web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Shpresë kam derisa të mbyll sytë"/ 90-vjeçari nga Zagorçani pret mbesat nga Siria

16 Shkurt 2026, 12:55, Aktualitet CNA

"Shpresë kam derisa të mbyll sytë"/ 90-vjeçari

Kthimi i Eva Dumanit këtë të shtunë në Shqipëri nga kampi famëkeq Al Hol ka rikthyer në vëmendje dramën e gjatë të familjeve shqiptare që prej vitesh presin lajme nga të afërmit e tyre të mbetur në Siri.

Mes tyre është edhe historia prekëse e 90-vjeçarit Dylber Shuli nga Zagorçani i Pogradecit, i cili prej më shumë se një dekade jeton me ankthin, mallin dhe shpresën për kthimin e mbesave të tij.

Prej 12 vitesh, i moshuari thotë se ka humbur kontaktet e rregullta me to. Dikur flisnin shpesh dhe e thërrisnin “baba forca”, por prej një apo dy vitesh komunikimi është ndërprerë. Ai ndjek çdo lajm që transmetohet për kampet në Siri dhe shpreson që një ditë mbesat e tij të jenë mes të kthyerve.

“E pashë që atë ditë që doli edhe mbrëmë, të gjitha çfarë jepeshin që kishte kaluar në këmbë, por gjithë këtë punë e ka bërë Turqia, aman. Kam 12 vite, ca kohë kam folur me fëmijët, më thërrisnin ‘baba forca’. Kam 1 vit ose 2 që nuk po flas. Mbesa e madhe është martuar dhe ka lindur një djalë, merret më shumë atje. Unë kisha këtu një të sëmurë, djalin, kisha tri vjet dhe ato më thoshin ‘baba pse na dorëzove?’. U thoja ‘bijë e babait, kështu e kam punën’. Rama kur doli atëherë tha që do t'i nxjerrin, por edhe do t'i ruajmë se mund t’i vrasin. Kush është bërë gjysh dhe ka nipër, le ta kuptojë vetë si ndihem unë”, u shpreh 90-vjeçari. 

Në moshën 90-vjeçare, Dylberi thotë se e vetmja gjë që e mban në këmbë është shpresa. Ai kërkon ndihmën e shtetit për t’i rikthyer mbesat në Shqipëri, ashtu siç, sipas tij, ka kërkuar më parë ndihmë edhe për djalin e tij.

“Unë jam 90 vjeç, shpresë kam derisa të mbyll sytë sepse ata më thërrasin baba. Më shumë më thërrasin ata sesa fëmijët e mi. Si s’kam shpresë? Shtetit i kërkojmë ndihmë. Mbesa e mesme më thotë baba sepse ajo nuk ndahej nga unë. Duan të kthehen, por janë të zënë në burg atje”, tha ai.

I moshuari tregon se ka dërguar vazhdimisht para drejt Sirisë, por nuk e di nëse ato kanë mbërritur ndonjëherë te të afërmit e tij. Ai flet për kushte të vështira dhe për sëmundje, ndërsa thekson se mbesa e madhe ka përballuar humbjen e prindërve dhe ka rritur motrat e vëllezërit në kushte lufte.

“Sa për kushtet, ju e keni parë edhe vetë dhe unë kam marrë vesh që janë të vështira dhe unë u kam dërguar lekë atyre, por se kush i ha këto lekë unë nuk e di. Gjithmonë kam dërguar lekë andej. Shtetit i kërkoj ndihmë, siç i kërkova për djalin që ma shpuri në Turqi, ashtu i kërkoj edhe këtë shtetit unë. Nuk merrem më me letra, nuk i punoj dot unë prandaj them”, shtoi i moshuari. 

Ai falënderon mbesën e madhe, e cila, sipas tij, mbeti jetime në moshën 16-vjeçare dhe qëndroi e fortë përballë tragjedisë.

“Kanë qenë të sëmurë, më ka treguar ajo mbesa e madhe. Atë mbesën e madhe e falënderoj se iu vra i ati dhe e ëma dhe qëndroi trime. 16 vjeç dhe qëndroi trime me vëllezërit, djalin e saj, të motrat i rriti. Atë që të vijë këtu nuk di si do ta mbaj. E madhja po shkon 22, të vegjlit nga 7 vjeç, mbesa tjetër 1-muajshe iku. Nuk kanë krahë atje ata të mitë, janë 22 gra në Siri, janë 8 burra. Allah them, Zoti", tha 90-vjeçari. 

Mes lutjes dhe shpresës, 90-vjeçari pret që një ditë dera e shtëpisë së tij të hapet dhe mbesat të kthehen në atdhe. Deri atëherë, ai thotë se do të vazhdojë të kërkojë ndihmë nga institucionet dhe të besojë se rikthimi i tyre është ende i mundur. /CNA





Lajmet e fundit nga