web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bastet si thikë me dy presa/ Rama duhet të gjejë të mesmen e artë

21 Tetor 2018, 14:08, Aktualitet CNA

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka filluar një betejë të cilën e quan ligjore,në lidhje me bastet sportive, lojërat elektronike dhe të tjera si këto. Duke bërë studime të herëpashershme dhe sondazhe, ai ka gjetur dhe zbuluar  shumë problematika, që lidhen me bastet sportive dhe lojërat elektronike.

Në fakt duhet të pranojnë diçka, që kumari ka lindur me njeriun, është i lashtë dhe askush në botë nuk ja ka gjetur zgjidhjen. Edhe në Shqipëri kur ndalohej me ligj dhe kur ishte diktatura komuniste, njerëzit mblidheshin dhe vinin baste në të zezë.

Qëndrimin i kryeministrit për mbylljen e kazinove elektronike, që janë bërë si kërpudha dhe duhet të futën në hotele me 5 yje, është i drejtë. Është një rast që opozita dhe shoqëria duhet ta mbështesin. Mbyllja e sallave elektronike, që janë hapur kudo në qytetet tona dhe vendosja e tyre në zona turistike apo hotele me 5 yje, duke pasur një strategji dhe një studim të paracaktuar, do të bënte shumë mirë, sepse do të ulte fluksin e atyre që luajnë atje.

Por përtej kësaj kryeministri ka një qëndrim për bastet sportive dhe argumentat që japin mediat pro apo kundër saj. Ka një qëndrim të Ramës për ndalimin 100 % të basteve sportive dhe atyre online, apo dhe deklarata e fundit e tij për mbylljen e kompanive online të basteve që operojnë në Shqipëri. Në fakt ky është qëndrimi i Ramës, ndërsa kundërshtarët e tij thonë se nuk duhet të ndalohen, por duhet bërë formalizimi i plotë dhe kontroll më i drejtë i tregut.

Por ka edhe një qasje të tretë, e cila duket se është më realiste, që thekson se kryeministri ynë gabon në qëndrimin e tij. Nuk mund të jetë drastike mbyllja, pasi do të japë sjellë pasoja negative, pasi qindra miliona euro do të shkojnë jashtë vendit. Ata që luajnë baste sportive kryeministri nuk do të mundet ti pengojë kurrë, pra një kategori të caktuar. Rama ashtu siç veproi në rastin e kazinove për ti futur në hotele me 5 yje, mund të bënte të njëjtën gjë edhe me bastet sportive.

Së pari nëse në Shqipëri operojnë 4500 pika bastesh sportive, ato mund të reduktoheshin në 500 në të gjithë Shqipërinë, kjo mund të ishte një zgjidhje. Mund të vendoseshin baste online të cilat të kishin kritere shumë të forta. Pra të mos luhej bast më shumë se një vlerë e caktuar, çdo klient i basteve online të ishte i regjistruar me kartë identiteti dhe të tjera si këto, apo maksimumi i sallave në të gjithë Tiranën të ishte 5 apo 10, ku njerëzit mund të shikonin lehtësisht edhe sport.

Por kryeministri nga ana e tij duket i vendosur që ti mbyllë dhe të ketë një qëndrim drastik ndaj tyre, që do të sjellë edhe mbylljen e tyre finale. Por kjo ka edhe një kosto të cilën kryeministri nuk na e thotë. Një pjesë e madhe e kompanive të basteve janë të licensuara dhe kanë afat përtej viteve 2021-2022. Një mbyllje me vendim qeverie do të sillte një tjetër dëm për xhepat e shqiptarëve, përtej atyre që lënë bastet.

Çfarë do të ndodhte? Padia në gjykatë. Vajtja në Strasburg do të sillte një kosto disa dhjetëra qindra miliona euro për buxhetin e shtetit. Dikush mund të shkojë tek teza që më mirë shteti ti paguajë këto dhe të shpëtojmë njëherë e mirë.

Por një llogari të thjeshtë duhet ta bëjë dikush tjetër. Sa është dëmi për xhepat e shqiptarëve së pari ? Dhe e dyta, midis lojërave të fatit e basteve sportive dhe kalimit në zero, pra dy krahëve ekstremë, cilat do të qenë pasojat? Të dyja zgjidhjet, pra edhe abuzivizmi, sjell miliona euro dëm për xhepat e shqiptarëve apo edhe pastrim parash dhe fenomene të tjera negative.

Ndërkohë edhe mbyllja 100% dhe zhdukja e tyre nga tregu shqiptar, do të sillte kalimin jashtë të dhjetëra miliona eurove të tjera të atyre që luajnë baste online, të cilët do të gjenin një zgjidhje tjetër, sepse teknikisht Rama nuk mundet ti mbyllë 100%  bastet online, sepse me një aplikacon në celular mund ta ndryshosh IP.

Prandaj kryeministri duhet ta kuptojë që çdo zgjidhje drastike, çuarja e miliona eurove jashtë, do të sillte një treg të zi. Prandaj gjella me kripë e kripa me karar thotë populli. Një zgjidhje më e mirë do të duhet nga kryeministri, pasi të gjithë janë pro mbylljes së kazinove elektronike, por të gjithë kanë kritika mbi qëndrimin e tij, në lidhje me mënyrën sesi duhet të sillet me kompanitë e basteve.

Ne nuk futemi tek ata persona që mbështesim kompanitë e basteve as lojërat e fatit, përkundrazi, themi që lojërat e fatit, kazinotë duhet të mbyllen 100% dhe të çohen në hotele, ndërsa bastet sportive duhet të kontrollohen, duhet të reduktohen deri në 90%, çka do të linte hapësirë në treg për disa gjëra.

Së pari nuk do të kishte padi nga subjektet që kanë licensat dhe nuk do të shkonin në Strasburg e të na merrnin qindra miliona euro nga taksat tona. E dyta, nuk do të shkonin shuma të mëdha parash për kompanitë e huaja të basteve, sepse një pjesë e atyre që luajnë, nuk flas për kastën e të përditshmëve që shkojnë për të parë ndeshjen dhe lënë 5 apo 10 mijë lekë, por për ata që luajnë, të cilët nuk i ndalon kryeministri në këtë sistem. Një reduktim deri në 90 % do të bënte që edhe këto para të mos dilnin jashtë vendit, por të kontrolloheshin menaxhoheshin dhe të mbeteshin në Shqipëri.

Kjo çon në konkluzionin, se zgjidhja e ofruar nga Rama do ti japë pasojat financiare, ashtu siç i ka dhënë edhe kaosi i krijuar në tregun online të lojrave elektronike. Kaos ky i toleruar, i ndërtuar dhe i bërë nga qeveria Rama.

Për mbylljen po japim disa detaje. Kanë qenë rreth 800 pika bastesh të licensuara në 2013-ën, ndërsa sot janë 4500 dhe po kaq flitet se janë informale, pra kemi rreth 14 herë më shumë pika bastesh se 5 vite më parë. Këto vite Rama ka pasur mundësi ti reduktojë. Nga 800 mund ti çonte në 300. Kjo do të ishte një zgjidhje që do të mbështetej nga të gjithë. Nuk do të kishte pika bastesh në çdo cep të qyteteve tona.

Por kryeministri ka bërë zgjidhjen drastike, e cila ashtu si kaosi i krijuar, do të ketë kosto dhe pasoja të forta për qeverinë shqiptare dhe do të nxjerrë jashtë miliona euro të lojtarëve, të cilët do të sigurojnë mënyrën e tyre për të luajtur, gjë që Rama nuk e pengon dot dhe për këtë duhet të jetë i bindur. Nuk mund ta ndalë përderisa jetojmë në një sistem kapitalist.

Këtu kujtojmë atë që përmendëm në kohën e diktaturës. Atëherë nuk lejohej, por të gjithë ata që kishin dëshirë, luanin baste. Në Korçë tek prefektura, në Tiranë tek Teatri i Operas, dhe kështu me radhë në çdo qytet, kishte një vend ku në diktaturë luheshin baste.

Prandaj kryeministri nuk duhet ta çojë sërish në të zezë këtë pjesë, por duhet të gjejë një hapësirë që do të çonte nga kaosi i krijuar në formalizimin e plotë dhe uljen deri në 90% apo 98 % të pikave të basteve që operojnë në Shqipëri, duke i futur ndoshta brenda hoteleve me 5 yje.

Mund të ishte një zgjidhje kjo, por gjithsesi kryeministri ka marrë  flamurtarin e zgjidhjes së këtij problemi dhe të shohim ku do të shkojë dhe si do të përfundojë kjo çështje. /CNA.al





Lajmet e fundit nga