LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si matet varfëria?

12 Prill 2023, 09:34, Ekonomi CNA
Si matet varfëria?
Foto ilustruese

Ç’rrënjosja e varfërisë në të gjitha format e saj është qëllimi kryesor i Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, ai është një prioritet për shumë vende. Për të pasur sukses, organizatat shumëpalëshe dhe qeveritë kombëtare kanë nevojë për një politikë të mirë, dhe për një mënyrë të qartë për të ndjekur progresin e tyre.

Po si duhet ta përcaktojnë dhe masin varfërinë? Në vitin 1795, prifti britanik Devid Dejvis, publikoi një studim që tregonte jetën e punëtorëve në famullinë e tij në një zonë rurale. Në atë që është ndoshta përpjekja e tij e parë për të matur varfërinë në mënyrë sistematike, ai llogariti një shumë parash, që sipas tij do t’u jepte mundësinë familjeve të klasës punëtore të jetonin në “një rehati të tolerueshme”.

Më shumë se dy shekuj më vonë, i njëjti koncept mbështet përkufizimet e varfërisë në mbarë botën. Vendet identifikojnë një nivel minimal të të ardhurave të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë si ushqimi, veshmbathja dhe strehimi. Ata që kanë më pak konsiderohen të varfër.

Dhe natyrshëm që këto pragje ndryshojnë sipas vendit. Për shembull, në SHBA një individ konsiderohej i varfër nga qeveria vitin e kaluar, nëse fiton më pak se rreth 41 dollarë në ditë.

I njëjti prag në Etiopi është 2 dollarë në ditë. Këto përkufizime i ndihmojnë qeveritë të identifikojnë se kush duhet të përfitojë nga politikat për zbutjen e varfërisë.

Në Amerikë, të qenit afër apo larg e familjeve nga kufiri i varfërisë, përcakton edhe përfshirjen ose jo të tyre te programet shëndetësore dhe sociale, si për shembull Medicaid, një skemë e sigurimeve shëndetësore e financuar nga qeveria. Matja e varfërisë është gjithashtu e rëndësishme për gjurmimin e ndikimit të politikave kundër saj.

Për shembull Banka Botërore, përdor një përkufizim ndërkombëtar të varfërisë për të krahasuar varfërinë midis vendeve. Bazuar në atë që përbën varfërinë në 28 vendet më të varfra, pragu prej 2.15 dollarësh (i caktuar sipas çmimeve të vitit 2017, dhe i rregulluar sipas diferencave midis monedhave kombëtare) është standardi global për varfërinë ekstreme.

Sipas këtij kriteri, përqindja e popullsisë së botës që jeton në varfëri ekstreme ra nga më shumë se 35 për qind në vitin 1990, në më pak se 10 për qind në vitin 2019. Sipas një studimi të publikuar nga studiuesit në Qendrën për Zhvillim Global në mars të këtij viti, ky raport mund të bjerë në 2 për qind deri në vitin 2050, nëse do të ekzistojnë kushtet e duhura ekonomike.

Megjithatë për shumë njerëz, një përparim i tillë nuk do të nënkuptonte eliminimin thuajse të plotë të varfërisë. Masa e dollarit e Bankës Botërore, e cila përcakton standardin minimal të jetesës, gjurmon varfërinë “absolute”, por nuk merr parasysh pabarazinë.

Megjithatë, disa studiues argumentojnë se mirëqenia e një personi, varet nga mënyra se si standardi i tyre i jetesës krahasohet me atë të të tjerëve. Koncepti që kanë njerëzit mbi atë që përbën nevojat themelore, ndryshon sipas vendit dhe me kalimin e kohës.

Kjo është arsyeja pse BE-ja llogarit një normë “relative” të varfërisë, bazuar në përqindjen e njerëzve me të ardhura nën 60 për qind të të ardhurave mesatare në bllok. OECD, një grup vendesh kryesisht të pasura, e përkufizon varfërinë si jetesën me gjysmën e të ardhurave mesatare familjare të vendit në fjalë.

Dhe sipas këtij kriteri, bota është shumë më larg eliminimit të varfërisë. Sipas Bankës Botërore, e cila prezantoi në vitin 2018 një njësi të re matëse të varfërisë relative, në vitin 2019 kishte 3 herë më shumë njerëz që jetonin në një “varfëri shoqërore”, sesa në një varfëri ekstreme.

Masat e matjes së varfërisë, po marrin gjithnjë e më shumë parasysh më shumë sesa vetëm të ardhurat. Indeksi shumëdimensional i varfërisë i OKB-së përdor 10 tregues që matin arsimin, shëndetin dhe kanalizimet. Ato mund të prodhojnë vlerësime që janë dukshëm të ndryshme.

Në Çad, 84 për qind e popullsisë ishte e varfër në vitin 2019 sipas masës vlerësuese të OKB-së. Por sipas Bankës Botërore, vetëm 31 për qind e njerëzve në Çad jetojnë në varfëri ekstreme. Në teori, për të zbatuar politikat në një mënyrë më efektive mund të përdoret një masë shumëdimensionale.

Për shembull, familjet që nuk kanë qasje te kujdesi mjekësor, mund të jenë fokusi i politikave të shëndetit publik. Nisma të tilla funksionojnë më mirë nëse qeveritë e dinë saktësisht se kush ka nevojë për ndihmë. Standardet globale, si ato të Bankës Botërore, janë të dobishme për të dalluar tendencat, por politikëbërja kombëtare kërkon informacion më të hollësishëm për të identifikuar vendet dhe njerëzit që janë në vështirësi.

Vendeve të varfra u mungojnë shpesh burimet dhe njohuritë për të mbledhur të dhëna të tilla.

Shpeshherë qeveritë e tyre preferojnë të shpenzojnë para për projekte tërheqëse, siç janë shkollat e reja. Ndërtimi i kapaciteteve statistikore mund të mos jetë magjepsës. Por është e vështirë të ndihmosh të varfrit kur nuk i di kush janë ata./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga