web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një "replikë" me Agim Xhafkën/ Partia e kunatit dhe partia e demokratëve

23 Mars 2018, 19:12, Aktualitet CNA

Gazetari me pendë të mprehtë, Agim Xhafka, sot ka publikuar në rrjetet sociale një takim të tij me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Duket i ekzaltuar përtej humorit, thumbave dhe satirës së tij. Është i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë, aspak konfident.

Xhafka si një rrëfyes i mirë, flet në ligjëratë të drejtë, tregon takimin e tij me Berishën, ” Fajtor është udhëheqja, edhe Basha. E nisi me marrëveshjen, që e quan me stil kadareian, puthja e vdekjes. Jo për ditën kur u dakordësuan, por më vonë kur ai shtrëngim duarsh u shit nga socialistët si favor për PD-në. E ndërsa Rama tallej fshatrave duke e quajtur Bashën cun të mirë, PD-ja duhej të agresohej, ndaj baza u ftoh dhe tani ajo është vagull.”, shkruan ai.

Më tej shton: “Për listat nuk ke pse e pyet. Ta thotë vetë. Gabim, shumë i madh. Nuk fshihet fibra e PD-së me një të rënë të lapsit. E kur e sheh me dyshim, ai shton:? Si ishin listat i mësova nga media? Duhet ta shkruajmë në Kuvend që kandidatët përzgjidhen.
Sali Berisha humbi zgjedhjet e 2013, iku nga drejtimi i saj, por nuk ka ikur partia prej tij. Duket sikur është dorëhequr Basha dhe drejtuesit e sotëm me plogështinë që duket.
Nga biseda kupton se kjo parti ka hyrë në cikël rikuperimi. Njësoj si njeriu kur sëmuret dhe operohet. Pret t?i mbyllet plaga, të heqë penjtë e të futen në lojë fizioterapistët për ta aftësuar.
Edhe pas Theçerit në Angli u larguan tre kryetarë deri sa i katërti i solli në pushtet. Pyetjes në se Basha duhet të dorëhiqet po humbi lokalet 2019,lëshon fjalinë, se unë përjerë e kam deklaruar, po humbja iki. Dhe e provova.”

Në fund përtej një vlerësimi personal për Berishën, shkruan: “-Doktor,je si Kisha e Lacit.
Dola jashtë dhe rruga më nxori para SHQUP-it. Qetësi, heshtje, veç ca makina që flinin në oborr. Parti me dy seli. Dhe nuk dija të dalloja se cila ishte e para…”

Agim Xhafka, besojmë prej kohësh e ka kuptuar, atë që ka thënë Berisha, megjithëse si shumë e shumë të tjerë ka shpresuat tek Lulzim Basha.

Në fakt këtë replikë me një gazetar kaq thumbues, si Xhafka, e bëjmë vetëm për t’i thënë, se diku ka “gabuar”.

PD nuk është parti me dy seli.

Partia Demokratike, ka një institucion, që është lideri historik Sali Berisha. Partia Demokratike ka në kryetar të paaftë, të pabesë, të korruptuar, të keqpërdorur, se për të më shumë vlen kunati dhe familja sesa demokratët, dhe ky është Lulzim Basha.

I dashur Gimi, ka edhe një PD të vërtetë, që janë ata qindra mijë demokratë të tradhtuar dhe të fyer, të shkelur dhe të përbuzur, që shpirtin e kanë flakë, që mendjen e kanë të ndritur, që ndoshta janë shumë të mërzitur me Sali Berishën, që nuk e kanë pranuar kurrë Lulzim Bashën, apo shumë prej tyre me zor e panë si zgjidhje të imponuar.

Votuan dhe nuk votuan, folën dhe nuk folën, kritikuan dhe ndoshta u servilosën, diku me të mirë e diku me të keq, diku u keqpërdorën e diku u mashtruan, ca u blenë e ca paguan, kjo e fundit është në Parlament, janë ato listat e neveritshme.

PD-ja është një parti që ka lider historik Sali Berishën, që ka kryetar në detyrë Lulzim Bashën në godinën e tij të “SHQUP-it”, por që kurrë nuk u bë kryetari i vërtetë i tyre.

Berisha e ka thënë më herët, sot publikisht, ti Gimi ia nxore “të palarat”, sepse ai e di shumë mirë dhe e ka kuptuar se ka përgjegjësinë e tij për Lulzim Bashën në krye të PD-së. Berisha nuk është fajtor, por është mëkatar si të gjithë ne.

Nuk ka një parti me dy seli, i dashur Gimi, ka vetëm një parti, ajo e demokratëve të mërzitur me Berishën, të vërtetë me Berishën, mbështetës të Berishës, të pakënaqur nga një qeverisje, të zhgënjyer nga problematikat e saj, dhe këta në PD janë shumicë, që qëndrojnë jo duke gjykuar ato që thamë pak më lart, por duke “fajësuar” Sali Berishën, pse herën e parë vendosi Lulzim Bashën, në krye të PD, pse herën e dytë e mbështeti.

Megjithëse të gjithë e vlerësojnë dhe mbështetin Sali Berishën, ata ia kanë “falur” gjithçka atij, por kurrë nuk mund të pranojnë, partinë e kunatit dhe të vjehrrit. I vdekuri, nuk ngjallet dot, kjo të paktën nuk është provuar ende më që pas Krishtit me Llazarin.

Prandaj i dashur Gimi, problemi nuk janë dy selitë, Berisha është dhe do të ngelet institucion në PD, deri ditën e fundit që ai do të ketë frymë. Problem janë qindra e mijëra demokratë të braktisur, të tradhtuar dhe të zhgënjyer, që gjithçka ia kanë pranuar dhe falur Sali Berishës, por kurrë nuk mund të qeshin kur PD-ja lëngon, kur demokratët qajnë e Luli prapë qesh.

PD-ja e vërtetë është çdo demokrat, në Shkodër, Lezhë, Durrës e Tiranë, në Vlorë, Elbasan e Korçë. Gjirokastër Fier e Dibër, në Tropojë, Kukës, Lushnjë e Ksamil, në Librazhd, Devoll e Kolonjë.

Këta janë problemi, këta janë partia e vërtetë, dhe këta janë demokratët, janë një dhe të braktisur nga Lulzim Basha, dhe që mbajnë sytë nga Sali Berisha, i cili është i qartë ashtu siç ti miku ynë gazetar e kuptove pak me vonesë.

Demokratët sot i shikon të bindur, se “Pranvera me një lule nuk vjen”, pa folur për një lule me farë holandeze që nuk mundi të çelte kurrë, por u puth nga vdekja, dhe nuk u prek kurrë nga një bletë që t’i merrte pjalmin.

Partia e kunatit nuk mund të jetë kurrë partia e demokratëve! /CNA.al





Lajmet e fundit nga