LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Industria gjermane merr papritur shumë porosi

2022-12-07 08:16:27, Ekonomi CNA

Industria gjermane merr papritur shumë porosi

Industria gjermane mori sërish më shumë porosi. Kjo ushqen shpresat për një recesion të moderuar dimëror. Porositë u rritën 0.8 për qind nga muaji i kaluar si pasojë kërkesës së shtuar nga bota e jashtne, tha Zyra Federale e Statistikave.

Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters kishin pritur rritje prej vetëm 0.1 për qind, kështu që rritja rezultoi më e fortë se sa pritej. Në shtator pati një rënie prej 2.9 për qind dhe në gusht rënia e porosive ishte 2.0 për qind.

Një vështrim në detaje nxjerr në pah disa aspekte interesante: ndërsa porositë e brendshme ranë me 1.9 për qind në tetor, ato nga jashtë u rritën me 2.5 për qind. Kërkesa e Eurozonës u rrit me 2.6 për qind, biznesi i ri me pjesën tjetër të botës u rrit me 2.5 për qind.

Porositë për mallra investimi si makineri, automjete dhe pajisje u rritën me 3.2%, kryesisht për shkak të kërkesës së fortë për mjete motorike. Prodhuesit e mallrave të ndërmjetëm shënuan rënie prej 1.4 për qind. Në të kundërt, porositë e mallrave të konsumit ranë 6.3 për qind.

Kryeekonomisti Alexander Krüger i Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank pranon se ky zhvillim pozitiv është i papritur - veçanërisht pasi rënia e muajit të kaluar nuk ishte aq e fortë sa ishte paralajmëruar fillimisht.

Industria gjermane merr papritur shumë porosi
Porti i Duisburgut

"Kështu porositë, të cilat herë pas here u rritën ndjeshëm që nga vera 2020 si pasojë e efekteve të zëvendësimit të kohës së humbur dhe pengesave në dërgesat, tani janë stabilizuar disi," komentoi Ministria gjermane e Ekonomisë. "Përveç përmirësimit të lehtë në treguesit e besimit, ky është një tregues i mëtejshëm se recesioni mund të jetë më i dobët se sa pritej, edhe nëse perspektiva për kushtet industriale mbetet e përmbajtur."

"Tendenca është qartësisht në rënie”

Por të dhënat tregojnë edhe pika të dobëta. Pa porosi të mëdha, porositë do të kishin rënë 1.2 për qind. Krahasuar me tetorin e vitit 2021, biznesi i ri ishte gjithashtu 3.2 për qind më i ulët. "Tendenca në porositë e reja vazhdon të jetë dukshëm në rënie”, përfundoi Jörg Krämer, kryeekonomist në Commerzbank. "Kjo mbështet hipotezën se ekonomia gjermane po shkon ngadalë në një recesion të butë, edhe nëse një kolaps ekonomik si ai që pasoi krizën financiare nuk ka gjasa për shkak të mungesës së racionimit të gazit."

Ekonomia e plogësht botërore, mungesa e materialeve dhe mbi të gjitha kriza energjetike po minojnë aktualisht industrinë. Megjithatë, kompanitë kanë një dyshek të trashë porosish, pasi shumë porosi nuk mund të përmbusheshin për shkak të mungesës së produkteve të ndërmjetme dhe lëndëve të para. Përveç kësaj, zinxhirët e furnizimit po funksionojnë përsëri më mirë. "Kjo argumenton në parim për një rimëkëmbje të prodhimit industrial në muajt e ardhshëm," tha kryeekonomisti i VP Bank, Thomas Gitzel.

Rekord qarkullimi midis ofruesve të shërbimeve

Ndërkohë, ofruesit gjermanë të shërbimeve përshpejtuan arritjen e tyre pas lehtësimit të Coronas në fund të tremujorit të tretë. Qarkullimi në industrinë e shërbimeve, duke përjashtuar ofruesit e shërbimeve financiare dhe të sigurimeve, është rritur me 0.7 për qind krahasuar me muajin gusht, si në terma realë (që marrin parasysh inflacionin) ashtu edhe në shifra nominale, njoftoi sot Enti Federal i Statistikave.

Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ka një rritje prej 12.0 përqind në terma realë dhe 15.9 përqind në terma nominalë. Përveç një rënieje të moderuar të të ardhurave në qershor, qarkullimi në sektorin e shërbimeve është rritur në mënyrë të qëndrueshme deri tani gjatë vitit, theksoi Enti. "Në shtator 2022, sektori i shërbimeve ka gjeneruar të ardhurat më të larta që nga fillimi i cikleve kohore në 2015." Kështu, rekordi i qarkullimit para Koronës, i qershorit 2019, u kalua me 5.2 për qind./DW

Lajmet e fundit nga