web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Në Shqipëri paratë vidhen”/ Malltezi: Mungojnë standardet në menaxhimin e mbetjeve

20 Prill 2026, 17:21, Aktualitet CNA

“Në Shqipëri paratë vidhen”/ Malltezi: Mungojnë

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, ka deklaruar në një intervistë televizive se në Shqipëri ka keqmenaxhim të fondeve publike dhe mungesë të theksuar standardesh në fushën e mjedisit, veçanërisht në trajtimin e mbetjeve.

Gjatë intervistës, Malltezi tha se sipas tij paratë vidhen dhe kjo ka sjellë mosfunksionim të institucioneve dhe mungesë investimesh efektive në sektor. Ai pretendoi gjithashtu se profesionistët e fushës së mjedisit janë larguar nga puna dhe janë zëvendësuar me individë pa përvojë në sektor.

Duke u ndalur te situata e mbetjeve, Malltezi përmendi zjarret e përsëritura në landfille dhe venddepozitime në disa qytete, përfshirë Elbasanin, Vlorën, Durrësin, Tiranën dhe Shkodrën.

Sipas tij, në disa raste zjarret mund të jenë të qëllimshme për të reduktuar mbetjet, ndërsa në raste të tjera lidhen me mungesë të standardeve teknike.

Ai theksoi se menaxhimi i mbetjeve duhet të përfshijë riciklimin, ripërdorimin dhe trajtimin e gazrave si metani, duke argumentuar se landfilli nuk duhet të jetë vetëm një vend depozitimi.

Malltezi kritikoi gjithashtu mungesën e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe monitorimit të ndotjes mjedisore.

Sipas tij, mungesa e infrastrukturës dhe teknologjisë së duhur në landfille rrit rrezikun e zjarreve dhe ndotjes së ajrit, duke e cilësuar situatën si problematike për shëndetin publik dhe mjedisin.

“Këtu paratë vidhen. Ka para, paratë vidhen dhe prandaj nuk menaxhohet asgjë. Së dyti, këtu specialistët përzien nga puna. Këtu kërkohen vetëm patronazhistë.

Dikush që nuk nuk i pëlqen fjala, mendimi, nuk i pëlqen sulltanit, ai thjesht hiqet nga puna. Për fat të keq, janë me gishtat e dorës specialistët që kanë mbaruar për mjedis dhe punojnë në fushën e tyre të mjedisit.

Vendet e punës së tyre i kanë zënë, për fat të keq, patronazhistët pa asnjë lidhje. Të kemi parasysh, në rastin konkret, ju e thatë që janë zjarre të përsëritura.

Kemi zjarre që ndodhin vazhdimisht në Elbasan, vazhdimisht në Vlorë, vazhdimisht në Durrës, dhe vazhdimisht në Tiranë dhe tani na del edhe në Shkodër.

Ka dy elemente. Në Vlorë është parë që zjarrit i vihet qëllimisht. I vihet zjarri mbeturinave qëllimisht në mënyrë që të reduktohet sasia e mbetjeve dhe në mënyrë që të ketë vende se nuk ka më vende ku të hidhen mbetjet.

Gjithsesi, duhet thënë që ka dy variante. Ose është qëllimisht dhe është kriminale, ose në rast se nuk është qëllimisht atëherë gjithsesi është mungesë standartesh në mënyrë të tmerrshme.

Pse e them këtë? Sepse normalisht pranë çdo landfilli duhet të ketë së pari, një qendër riciklimi. Një qendër riciklimi dhe ripërdorimi. Është tre R-të e famshme të të trajtimit të mbetjeve.

 Pra, redukto mbetjet, ripërdor mbetjet, riciklo mbetjet. Për fat të keq ne nuk bëjmë asnjë nga këto.

Ne thjesht kemi krijuar landfill dhe mendojmë që me landfill i kemi krijuar, i kemi zgjidhur të gjitha.

Ne vodhëm paratë, kur them ne, qeveria vodhi paratë dhe mendoi se e zgjidhi çështjen me incenerator.

Dhe çfarë po bën? Po e inceneron në mënyrë të hapur. Pra thjesht po i djeg në natyrë. Është kriminale, është vjedhje, është mungesë standartesh, është përzënie e profesionistëve nga puna.

Normalisht, në çdo landfill duhet të kesh, së pari, impianti i trajtuar në mënyrë të atillë që ti të reduktosh ato mbetje të cilat kanë fuqi kalorifike të lartë dhe mund të shkaktojnë zjarre.

Pra, ato mbetje që kanë fuqi kalorifike, mund t'i çosh në në industritë që duan lëndë djegëse. Pra, për shembull, industritë e çimentos të lusin që t'i çosh lëndë djegëse.

Në rast se ti ke lëndë djegëse që ka fuqi kalorifike, po ta marrin menjëherë atë, plastikën, për ta djegur.

Të lusin. Pse mos çohet aty? Dhe ja ku e reduktove ti sasinë e mbetjeve, po të doje. Po të kishe një një qeveri normale që të mendonte për për mjedisin.

Së dyti, pra vetëm me ripërdorimin apo riciklimin e mbetjeve, mund të shkonte në reduktim të mbetjeve nga 1/3 deri gjysmë për gjysmë të mbetjeve. Dhe kjo çfarë bën? Kjo të rrit jetëgjatësinë e landfillit.

Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që ka dhe procese teknologjike të cilat duhen shoqëruar gjithashtu. Pra, nuk mjafton që ti thjesht i hodhe mbetjet në landfill dhe je në rregull. Jo, sepse ato mbetje, sidomos mbetjet organike, kalbëzohen me kalimin e kohës.

Duke kalbëzuar, ato çlirojnë gazra të cilat digjen, kryesisht metan, i cili është gaz që merr flakë shumë lehtë. Prandaj sugjerohet që, së pari, reduktimi, riciklimi dhe më pas në rast se ti do e hedhësh në landfill, atëherë do duhet që procesin teknologjik ta shoqërosh me mbulimin me dhe në mënyrë periodike.

Pra, mos lësh disa ditë apo javë rrjesht thjesht hidh mbetje dhe kaq, por mbas çdo hedhje mbetjesh ti të përdorësh rulat, të përdorësh traktorët dhe të shtrosh kështu le të themi shtresë të hollë dheu.

Një landfill nuk është thjesht një gropë. Duhet kuptuar që nuk është thjesht një vend depozitimi. Ka dhe elementë të tjerë teknikë.

Pra, para se të bëhet një landfill, ti duhet të bësh dhe sistemin e tij të drenazhimit. Pra, ujërat që do jenë ujëra të kalbëzimeve, ku do shkojnë?

Normalisht, këto quhen liçite. Këto janë, me përkufizim janë mbetje të rrezikshme. Për fat të keq, në Shqipëri nuk trajtohen asgjëkundi këto. Këto hidhen në në lumë dhe mund të helmojnë gjithë popullatën më poshtë, produktet ushqimore dhe përfundojnë në shëndetin e njeriut. Është e tmerrshme.

Por një gjë tjetër, gjithashtu duhet të ketë, landfilli duhet të ketë impiantin e kapjes së gazrave që çlirohen.

Pra, duhet të ketë tuba në të, në mënyrë që gazrat kryesisht metan që çlirohen, të kapen dhe të përdoren për të mbushur bombolat dhe mund të përdoren në industri të ndryshme apo për ngrohje.

Por duhen ky sistem i cili i kap këto gazra. Mos lihen në natyrë. Për fat të keq, ne në asnjë nga landfillet tona, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta i Korçës dhe i Vergoit ndoshta, që janë bërë sipas standarteve ndërkombëtare, landfillet e tjera ne thjesht i kemi venddepozitime dhe kaq. Thjesht hidhen mbetjet, mbi mbetje hidhen një herë në në javë apo një herë në dy javë hidhet dheu dhe kaq. Është e tmerrshme sepse nuk është sipas standarteve.

Mungesa e standarteve të shkakton që më pas këto të shpërthejnë. Ose si zjarre pa kontrolluar, ose si momentin e parë si bomba, që ti s'e kupton, ore mos hodhi njeri granatë.

Është thjesht këto gazra me fuqi të madhe kalorifike, kryesisht metan, i cili nuk ka ku del dhe me kalimin e kohës me rritjen e presionit, ky gaz shpërthen.

Tymi ka ndotje, mirëpo problemi cili është? Që këtu nuk, ne nuk kemi asnjë sistem të besueshëm të matjeve, të cilët të jenë të akredituar dhe ne të themi që është kjo ndotje me siguri dhe kjo ndotje shkakton këtë gjë.

Ne as këtë nuk e kemi. Për fat të keq, çfarë ndodh? Ne nuk kemi landfille të mirëfillta. Duke mos pasur landfille të mirëfillta, ne nuk monitorojmë as ujin nëntokësor që del nga ato landfille, as mbetjet që qarkullojnë në ajër.

Dhe çfarë bën? Vetëm kur shpërthen, kur digjet dhe kur ne shohim tymin toksik, vetëm atëherë ne kujtohemi.

Po të kemi parasysh që çdo ditë banorët rreth e qark asaj aty, duke mos u trajtuar siç duhet këto mbetje, ato banorë thithin tymra dhe ajër të ndotur.

Çështja është që ato nuk mund ta dinë se sa qeliza mund t'i kthehen në qeliza kancerogjene apo mund të vdesin në ditë nga tymrat e pakontrolluar dhe ato kujtohen thjesht vetëm kur e shohin tymin i cili merr gjithë malin apo i kalon gjithë qytetin.

Në atë moment është shumë vonë. Në atë moment ne qartazi e shohim që ky tym është tym kancerogjen, qartazi është i dëmshëm, por problemi është që ne nuk kemi asnjë sistem matjesh relevante, pra të besueshme, për të treguar se çfarë niveli i ndotjes është dhe çfarë mund të shkaktojë ky nivel ndotje në nivel afatgjatë”, deklaron Malltezi./ CNA





Lajmet e fundit nga