyrë shumë harbute. Kapej me gjëra që nuk kishin sens. Madje dhe kolegëve u ra në sy dhe më thoshin -po ai çfarë ka me ty. Ishte një shenjë hakmarrje ndaj refuzimit tim”- pohoi Albana (emër jo i vërtetë).

Pedagogia e së drejtës në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër, Irma Baraku, mendon se fenomeni i ngacmimeve seksuale në vendin e punës, duhet parë në një rrafsh më të gjerë, që e tejkalon ligjin.

“Kemi shumë për të bërë në komunitet. Një masë afatshkurtër duhet të jenë fushatat e ndërgjegjësimit lidhur me ngacmimin seksual në vendin e punës. Nga ana tjetër kemi nevojë për masa më afatgjata që kërkon edukimin e brezave të rinj. Është e rëndësishme qe ne t’i mësojmë herët vajzat dhe djemtë për të kuptuar se çfarë është ngacmimi seksual. Për të kuptuar se çfarë do të thotë që dikujt nuk i pëlqen një sjellje që mund të ketë konotacion të ngacmimit seksual”- u shpreh Irma Baraku, Pedagoge e së Drejtës në Universitetin e Shkodrës.

Ngacmimi seksual në vendin e punës, pre e të cilit janë vajzat dhe gratë më së shumti është një nga format e zakonshme të cënimit të të drejtave në punë. Viktimat gjenden të sulmuara, të pambrojtuara, të paragjykuara, në një kohë të shkurtër pas sulmit edhe të papuna, por dhe të lënduara nga ana psikologjike dhe emocionale. Deri pak kohë më parë në mënyrë masive konsiderohej turp të ndaje me dikë një shqetësim të tillë, dhe viktimat riviktimizoheshin nëse kjo ndodhte. Por sot gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe disa tabu janë thyer, megjithatë përfaqësues të shoqërisë civile dhe parlamentit mendojnë kjo nuk mjafton dhe se ende mbetet shumë punë për të bërë mbi sigurinë në vendin e punës./ Voa

Lajmet e fundit nga