web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të gjitha faktet/Edi Rama në aksion për Bashën kryetar

18 Korrik 2017, 20:08, Aktualitet CNA

Disa muaj më parë kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha bënë një marrëveshje. Një marrëveshje që ka shumë pikëpyetje, shumë të panjohura dhe që shumë demokratë, socialistë, politikanë karriere dhe njerëz të skenës politike, media dhe më gjerë kanë kërkuar të gjejnë se cili ka qenë thelbi dhe e vërteta e 3 orëve bisedë midis dy drejtuesve të dy partive kryesore politke në vend.

Në atë kohë gjithçka u interpretua politikisht, opozita po hynte në zgjedhje kishte marrë të gjitha garancitë se votat nuk do vidheshin, rrëzoi gjysmën e qeverisë, Lulzim Basha mori shumë ministra, shumë drejtorë dhe filloi të zhvillonte një fushatë, ku zhduku logon e PD, nxori përpara Republikën e Re.

Edi Rama nga ana e tij zhvilloi një fushatë me frymë nacionaliste, me flamuj kombëtarë, me 25 qershor u votua, me datë 28 socialistët kishin thuajse të njëjtat votat të 2013.

LSI rritej nga 4 vite më parë rreth 50 mijë vota, ndërsa Partia Demokratike rrudhej rreth 200 mijë vota, që në fakt duket se ishin votat e një bojkoti të gjerë, që i ishte bërë Lulzim Bashës në ato zgjedhje.

Një bojkot që ka shumë pikëpyetje dhe është analizuar në forma të ndryshme siç janë, tradhtia që ai u bëri kauzave të demokratëve, një opozitë e dobët dhe e pavlerë. Një parti e çorganizuar në katër vite, lista të dobëta elektorale e të tjera si këto, por gjithsesi ka një finale dhe finalja ishte rezultati.

Pas këtyre zgjedhjeve Lulzim Basha ndezi motorët për të tentuar apo për të siguruar edhe njëherë për katër vite postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

Në këto zgjedhje ka një garë false, ai ka përballë Eduard Selamin. Në këto zgjedhje ka një garë edhe më false, sepse nuk ka lista të votuesve, ato fshihen, ka komisione elektorale të vendosura nga vetë Lulzim Basha.

Kreu demokrat ka hyrë në një garë, ku nuk ka dhënë ende dorëheqjen dhe kërkon të rivalizojë duke mbajtur postin e kryetarit, ushtron presion, përdor grupe të ndryshme, interesi, banda, dhune, kryetarë të zgjedhur, lista deputetësh etj, krejtësisht për interesat e tij personale.

Por, kjo ka edhe një detaj tjetër, pra pjesa e atyre që po përdor Lulzim Basha për të siguruar postin e kryetarit të PD. Një pjesë që ende nuk është thënë publikisht është mbështetja që Edi Rama po i jep Lulzim Bashës, për t?u zgjedhur në krye të PD.

Në Korçë një ditë më parë është zhvilluar një takim i Lëvizjes për Ringritjen e PD, ku të pranishëm kanë qenë qindra demokratë, të cilët ishin 4 apo 5 herë më shumë se sa ata që morën pjesë në takimin e Lulzim Bashës 10 ditë më parë.

Një takim ku u debatua fort dhe ndryshe nga takimi i parë, ku nuk foli askush dhe cicëroi vetëm Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Dje pati edhe debate të forta, pati edhe reagime nga salla, ndonjë person e ngriti zërin më shumë edhe se sa duhej.

Por kush i dërgoi këta njerëz dhe pse shkuan, çfarë thanë? Në fakt disa tatimorë, ish personazhe, të larguar nga detyra apo biznesmenë, kush i korruptuar, kush i dënuar etj, të cilët nxirrnin dufet personale dhe mbështesnin Lulzim Bashën. Ata nuk janë asgjë tjetër, thjesht dhe vetëm instrumenta të kreut të PD në Korçë, Andrea Manos.

Andrea Mano i njohur ndryshe Aldo Mano, një ish drejtor Arsimi, i akuzuar se merrte 2 mijë euro për një post mësuesi, aktualisht kryetari i PD së Korçës, prej 4 vitesh, i zgjedhur me mbështetjen e Lulzim Bashës, i rekomanduar nga Genc Pollo dhe Enno Bozdo është njeriu që tentoi dje të krijonte një incident në sallë dhe jashtë saj, gjatë një takimi elektoral, ku merrnin pjesë shumica e strukturave të demokratëve të ketij qyteti.

Por kush është Andre Mano? Andrea Mano është një mik i ngushtë, ish ortak në biznese me Niko Peleshin, shok fëmijërie të rritur sëbashku. Niko Peleshi, aktualisht kreu i listës së socialistëve, në qarkun e Korçës, ish zëvendës kryeministër deri pak kohë më parë dhe me shumë gjasa do të marrë atë post edhe në qeverinë e ardhshme.

Gjithsesi Mano dhe Peleshi janë një dyshe e pandashme. Në vitin 2007, kur Niko Peleshi kandidonte për Bashkinë e Korçës, Andrea Mano kryetar i PDR dhe drejtor i Arsimit, porosiste mësuesit dhe mbështetësit e tij që të votonin Niko Peleshin për kryetar Bashkie.

E rivalizoi, në fakt në thonjëza e rivalizoi, pasi e shiti Bashkinë e Korçës dhe Niko Peleshi rimori mandatin e dytë.

Dje ishte koha që Andrea Manos t?i bëhej një qokë. Një qokë nga Niko Peleshi, miku i tij. Kuptohej që Niko Peleshi do ta mbështeste Andrea Manon në krye të PD. Sepse i duhet një kryetar i dobët, një PD inaktive, konfliktuale dhe e përçarë. Nuk i duhet një PD me analiza, me fakte dhe e moralshme, e mbështetur nga intelektualët dhe qytetarët, sepse kjo PD e vërtetë do ta rrëzonte shumë shpejt Niko Peleshin nga pushteti.

Niko Peleshit i duhet Andrea Mano në krye të PD, i cili dje duke përdorur Niko Peleshin, duke përdorur edhe sejmenë rreth tyre, tentuan të krijonin një incident, një incident të dështuar, por ama dje na treguan një të vërtetë.

Aleanca Mano Peleshi në Korçë vazhdon dhe dje ajo e nxorri fytyrën e saj. Të gjithë e panë se Niko Peleshi po përpiqet të ndihmojë edhe me aksion konkret Andrea Manon dhe njerëzit e tij, të cilët tentuan të bëjnë incidente.

Nga ana tjetër nuk ka asgjë të fshehtë tashmë. Dyshi i qeverisë Rama, nuk është gjë tjetër thjesht dhe vetëm një njeri i orientuar nga vetë kryeministri që Lulzim Basha duhet mbështetur fort në garën për kryetar të PD dhe dje Niko Peleshi nuk bëri asgjë, thjesht zbatoi urdhrin e radhës.

Ai mbështeti Andrea Manon dhe disa individë rreth tij që të sulmonin apo të tentonin të prishnin një aktiv të demokratëve për të mbështetur Lulzim Bashën.

Ky është përfundimi, Edi Rama po mbështet Lulzim Bashën me të gjitha mënyrat. Nga jugu në veri, kudo strukturat e PS, drejtuesit e qarqeve të Partisë Socialisteve, ata që kanë kryesuar listat e dëputetëve, kanë marrë orientim që të mbështesin Lulzim Bashën në krye të PD.Në çdo lloj mënyre dhe me çdo lloj mjeti.

Ashtu siç i duhet Andrea Mano, Niko Peleshit në Korçë për të pasur një PD të dobët, ashtu i duhet edhe Edi Ramës në krye të PD, Lulzim Basha për të pasur një PD edhe më të dobët, për të pasur një jetë më të qetë politike dhe një jetëgjatësi më të sigurt në qeveri.

Këto fakte u zbardhën, u zbardhën në Korçë dhe po zbardhen kudo, tashmë Edi Rama ka filluar fushatën në mbështetje të Lulzim Bashës. Këtë e tregoi në Korçë Niko Peleshi me Andrea Manon. /CityNews





Lajmet e fundit nga