web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Unë jam Pakica, Unë jam Teatri

24 Korrik 2019, 17:23, Aktualitet CNA

Nga Arian Galdini

Asnjë minorancë nuk do ta pengojë dot prishjen e Teatrit, shkruante sot Edi Rama.

E lexova dhe rilexova e nuk po u besoja syve.

Prej kohësh e shpesh kam shkruar për fenomenin Edi Rama si njeri i kulturuar vetëm artistikisht dhe krejt i bunkeruar demokratikisht.

Fati i keq i shqiptarëve është se ky ka vendosur që ti bëjë edhe artin edhe politikën, jo prej dimensionit të kulturës artistike, por nga thellësitë e bunkerit antidemokratik.

Andaj e sheh politikën si estetikë e komunikim publik, dhe hapjen e ekspozitave si akt politik.

Ky vepron e vjen si fenomen politik tek ne nga akset më të zdrëngthta të mendimit e veprimit.

E ka kthyer Qeverisjen në shprehi estetike dhe ekspozitat e tij të pikturës në veprimtari Kryeministrore.

Kjo e ka bërë që të ndihet në garë e konflikt me këdo.

Opozitën e ka parë  ngahera dhe ende e sheh si prapanike, të shëmtuar, rurale, protestën e studentëve në dhjetor e shihte si grabitëse të “modernitetit” që ky mendon se e ka atributin themelor si KM, mediat i sheh si kazan, mendimin ndryshe a kritik e sheh si katunaresk, e kështu me radhë.

Pra gjykimi dhe përkufizimet e tij mbi gjithçka që nuk e ka nën kontroll a të vetën është vetëm bazuar tek vizualja si njësi matëse.

Edhe fushatën e bën me tepsi, timon, filxhan, e objekte të tilla që qasjen e përkufizimit që Rama u bën premtimeve a kundërshtarëve të jenë sa më afër vizuales.

Është kjo logjikë dhe kjo antikulturë demokratike e Edi Ramës që shkruan për “minorancë” në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Ai vetëm sheh numrat.

Por le tia themi nja dy gjëra KM Rama se ndoshta edhe lexon, më shumë se 150 gërmat e twitterit dhe tekstet e statuseve facebook.

Ç’lidhje kanë numrat me kauzat?

Edhe 2 vetë po të ishim ne sot aty tek Teatri, edhe 2 vetë po të kenë qenë, edhe 2 vetë po të vijojnë të jenë, kjo nuk vendos aspak mbi drejtësinë a jo të kauzës.

Aspak.

Psh, unë isha i vetëm para 4 viteve kur zbulova skandalin e ilaçeve dhe gjendjes së sistemit shëndetësor.

Asokohe ndonëse çështja që unë ngrita kundër mafias farmaceutike, kundër korruptopatit Ilir Beqaj dhe kundër mizorisë së sistemit shëndetësor shqiptar, ishte lajm i parë në çdo media, TV e gazetë për pothuajse 3 muaj, unë mbeta gjithësesi vetëm.

Edhe kur bëja thirrje që qytetarët të më bashkoheshin në Forume Publike apo në Protesta në shesh, numrat ishin kaq të vegjël sa mua shpesh më mbyste dëshpërimi.

E megjithatë për asnjë çast nuk e kam menduar se numrat e vendosur për tu përballur në krah të kauzës që po përfaqësoja asokohe, përcaktonin drejtësinë apo jo të asaj kauze.

Sot e gjithë shoqëria e ndjen atë kauzë si të vetën.

Vetë KLSH – Kontrolli i Lartë i Shtetit sapo ka publikuar një Raport Auditi mjaft profesional dhe të detajuar duke konfirmuar zyrtarisht gjithçka që unë kam thënë në janar – mars 2015 e deri në ditët ku jemi.

Pak kemi qenë edhe kur kemi protestuar kundër importit të plehrave.

Pak fare kemi qenë edhe kur kemi protestuar e ngritur zërin për sigurinë ushqimore.

Numrat nuk kanë qenë kurrë në Shqipëri në krah të kauzave.

Numrat në Shqipëri i kanë bërë dhe i bëjnë vetëm partitë dhe pushtetet.

Vetëm në 2 raste janë bërë numrat jashtë partive dhe kauzave në Shqipëri, në vitin 1997 kur shqiptarët humbën paratë tek firmat piramidale dhe tek protesta kundër armëve kimike kur i bashkoi FRIKA.

Të vish nga roli i KM Estetik dhe të ngrefosesh me statuse facebooku tek shkruan se numrat janë tregues të drejtësisë apo jo të kauzave veç demaskohesh si instalacion vjetërsirash në Bienalen e Jetës së Shqiptarëve, duke u vetësugjestionuar si moderniteti i munguar e për rrjedhojë i penguar.

Po mirë pra, ja ku jam unë.

Nuk jam i PD. Jam i LDE.

Nuk jam i “Opozitës Rrugore”, jam i Opozitës, jam i opozitës së djathtë, jam i LDE – Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë që hyri në zgjedhjet e 30 qershorit.

Nuk jam as me Lulin, as me Monën, as me Presidentin.

Jam me Teatrin.

Jam pakica.

Çfarë do më thuash mua?

Si do më shash apo etiketosh?

Ndërkohë që unë i kam dy fjalë për ty.

A e di ti pse unë mendoj se ti je rrezik publik?

Sepse ti je Sundimtar Shtegëtar.

Ti ke ardhur në pushtet për të përzënë shqiptarët, plaçkitur Shqipërinë e për të shkuar të jetosh gjetkë si bohem zengjin jetën tënde të tretë.

Sepse ti edhe shtëpinë që e bëre në Shqipëri e bëre si bunker, sepse ti e sheh veten këtu si i huaj, si ikanak, si në gjendje lufte me vendin dhe vendasit.

Ti do që të sundosh si pushtues që vjen, mer dhe ikën.

Shpesh kam pyetur veten se përse ky njeri ka vizion qytetërimin e shkulje-nguljes? Pse?

Pse ky shkul stadiumin kombëtar, e në rrënojat e tij ngul arenën kombëtare me kullë?

Pse ky shkul Sheshin Skënderbej për të ngulur një parking nëntokësor me sheshin si çati?

Pse ky do që të shkuli Teatrin Kombëtar, që të nguli ca Kulla me një Teatër?

Pse pra ky zhvillimin e sheh veç në Qendër? Pse?

Sot si pakicë protestuese aty tek Teatri, e kuptova.

Nëse ky do të ishte një udhëheqës që do vendin e tij, popullin e tij, qytetarët e tij, zhvillimin real, do të kishte prioritet policentrizmin e qyteteve.

Në fakt, qytetet e zhvilluara demokratikisht e çojnë zhvillimin në skaje duke bërë shumë qendra.

Ky ka si kryeprioritet e si kryekrenari të tijën Rilindjen Urbane, pra as më shumë e as më pak veç Zhvillimin Urban Shkul – Ngul.

Në vend që ta shpërndajë zhvillimin në skaje për ti dhënë të gjithë qytetit dhe të gjithë qytetarëve qendrën e tyre pranë shtëpisë, ky rend e rend veç drejt Qendrës së vetme.

Pse ta prishte Stadiumin Kombëtar?

A nuk mund ta ndërtonte një Stadium të ri në njërën nga periferitë e Tiranës e aty të nxiste krijimin e një qendre të re jete e biznesesh rreth tij?

Po Teatrin Kombëtar, pse u dashka ta prishë? Pse?

A nuk mundet ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar diku në një nga periferitë e Tiranës  dhe aty rreth tij ti jepte jetë një qendre të re të Tiranës?

Po ta donte Shqipërinë dhe po ti donte vërtetë shqiptarët ky KM, kështu do të bënte, do ngrinte disa qendra te reja zhvillimore në Tiranë, diku me Stadiumin e diku me Teatrin e kështu me radhë.

Por jo.

Ky nuk do që të zhvillojë Tiranën.

Ky do që të bëjë zhvillim pronash.

Sepse ky është plaçkëbërës dhe pikë.

Po or po, unë jam Pakica, unë jam Teatri, por ti z. KM je plaçkëbërësi dhe turp të të vijë.

Edhe talebanët shumicë ishin kur i shkatërruan me bazuka statujat gjigande të Budës./CNA.al





Lajmet e fundit nga