web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

TVSH vë në vështirësi edhe biznesin e lëngjeve të frutave

7 Gusht 2021, 12:00, Ekonomi CNA

Në vitin 2020, Saimir Canaj nga Shkodra, themeluesi i kompanisë ?Canaj?, përfundoi ngritjen e fabrikës moderne të përpunimit dhe prodhimit të lëngjeve të frutave në fshatin e Tamarës, në Malësinë e Madhe.

I pranishëm në tregun shqiptar që prej vitit 1994, me kompaninë e shpërndarjes së produkteve ushqimore, biznesmeni Canaj investoi në këtë zonë për ngritjen e fabrikës së lëngjeve të frutave, e cila shumë shpejt do të eksportojë në vendet e rajonit, BE-së dhe kontinentet e tjera.

?Cilësia e ujit shkëmbor që rrjedh nga lartësia 1,561 metra mbi nivelin e detit nga vargmalet e Alpeve shqiptare dhe maja e Sokolit në Malësinë e Madhe, punësimi i banorëve të zonës, por edhe përpunimi i frutave të egra që kultivon zona si: boronicë, thanë, manaferrë dhe shegë e egër janë arsyet pse vendosëm të ngrinim fabrikën më të madhe të Ballkanit për prodhimin e lëngjeve të frutave në fshatin e Tamarës?, pohon për ?Monitor?, drejtoresha e përgjithshme e kompanisë, znj. Suela Canaj. Përveç zgjerimit të kontratave të eksportit, prioritet i drejtuesve të fabrikës është shtimi i linjave të prodhimit, siç është ajo e reçelit dhe salcës së domates.

Prodhimi i lëngjeve të frutave prej 2014-s, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, është rritur nga viti në vit. Në vitin e pandemisë, 2020, prodhimi pësoi rënie të lehtë në raport me 2019. Nga 176,169 Hl lëngje frutash që u prodhuan në 2019, një vit më pas, sasia e prodhuar ishte 174,570 Hl. Konsumi plotësohet në pjesën më të madhe nga prodhimi vendas, në mbi 80% të tij, sipas të dhënave nga Doganat dhe Ministria e Bujqësisë.

Industrialistët pohojnë se nga fillimi i pandemisë nuk vuajnë gjetjen e lëndës së parë, por shqetësuese për ta është rritja e kostove të prodhimit në 2019 me ndryshimin e skemës së TVSh-së, nga çmimi i lartë i energjisë dhe shtrenjtimi i imputeve bujqësore në tregjet e huaja, për shkak të krizës nga Covid-19.

Për shkak të ndryshimeve të skemës së TVSH-së dhe çmimit të lartë të energjisë, përveç sektorit të përpunimit të qumështit, rritjen e kostos së prodhimit po e vuajnë edhe prodhuesit e lëngjeve të frutave. Nga 2019-a, nisi zbatimin skema e re e TVSH-së për rimbursimin, nga 20% që ishte më parë në 6% për agroindustrialistët të cilët grumbullojnë mallra nga fermeri shqiptar.

Rritja e kostove të sektorit vjen në një kohë kur kërkesa për lëngje të frutave është e lartë (kërkesa për lëngun e shegës është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë). Në anën tjetër, në tregjet botërore është rritur me 30% çmimi i imputeve bujqësore. Përveç çmimit të lartë, vështirësi ka edhe në gjetjen e ambalazhimit të shisheve të qelqit që porositen nga jashtë. Rritja e çmimit të lëndëve të para për ambalazhim ka ardhur më së shumti nga hapja e menjëhershme pas kufizimeve të gjata në ekonominë globale, duke rritur kërkesën përballë mundësive të pakta të furnizueseve.

Industrialistët e lëngjeve të frutave ngrenë si shqetësim edhe shpopullimin e zonave rurale. Emigrimi dhe largimi drejt qytetit të banorëve të këtyre zonave ka krijuar boshllëk të madh në krahun e punës. Në sezonin e vjeljeve të frutave, kultivuesit janë të detyruar të marrin punonjës larg zonave ku janë plantacionet e të mbjellave. Përfaqësues të kompanive përpunuese të frutave shprehen se kjo ka ndikuar në rënien e prodhimit, tendencë e cila u theksua më shumë në muajt e karantinës në 2020-n.Shtrenjtohen kostot e prodhimit nga ndryshimet e TVSh-së

Prodhimi vendas i lëngjeve të frutave në 2020 zinte 86% të tregut, kurse pjesa e mbetur plotësohej nga importi. Tendenca ka qenë e njëjtë edhe në vitet e tjera. Në 2019-n, prodhimi vendas zinte 85% të konsumit. Namik Shehi, administratori i kompanisë ?Kop Frut?, në Dibër, thotë për ?Monitor? se për të mbijetuar po ?shtrydh? fitimet e kompanisë, pasi kostot e prodhimit të lëngjeve të frutave janë shtrenjtuar.

Arsyeja kryesore e rritjes së kostove është ndryshimi i skemës të TVSH-së që nisi zbatimin në 2019.

?Kostot e prodhimit të lëngjeve të frutave aktualisht janë shumë të larta dhe rriten dita-ditës. Arsyeja e rritjes së kostove është skema e faturimit të TVSH-së që nisi zbatimin në 2019 dhe çmimi i lartë i energjisë. Në momentin kur ne blejmë frutat nga fermeri, automatikisht jemi 14% TVSH plus duke shtuar edhe 20% TVSH-në e blerjes.

Totali i TVSH-së që paguajmë është 34%. Skema e re është abuzive dhe antikushtetuese. Për këto arsye, duhet ndryshojë. Qeveria duhet të kthejë skemën e mëparshme. Për çdo ndryshim që bëhet, duhet të konsultohen me grupet e interesit, pasi industria jonë po vuan kosto të rënda?.

Shtrenjtimi i kostove nga ndryshimi i skemës së rimbursimit të TVSH-së ka favorizuar rritjen e importeve. Përfaqësuesi i kompanisë ?Kop Frut?, në Dibër, thotë se është më e leverdishme që frutat të sillen nga jashtë. ?Nëse lënda e parë importohet, TVSH-ja rimbursohet 20%, pasi është mall që blihet. Me ndryshimet e skemës, industrialistët vendas janë penalizuar?, thekson z. Shehi. Në 2019-n, kur nisi zbatimin skema e re e TVSH-së, importet e lëngjeve të frutave, sipas të dhënave të Drejtorisë të Doganave, u rritën 9% në raport me 2018. Në vitin 2020, për shkak të kufizimeve që shkaktoi pandemia, importet ranë 9%.

Rritja e kostos së prodhimit nga ndryshimet e skemës së TVSH-së është shqetësuese edhe për Shpëtim Osekun, nga grupi ?Agro Iliria?, i cili përpunon lëngun e shegës. Ai parashikon se do të ketë vështirësi me skemën e TVSH-së, pasi përveç produktit të kultivuar në fermë, do të jetë i detyruar të blejë edhe nga fermerët në 2022, kur do të nisë investimin për fabrikën e përpunimit të frutave.

?Deri tani nuk e kemi ndier ndryshimin e skemës së TVSh-së, pasi përpunojmë shegën e kultivuar nga ferma. Vitin tjetër parashikojmë të rrisim prodhimin e lëngut të shegës, pasi nga pandemia kërkesa është shumë e lartë. Për këtë arsye do të jemi të detyruar të furnizohemi nga fermerët dhe skema e rimbursimit të TVSH-së do të na prekë edhe ne?, ? tha z. Oseku, i cili zotëron fermën me hapësirë prej 800 hektarësh në zonën e Karavastasë së Re.

Në prill të vitit 2018, Këshilli i Investimeve Strategjike i dha ?Agro Ilirisë? statusin e investitorit strategjik për një vlerë fillestare investimi 6,6 milionë euro. Bëhej fjalë për një hapësirë fillestare prej 800 hektarësh, ku kompania kishte aplikuar dhe përfituar tokën me kontratën 1 euro, për ta shfrytëzuar për 99 vjet.
Efektet e kostove nga ndryshimet e skemës ende nuk po ndihen nga fabrikat e reja të përpunimit të frutave. Drejtoresha e kompanisë ?Canaj?, Suela Canaj, thotë se fabrika është ngritur në 2020 dhe për këtë arsye, ende nuk mund të jepet një opinion mbi ndryshimet.

Prodhuesit penalizohen nga çmimi i lartë i energjisë

Çmimi i lartë i energjisë dhe shtrenjtimi i ambalazhimit në tregjet e huaja janë të tjerë faktorë që kanë ndikuar te rritja e kostos së prodhimit të lëngjeve të frutave.?Për shkak të çmimit të lartë të energjisë, shumë frigoriferë janë jashtë funksionit, pasi nuk mund të përballojmë faturën e lartë të energjisë. Kostoja e ruajtjes së 1 kg mollëve në frigorifer për 6 muaj është 70 lekë.

Pandemia krijoi pasiguri te shumë investitorë të huaj. Për shembull, në sektorin tonë, fabrikat e huaja nga ku furnizohemi për shishet e qelqit reduktuan prodhimin, pasi ndiheshin të pasigurta për ecurinë e ekonomisë nga kriza e Covid-19. Kjo na detyroi të krijonim stoqe, pasi nuk kishim asnjë siguri nëse fabrikat e huaja do të prodhonin?, ? thotë z. Namik Shehi nga kompania ?Kop Frut? në Dibër.
Shtrenjtimi i kostove aktualisht po përballohet nga vetë industria, duke reduktuar fitimet dhe duke mos ndryshuar çmimet e shitjes për konsumatorin.

Me rritjen e kostove për shkak të TVSH-së, çmimit të lartë të energjisë që paguajnë 16,5 lekë kwh dhe parapagimet për shishet e qelqit, administratori i kompanisë nuk parashikon rritje të xhiros për muajt e ardhshëm. ?Që xhiroja të rritet, duhet të rritet gama e konsumatorëve. Fasha e blerësve është e qëndrueshme, nuk ka shënuar rritje, pasi nevojiten edhe fonde marketingu. Këtë vit, kërkesa duhej të ishte me rritje, por vazhdon të jetë stabël, siç ishte vjet dhe para pandemisë në 2019?, nënvizon z. Shehi./Monitor





Lajmet e fundit nga