web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fitimi i tregut të sigurimeve u rrit me 38% për vitin e kaluar

20 Prill 2026, 07:02, Ekonomi CNA

Fitimi i tregut të sigurimeve u rrit me 38% për vitin e kaluar

Fitimi i tregut të sigurimeve iu kthye rritjes vitin e kaluar dhe shënoi nivelin më të lartë historik. Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), fitimi arriti në 3.13 miliardë lekë ose 32.4 milionë euro.

Fitimi i tregut u rrit me 38% krahasuar me një vit më parë. Kontributin kryesor në fitimin e vitit 2025 e dha segmenti më i madh, i sigurimeve të Jo-Jetës. Fitimi total i kompanive të këtij tregu arriti në 2.7 miliardë lekë, në rritje me 35% krahasuar me vitin 2024.

Në segmentin më të vogël të tregut, atë të sigurimeve të Jetës, fitimi për 2025 arriti në 421 milionë lekë, afërsisht 59% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Sipas analizave të AMF-së, rritja e fitimit të tregut është ndikuar kryesisht nga rritja e primeve të shkruara bruto, me 10.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës dhe kryesisht sigurimet e detyrueshme motorike.

Primet e shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës arritën në pothuajse 24.7 miliardë lekë, në rritje me 9.9% krahasuar me një vit më parë. Ky segment vazhdon të jetë dominues, me 91% të primeve totale të tregut.

Tregu i sigurimit të Jo-Jetës edhe për vitin 2025 u dominua nga sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në 16.9 miliardë lekë ose sa 68.6% e totalit të tregut.

Sigurimi i brendshëm motorik TPL ngelet produkti më i madh i tregut, me 58% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Vitin e kaluar hyri në fuqi sistemi i ri i llogaritjes së primeve mbi bazë rreziku, që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e primeve të shkruara bruto nga ky produkt. Primet e sigurimit të brendshëm TPL u rritën me 13.3% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, produktet e sigurimit vullnetar në përgjithësi shfaqën një rritje më të ngadaltë edhe vitin e kaluar.

Tregu i sigurimit të Jetës edhe për 2025 shfaqi ritme rritjeje më të larta. Primet e shkruara bruto arritën në 2.44 miliardë lekë, në rritje me 17.6% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të Jetës ngelet i dominuar nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me sigurimin e jetës për huatë e marra në institucionet financiare. Ky produkt u rrit me 15.4% vitin e kaluar dhe përbënte 77.5% të primeve të shkruara bruto të tregut.

Dëmet e paguara bruto në gjithë tregun e sigurimeve për 2025 pësuan rënie, me 0.75% më pak krahasuar me vitin 2024.

Raporti mes dëmeve të paguara neto dhe primeve të fituara neto në tregun e Jo-Jetës pësoi rënie në 38.4%, nga 40.6% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa në tregun e Jetës, ky raport zbriti në 17.5%, nga 20.4% që kishte qenë në 2024.

Gjithashtu, shpenzimet operative të kompanive shënuan një rritje më të vogël krahasuar me rritjen e primeve, me 5% më shumë krahasuar me 2024.

Në fund të vitit 2025, tregu i sigurimeve raportonte aktive totale në vlerën e 63.4 miliardë lekëve ose 655 milionë eurove. Totali i aktiveve të tregut u rrit me 11.2% krahasuar me një vit më parë.

Rritja më e lartë ishte në tregun e Jo-Jetës, ku aktivet u zgjeruan me 11.3%, ndërsa në tregun e sigurimit të Jetës rritja e totalit të aktiveve ishte 10.7%./Monitor.al





Lajmet e fundit nga