web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Homazhe në Korçë për ndarjen nga jeta të Skënder Rusit, miq dhe familjarë i japin lamtumirën

1 Qershor 2024, 13:00, Aktualitet CNA

I është dhënë sot lamtumira e fundit, poetit të mirënjohur, lirikut Skënder Rusi, i cili me vargjet e tij ka ngrohur zemrat e çdo lexuesi.

Rusi u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 72 vjeçare, një humbje e madhe jo vetëm për familjen e miqtë, por për Korçën e më gjerë. Poeti me vlera të paçmueshme, me vargjet që i buronin nga shpirti, me poezitë që i thurrte aq bukur çdo mëngjes deri në ditën e fundit të ndarjes nga jeta.

Mesditën e sotme u mbajtën homazhet në nder të artistit, ku qindra qytetarë kanë marrë pjesë për t'i dhënë lamtumirën e fundit në teatrin Andon Zako Çajupi, duke vendosur buqeta me lule në shenjë mirënjohje e respekti për gjithçka që ai ka ndërtuar dhe krijuar ndër vite. Dhjetra vepra që Skënder Rusin do ta mbajnë gjallë, do ta kujtojnë tek çdo lexues, ndonëse ai u largua fizikisht nga jeta, shpirtërisht ai do të jetë në jetën e çdokujt që e ka njohur dhe ka lexuar vargjet e tij.

Për djalin e poetit, Eris Rusi, është një dhimbje e madhe humbja e babait të tij. Një ditë zie jo vetëm për familjarët por për artin dhe poezinë shqiptare. Erisi me shumë dhimbje, duke gjetur forcën që edhe sot të thotë 2 fjalë në nder të babait të tij, tregon vëllimin e fundit poetik, një titull që mbase Skënder Rusi e ka parandjerë. "Dalëngadalë po bëhen ikje", titulli që ka shënjuar edhe largimin e tij fizikisht nga jeta.

"Dita e sotme është një ditë e cila për familjarët e poetit Skënder Rusi është e shënjuar me zi, edhe për poezinë dhe artin në qytetin e Korçës e në Shqipëri. Megjithatë, Korça zgjodhi që homazhet për poetin Skënder Rusi të jenë publike dhe të jenë një dëshmi e të gjithë atyre njerëzve që e kanë njohur nga afër ose jo poetin, që janë lidhur shpirtërisht me të nëpërmjet vargjeve të krijuara prej tij dhe që me përkushtimin e zemrat e tyre e bëjnë më të lehtë edhe për familjen këtë ditë të rëndë për ne sot. Libri i fundit i Skënder Rusit, më rëndon ta them i fundit, ka një titull që e ka zgjedhur vetë poeti, "Dalëngadalë unë po bëhem ikje.". Ka patur ndoshta një parandjenjë poetike për të zgjedhur një titull që për atë ishte i bukur, qëllonte në shenjë dhe shënjoi dhe atë që do ishte fundi i jetës fizike për poetin por jo fundi i jetës shpirtërore, artistike që do ta mbajë lidhur me lexuesit në kohë."

Me hidhërim e dhimbje ka folur edhe ministri Niko Peleshi, mik i Skënderit, duke treguar mëngjeset që kalonte me të. Për Peleshin, gjurmët që poeti ka lënë në jetën dhe botëkuptimin e tij, janë të gdhendura fort. Mes vargjeve dhe çka shkruante Rusi për tema të ndryshme të jetës, ai i dhuroi çdo lexuesi një vështrim ndryshe, ku secili prej tyre arrinte të gjente veten. Sot, sipas Peleshit, Skënder Rusi është pjesë e pandashme e qytetit, qytet që e donte aq shumë dhe thurri vargje për të në çdo stinë.

"Humbja e poetit, lirikut tonë Skënder Rusi është një humbje e madhe për qytetin tonë. Ai kishte fituar në heshtjen dhe brishtësinë e vet, një status që do ta ndjekë përgjithmonë emrin e tij. I ka kënduar dhe thurrur vargje gjithçkaje që lidhet me këtë qytet, aq sa duket sikur tani është pjesë e ajrit të qytetit, që ne do ta thithim çdo ditë. Kam kujtime shumë të vyera personale ashtu si shumë të tjerë këtu, mbase nuk është momenti për ti ndarë, por nuk i harroj mëngjeset e vazhdueshme kur kam qenë më afër tij, në zyrën e tij që ishte një micro botë e krijimit të vazhdueshëm. Skënderi krijonte çdo ditë, çdo mëngjes vinte me poezi të reja, ne kishim krijuar klubin e admiruesve të poezive të tij që kanë lënë gjurmë edhe në botëkuptimin tim në raport me qytetin duke e parë dhe në këndvështrimin e poetit. Ky vështrim i veçantë do ti mundojë qytetit por për fat të mirë kemi një trashëgimi shumë të pasur të Skënderit, të lirikave të tij, me botime të shumta, dhe jam i sigurt që do ta rikthejmë Skënderin herë pas here, çdo vit përmes mbrëmjeve poetike ku të gjithë do ti rilexojmë me shumë kënaqësi poezitë e tij. Është një humbje e madhe padyshim për familjen, por edhe për çdo korçar sepse ai ishte pjesë e jetëve tona."

Aktorja dhe mikja e afërt e familjes Rusi, Klaudeta Riza, me lot në sy dhe mjaft e prekur nga humbja e Skënderit, tregon për Cna Tv se takimi i saj i fundit ka qenë 3 ditë më parë, dhe po atë ditë kanë folur për poezinë. Ajo e konsideron poetin një yll të jashtëzakonshëm, i cili i ka kushtuar vargje gjithçkaje, natyrës, familjes, dashurisë, bukurisë. Vargje që vetëm Skënder Rusi mund ti krijonte aq bukur.

"Për mua ka qenë një poet i jashtëzakonshëm, poezia ka qenë pjesë e jetës time që në kopsht dhe kur jam njohur me poezitë e Rusit, atëherë isha aktore, por Rusi është një yll. Nëse ka yje të poezisë, një ndër ta është Rusi. Jo vetëm poet, por njeri. E doja shumë, më donte shumë, punonim bashkë. Kishte poezi të mrekullueshme që smund ti gjesh te poetët e tjerë. Para 3 ditësh ishim bashkë, me bashkëshorten e tij dhe bashkëshortin tim, sërish flisnim për poezitë. Shumë shpejt morëm lajmin e hidhur, të më falni për emocionet por kemi punuar shumë dhe ai për mua mbetet një nga yjet e poetëve shqiptarë. Ishte i mrekullueshëm! Ka shkruar për kafshën, babanë, fshatin, prindin, të gjitha temat i gjen te Skënder Rusi. Ishin pjesë e shpirtit dhe trurit të tij."

Për këngëtarin dhe mikun Endri Fifo, Skënder Rusi është njeriu me shpirtin human, poeti i madh e miku i veçantë për zonën e Devollit. Për të, ai ka mirënjohjen e te gjithëve, edhe për tekstet e këngëve, si një bashkëpunëtor i ngushtë i kompozitorëve të njohur shqiptarë.

"Skënder Rusi ishte një mik shumë i veçantë, një poet i madh, një njeri me shpirt shumë të madh human. Të gjithë këngëtarët e Korçës dhe Devollit, kanë shumë respekt e mirënjohje për Skënder Rusin sepse ai ka qenë një autor i shkëlqyer i teksteve poetike për këngët. Ka patur bashkëpunime shumë të ngushta edhe me kompozitorë shumë të mëdhenj si Josif Migën, Flamur Shehun e të tjerë. Sot është një dhimbje e madhe për ne, miqtë e tij, edhe për gjithë Devollin sepse iku një bir i shtrenjtë i tij."

Për kryetarin e shoqatës "Devolli" të degës Korçë, Nexhat Nallbati, Skënder Rusi do të mbetet një nga miqtë e tij më të dashur. Një miqësi që ka nisur herët, që prej fëmijërisë, ndërsa nuk mungojnë fjalët e mira ndonëse në këtë ditë zie. Për Nallbatin, poeti lirik e ka shfaqur talentin që në shkollë, atje ku gazeta e murit ishte e mbushur plot me poezitë e tij.

"Skënderi ishte dhe do të mbetet për mua një nga shokët më të mirë, më të dashur, më të respektuar. E kam njohur që në moshën e tij rinore kur ai ishte nxënës në shkollën e mesme të Bilishtit dhe ai kthehej nga shkolla për në fshat, ndërsa unë vija nga fshati ku isha mësues dhe takoheshim në mes të rrugës duke bërë muhabet. Ka qenë një djalë me temperament, nxënës i rregullt, talentin e tij e ka shfaqur që në shkollë sepse shkruante që aty. Në gazetën e murit të shkollës, poezitë e Skënderit ishin të parat, ai e mbushte. Skënderi ishte njeri me vlera të mëdha njerëzore, jo vetëm si intelektual, poet, dramaturg, publicist, pra ishte i gjithanshëm. Ai karakterizohej jo vetëm nga talenti që e kishte të lindur por edhe nga vullneti i madh, njeri me vullnet të çeliktë."

Jo vetëm Korça por gjithë Shqipëria do të vuajnë mungesën e penës, krijimtarisë, vargjeve dhe perlave të Skënder Rusit sot e në vazhdim. Lexuesve shqiptarë do tiu mungojë poeti, liriku, shkruesi i mijëra poezive të dashurisë, dhimbjes, bukurisë, natyrës, peizazhit, jetës së përditshme. Një artist i rrallë, që Korça pati fatin ta kishte pjesë të saj, por që la pas trashëgiminë më të vyer nëpërmjet veprave të tij, që do të lexohen çdo ditë nga artdashësit, qytetarët dhe të rinjtë./ CNA





Lajmet e fundit nga