web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Robert Ndrenika feston 79-vjetorin/ Një kujtesë nga jeta e tij artistike

10 Janar 2021, 12:38, Kulturë CNA

Aktori i madh, Robert Ndrenika feston sot 79 vjetorin e lindjes. Duke i uruar mjeshtrit të madh ditëlindjen e 79, po iu sjellim ndërmend pak nga jeta e tij artistike.

Robert Ndrenika lindi më 10 Janar të vitit 1942 në Tiranë. Pasi kryen shkollën në vitet 1960-1964 studioi për aktor në shkollën e lartë për aktor ?Aleksander Moisiu?.

Në vitin 1970 punoi si aktor në teatrin ?Skampa? të Elbasanit, në vitet 1970-1974 në Teatrin e Institutit të Larte të Arteve, i quajtur ndryshe Teatri i të Rinjve, dhe më pas në Teatrin Kombëtar, deri në vitin 2001 kur doli në pension. Ka kryer detyrën e drejtorit të Teatrit Kombetar në vitet 1993-1944. Në vitet 1992-1996 ka qenë i zgjedhur si deputet i kuvendit Popullor.

Robert Ndrenika shquhet për larminë e roleve, për kalime të natyrshme nga drama dhe tragjedia në komedi dhe grotesk, është lehtesisht i transformueshëm, i vërtetë, i besueshëm, me sens të spikatur realist, skicues i karaktereve të goditura.

Ka qenë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe ?Stinë e mërzitshme në Olimp? të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës.

Nga dramaturgjia e huaj mund te përmendim “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe ?Kopraci? të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë? e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe? dhe ?Cilindri? të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, ?6 vjet shtatzënë? e Cikliropulosit, ?Pulëbardha? e Anton Çehovit, ?Histori zooparku? e Ollbit, etj.

Në kinematografi ka interpretuar mbi 30 filma, midis te cilëve mund të përmendim “Horizonte te hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert ne vitin 1936”, “Bolero” etj.

Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe ne Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”. Eshte nderuar me titullin “Nderi i Kombit”./ CNA.al





Lajmet e fundit nga