web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Anijet me mbetjet toksike/ Përplasje mes institucioneve

21 Gusht 2024, 15:23, Aktualitet CNA
Anijet me mbetjet toksike/ Përplasje mes institucioneve
Porti i Durresit

Ministria e Turizmit dhe Kurum kanë reaguar në lidhje me kontejnerët me mbetje toksike që u nisën nga porti i Durrësit për në Tajlandë dhe më pas u kthyen pas, pasi mediat zbuluan skandalin.

Në reagimin e saj Ministria e Turizmit ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës, ndërsa ka theksuar se institucionet ligjzbatuese janë angazhuar dhe po kryejnë veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF).

Ministria e Mjedisit deklaron se mbetjet e kompanisë KURUM u ngarkuan në Durrës në kontejnerët në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet të jenë transportuar drejt Portit të Triestes.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Turizmit

“Në përgjigje të interesimit tuaj në lidhje me dyshimet mbi transportin e parregullt të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik, sqarojmë se për këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

Sa më sipër, ju informojmë se institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) si dhe kanë referuar rastin pranë organeve të prokurorisë.

Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS.

Në vijim, këto njësi kontejnerike, në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet se janë transportuar drejt Portit të Triestes përmes anijeve kontejnerike ndërkombëtare. Në këtë port të Bashkimit Evropian njësitë kontejnerike nuk kanë qënë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Azinë Juglindore.

Vlen të theksojmë se konventat ndërkombëtare, dhe legjislacioni vendas i përputhur me to, parashikojnë një serë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbetjeve të tilla. Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në proces.

Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle shumë të rrepta për sa i përket autorizimeve të përpunimt dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse. Për më tepër kjo gatishmëri e institucioneve tona kombëtare është verifikuar dhe çertifikuar edhe nga  inspektime të vijueshme ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit, duke e renditur Shqipërinë si një vend të sigurt.

Institucionet shqiptare mbeten në kontakt dhe bashkëveprim me partnerët evropianë për kryerjen e hetimeve të plota dhe transparente të të gjitha rrethanave dhe të të gjithë hallkave logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Europa në Azinë Juglindore”, ka reaguar për mediat Ministria e Turizmit.

Pas kësaj ka pasur dhe një reagim nga Kurum, e cila ka pasur një përplasje me Ministrinë e Turizmit në deklarimet e saj.

Kurum International mohon që mbetjet të jenë të sajat dhe të kenë eksportuar ngarkesën.

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë per të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtesisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Pergjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.

Kurum International, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, perfshire dhe Konventen e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë”, ka thënë kompania Kurum per mediat.

Po ashtu ka pasur dhe një reagim nga Drejtoria e Doganave, e cila deklaron se anijet me mbetje nuk janë nisur nga Shqipëria, por janë transit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova.

Sipas saj, koncentrati i zinkut është me origjinë nga Kosova dhe niset nga firma “Apelbaum sh.p.k.”. Sa i përket destinacionit përfundimtar, sipas “Doganave”, pritësi i mbetjeve është firma “ACHRO AG”.

“Nisur nga informacionet disinformuese që po shpërndahen prej ditësh në media dhe po përdoren për arsye politike dhe për baltosjen e punës së Administratës Doganore Shqiptare, sqarojmë si vijon:

Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Sëitzerland.

Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOË GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China.

Sa më sipër ritheksojmë se:

• Nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë;

• Nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.

ADSH si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues”, deklaron Drejtoria e Doganave./ CNA





Lajmet e fundit nga