web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tërmeti i 2019-ës/ Edhe sa miliarda lekë duhen për të përfunduar rindërtimi?

2 Janar 2024, 22:30, Ekonomi CNA

Tërmeti i 2019-ës/ Edhe sa miliarda lekë duhen për të

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të ngelet gjatë në memorien e shqiptarëve, pasi shkaktoi humbje të jetëve dhe dëme materiale kryesisht në Durrës, Thumanë e Tiranë. Në total 51 njerëz mbetën viktima dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se 40 vjet.

Kur kanë kaluar katër vite dhe po hyjmë në të pestin, që nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas Open Data Albania mungon një raport i qartë mbi numrin e familjeve të strehuara përmes Programit të Rindërtimit, veprave publike të rindërtuara, familjeve të trajtuara me grante individuale, dhe ecurisë në rikonstruksion për këto raste apo veprave publike të përfunduara.

Përtej reagimit fillestar dhe dobësive që u konstatuan nga Emergjencat Civile, sfida më e madhe ishte rindërtimi.

Më 17 shkurt të vitit 2020, Qeveria Shqiptare prezantoi në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, nevojën për ndihmë për programin e rindërtimit pas tërmetit me kosto mbi 1 miliard euro. Në këtë konferencë donatorët dhe vendet partnere duke u bazuar në kërkesat financiare për rikuperim premtuan ndihmë dhe kreditim për Shqipërinë si shtet i dëmtuar nga tërmeti në vlerën 1.15 miliardë euro ose rreth 140 miliardë lekë.

Tërmeti i 2019-ës/ Edhe sa miliarda lekë duhen për të

Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, ishin rreth 80 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave. Buxheti i ndryshuar i vitit 2023 rialokoi fonde në një sërë zërash, ku ndër të tjera edhe rindërtimi. Në këtë zë, qeveria parashikoi që fondet të shtoheshin me 12 miliardë lekë. Kjo do të thotë se në total, në mbyllje të 2023, fondet e shpenzuara arrijnë rreth 92 miliardë lekë.

Për vitin 2024, qeveria ka parashikuar në Buxhetin tashmë të miratuar nga Parlamenti, një fond prej 7 miliardë lekësh, apo rreth 65 milionë euro. Ky program ende vijon me kantiere të hapura dhe mijëra familje vijojnë të mbeten në banesa me qira në pritje të shtëpisë së premtuar.

Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë ende. Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve. Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale. Mbi 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.

Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces. Në Durrës, kanë marrë një banesë të re rreth 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë.

Tërmeti i 2019-ës/ Edhe sa miliarda lekë duhen për të

Durrësi dhe Tirana janë bashkitë me më shumë familje në pritje të një apartamenti apo banese të re, pas tërmetit të katër viteve më parë dhe që banesat iu klasifikuan me nivel dëmi DS5 (totalisht të shkatërruara). Afatet për mbylljen e rindërtimit në të dyja bashkitë, janë të paparashikuara. Në Bashkinë e Durrësit u kategorizuan si DS5 me miratim nga Këshilli Bashkiak 1098 banesa individuale.

Sa u takon pallateve për rindërtim, ishin 12 në Durrës, 7 në njësinë administrative të Sukthit dhe 1 pallat në njësinë administrative Katund i Ri. Për Durrësin u miratuan edhe dy të reja për zhvillim siç janë Manza dhe Spitalla. E para tashmë e përfunduar prej kohësh dhe e planifikuar për strehimin e 226 familjeve ndërkohë e dyta, e projektuar për 996 apartamente në 85 pallate 4-katërshe ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj, por apartamentet ende nuk janë dorëzuar.

Tirana, ka dy zona të reja zhvillimi me disa mijëra familje që ende janë nëpër banesa me qira, diçka që ka bërë që në buxhetin e bashkisë, fondet e strehimit të kenë peshë më të lartë vitet e fundit. Në zonën e “5 Majit” synohet që të strehohen 11 mijë banorë, ndërkohë që parashikohen 3500 apartamente, kurse në Kombinat, e pagëzuar si “KombinArt”, bashkia deklaroi se do të shtrihej në disa faza. Në fazën e parë do të ndërtoheshin rreth 3 mijë apartamente. Premtimet e bashkisë se banorët do të ishin në një shtëpi të re ndryshojnë afat herë pas here, por fakt është që sot këto lagje të reja janë ende të papërfunduara. Këtë e konfirmoi vetë kryebashkiaku Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024 të bashkisë që ai drejton.

Tërmeti i 2019-ës/ Edhe sa miliarda lekë duhen për të

Teksa programi i rindërtimit nisi në vitin 2020, pritshmëria ishte që numri i qytetarëve që u lindi e drejta për një bonus qiraje, të ulej gradualisht vit pas viti me ecurinë e zbatimit të projekteve dhe marrjen në dorëzim të banesave. Por edhe sot, Bashki si Durrësi e Tirana paguajnë bonus qiraje për mijëra familje.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij të buxhetit faktik 2022, raportonte se vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar disa dhjetëra miliona euro në disa vite për bonusin e qirasë.

“Mungesa e arritjes së kryerjes së shpenzimeve të planifikuara për rindërtimin, krahas problemeve sociale për strehimin dhe infrastrukturën publike, vijon të sjellë kosto shtesë për buxhetin, e cila për vitin 2022 është më së paku 1.3 miliardë lekë” – nënvizoi KLSH.

Programi i rindërtimit është kritikuar vazhdimisht për aspekte të ndryshme. Përfshirja e një sërë institucionesh dhe mosruajtja e një standardi raportimi nga të gjithë, e bëri të vështirë nxjerrjen e bilanceve fazë pas faze. Një tjetër element i kritikuar ishte forma se si u zhvilluan procedurat e prokurimit. Në vend të një gare të hapur, ku konkurrenca do të rriste pjesëmarrjen, e për rrjedhojë do të kishte edhe ndikim në ofertat financiare, nën argumentin e emergjencës u zgjodh negocimi dhe një ligj i veçantë. Kjo formë së fundmi u kritikua edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë që nënvizonte se “shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike”.

Ngelet për t’u parë se sa fatdhënës do jetë viti 2024 në raport me procesin e rindërtimit, dhe më së shumti për qytetarët që ende presin të kenë një çati mbi kokë, pasi sot askush nuk mund të thotë me bindje nëse programi do të shkojë përtej këtij viti të ri apo do të shënojë mbylljen e tij në 2024./ CNA





Lajmet e fundit nga