web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Milionerët e drejtësisë/ 154 gjyqtarë nuk justifikojnë dot pasurinë

22 Shkurt 2018, 09:21, Aktualitet CNA

Rreth 57 për qind e gjyqtarëve të shkallës së parë në Shqipëri dështojnë në testin e justifikimit të pasurisë të paktën për një vit të deklarimit, zbulon një studim i BIRN i bazuar në praktikën e kontrollit aritmetik dhe logjik të deklaratave të pasurisë.

Studimi evidenton se 154 gjyqtarë nga 268 gjithsej kanë diferenca të pajustifikuara të pasurive të tyre të deklaruara, të cilat kapin në total vlerën e 698 milionë lekëve.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë familjare të 268 gjyqtarëve të rretheve gjyqësore, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese për të drejtë informimi.

Gjyqtarët e shkallës së parë përbëjnë rreth 65 % të të gjithë korpusit të gjyqtarëve dhe janë të shpërndarë në 23 gjykata të rretheve gjyqësore në vend.

Në analizë u përfshinë 3128 deklarata pasurie gjithsej, të cilat u përkasin viteve të deklarimit 2003-2016. Pasi u hodhën në një database, deklaratat iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike-një nga format e kontrollit që ILDKPKI përdor për të hetuar pasurinë e zyrtarëve të lartë.

Të dhënat e përftuara tregojnë se vetëm 114 gjyqtarë nga 268 gjithsej arrijnë të mbulojnë me burime të deklaruara pasurinë e shtuar përgjatë 13 viteve. Ndërsa 154 gjyqtarët e tjerë rezultojnë të kenë shtim të pajustifikuar të pasurisë për një ose më shumë vite të karrierës së tyre.

Diferencat e pajustifikuara zënë 17 për qind të totalit të pasurisë neto që gjyqtarët e shkallës së parë zotërojnë së bashku-pasuri që kap vlerën totale të 4 miliardë lekëve.

Gjykata më problematike në justifikimin e pasurisë rezulton ajo e Sarandës, ku 27.7 për qind e deklaratave të analizuara kanë diferenca të pajustifikuara të pasurisë. Në vendin e dytë renditet Gjykata e Dibrës me 20 për qind të deklaratave dhe në vendin e tretë ajo e Pogradecit me 18 për qind të deklaratave me probleme.

Të dhënat e siguruara nga studimi tregojnë se gjyqtarët e shkallës së parë në vend e kanë trefishuar pasurinë e tyre përgjatë 13 viteve të deklarimit në ILDKPKI. Në vitin 2003, gjendja fillestare e pasurisë së gjyqtarëve të shkallës së parë kapte vlerën e 1.18 miliardë lekëve, ku pasuria mesatare e një gjyqtari llogaritet rreth 4.4 milionë lekë.

Ndërsa në fund të vitit 2016, shuma totale e pasurisë bruto të tyre kap vlerën e 4.5 miliardë lekëve, të ndara mesatarisht në 17 milionë lekë për gjyqtar.

Njësoj si gjyqtarët e shkallëve më të larta, edhe gjyqtarët e rretheve kanë piketuar tregun e pasurive të paluajtshme për investimin e të ardhurave të tyre. Sipas studimit, rreth 56.7 për qind e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuri të paluajtshme që kapin vlerën e 2.6 miliardë lekëve./BIRN

 





Lajmet e fundit nga