web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kosova e pompave dhe moteleve/Importon miliarda euro produkte

5 Mars 2017, 18:41, Aktualitet CNA

Politikat ekonomike dështuan, sipërmarrja private në situatë të vështirë.

“Kosova ka 15 vjet që po qëndron në nivel të njëjtë të eksportit, prej 300 milionë euro në vit, pa asnjë rritje të vetme. Ndërkaq, importi nga viti në vit ka shënuar rritje, kështu që në vitin 2016 ishte 2,8 miliardë euro. Krejt kjo për shkak të politikave jostimuluese për sektorin e prodhimit dhe të agro- industrisë. Sektori i prodhimit është ai që punëson njerëzit, prandaj kemi një papunësi kaq të lartë dhe një eksport kaq të vogël?Nëpërmjet lehtësirave dhe stimulimeve, automatikisht do të ndikohej në orientimin e investimeve të reja në prodhim, e jo në pika karburanti dhe në motele pa fund”, ka thënë eksperti Milazim Abazi,raporton Gazeta Kosova Sot

Që nga paslufta e deri më sot Kosova është shndërruar në një treg konsumues, duke importuar mbi 90 për qind të produkteve të ndryshme. Deficiti tregtar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, arrin në mbi 2 miliardë euro në vit. Tregtia është aktiviteti më i preferuar në Kosovë dhe sipas të dhënave zyrtare numri më i madh i kompanive të regjistruara janë ato të sektorit të tregtisë. Ndërkaq edhe shifrat e ASK-së për bilancin tregtar të muajit të parë të vitit 2017 tregojnë se eksportet e Kosovës mbeten të dobëta dhe deficiti i thellë tregtar po rritet. Analistët, shoqëria civile dhe njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se në asnjë mënyrë Qeveria ‘Mustafa’ nuk mund të mburret me këtë realitet të zymtë ekonomik. Sipas tyre, nuk mund të ketë zhvillim ekonomi të një vendi ku hapen vetëm pompa benzine, motele e kafe. Ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2017. Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.7 për qind në muajin janar 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016, gjegjë- sisht në vlerë prej 125.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 110. 3 milionë euro në vitin 2016. Eksporti mbulon importin me 14.6 për qind. Eksporti i mallrave në muajin janar 2017 kishte vlerën 21.4 milionë euro, ndërsa importi 146.8 milionë euro, ku është një rënie prej (minus 3.7 për qind) për eksport dhe një rritje prej 10.8 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Prodhimtaria pa mbështetje Sipas njohësve të çështjeve ekonomike dhe deputetëve të opozitës, ky deficit i lartë tregtar paraqet një shqetësim mjaft të madh për ekonominë e Kosovës. Deputeti i opozitës, Salih Salihu (Lëvizja VV), tha se Kosova nuk ka prodhim dhe me këtë politikë zhvillimore është shndërruar në treg konsumues.”Ne konsumojmë mbi 90 për qind të të mirave materiale që i importojmë nga vendet e tjera. Nëse nuk ka prodhim brenda ekonomisë së një vendi, atëherë nuk kemi çka flasim për zhvillim ekonomik”, u shpreh ai. Salihu vlerëson se Kosova duhet ta ndërpresë sistemin liberal të tregtisë së jashtme.”Edhe në ekonominë e tregut duhet të intervenojë shteti deri në kufirin ku nuk e pengon veprimin e ligjeve ekonomike. Së këndejmi lirshëm mund të themi se këtë deficit të lartë tregtar e ka shkaktuar mospërkrahja e sektorit të prodhimit në Kosovë”, theksoi ai.”Konsideroj që institucionet qeveritare, më saktësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, kanë bërë shumë pak në këtë drejtim, pra në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kjo më së miri shihet te bilanci mjaft i keq tregtar dhe negativ, i cili ende po ndikon edhe në aspektin makro-ekonomik, por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, potencoi deputeti Salihu. Ndërsa lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha se kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë kishin bërë që edhe marrëveshjet tregtare të arritura ndërmjet Kosovës dhe disa shteteve të tjera të jenë gati pa ndonjë efekt pozitiv për ekonominë e vendit.

Ekonomia në vendnumëro Bankieri Milazim Abazi tha se Kosova ka prapambetje karshi regjionit në të gjitha fushat, por prapambetja më e theksuar është në prodhimin vendor dhe rrjedhimisht edhe në eksport.”Kosova ka 15 vjet që po qëndron në nivel të njëjtë të eksportit, prej 300 milionë euro në vit, pa asnjë rritje të vetme. Ndërkaq, importi nga viti në vit ka shënuar rritje, kështu që në vitin 2016 ishte 2,8 miliardë euro”, u shpreh ai. Ai tha se rrjedhimisht kemi çdo vit rritje të deficitit tregtar dhe përkeqësim të bilancit të pagesave me botën.”Krejt kjo për shkak të politikave jostimuluese për sektorin e prodhimit dhe të agroindustrisë. Sektori i prodhimit është ai që punëson njerëzit, prandaj kemi një papunësi kaq të lartë dhe një eksport kaq të vogël”, potencoi më tutje ai. Abazi thotë se Qeveria duhet të hartojë strategji të veçantë për stimulimin e sektorit të prodhimit duke ofruar një varg lehtësirash dhe prolongimesh për pagesën e taksave dhe tatimeve.”Nëpërmes lehtësirave dhe stimulimeve, automatikisht do të ndikohej në orientimin e investimeve të reja në prodhim e jo në pika karburanti dhe në motele pa fund”, vijoi më tej Abazi. Ai thotë se vendet fqinje me Kosovën para 15 vjetësh kanë qenë pothuajse në nivel të njëjtë të prodhimit dhe të eksportit, por me politika ekonomike dhe fiskale kanë arritur ta përmirësojnë gjendjen.

Potencial i vogël eksportues Analisti Dardan Grapci tha se tregu kosovar është vërshuar që nga paslufta me produktet nga tregu ndërkombëtar, prandaj prodhimet vendore te ne kanë më pak shitje dhe investim kapital. Afërsisht 80 për qind të produkteve që i kemi në Kosovë vetëm brenda territorit të Kosovës shiten, kurse 20 për qind shiten në Shqipëri dhe vendet evropiane dhe në Angli. Analisti Grapci tha se tashmë Fabrika e Birrës në Pejë ka filluar të eksportojnë produktet e saj edhe në Angli, saktësisht në Londër, Derby, por edhe në disa qytete të tjera, si dhe në Irlandën Veriore. “Prandaj, në një mënyrë edhe vetë drejtorët e fabrikave duhet që të gjejnë rrugëdalje për eksportimin e produkteve të tyre jashtë Kosovës”, tha ai. “Sido që të jetë, ende është një përqindje e madhe e importit nga vendet e jashtme në Kosovë, dhe mendoj se Qeveria duhet që të ndërmarrë masa urgjente për parandalimin e produkteve të huaja që po hyjnë në Kosovë dhe që t’i lënë hapësirë produkteve vendore”, potencoi Grapci. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’), tha se problemi kryesor qëndron në faktin se as pas 18 vjetësh çlirimi e pavarësimi Republika e Kosovës nuk ka Strategji të Zhvillimit Ekonomik.”Këtë Strategji Kombëtare e pengon mungesa e tregut të brendshëm dhe e ekonomisë së lirë. Këto pengohen edhe nga zbatueshmëria e ulët e ligjeve. Administrata dhe ndërmarrjet publike janë të stërpopulluara me militantë e klientë partiakë dhe më shumë pengojnë mes vete e bëjnë dëme se janë konstruktivë e profesionistë”, tha ai.

Sektori privat në krizë Profesori i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Sadiku, tha se problemi i deficitit tregtar është shumë i vjetër, sepse menjëherë pas vitit 1999 startuam me importe të mëdha që ndërlidhen me rindërtimin e Kosovës e më pas kemi kaluar në importe komerciale që u bënë shumë të larta.”Tani jemi në një situatë ku raporti në mes të eksportit dhe importit është 90 me 10 në më mirë të importit. Është shumë e papranueshme kjo shifër dhe ky vëllim i madh i importit është një hendikep i madh i rritës ekonomike”. Ai tha se sa më shumë të kemi bilance negative tregtare jemi më të ekspozuar nga importi tregtar ndërkombëtar dhe kjo tregon se Kosova nuk po e përjeton transformimin e saj në kuptimin e sistemit kapitalist, përkatësisht të ekonomisë së tregut. “Dhe, realisht kur e shohim madhësinë e eksportit dhe nivelin e lartë të importit dhe deficitin e madh që e ka tregon se nga MSA-ja kemi përfituar shumë pak dhe kjo ka bërë që Kosova të jetë vendi i vetëm në rajon që po përjeton nga importi i saj i lartë që është 2 .5 miliardë dhe kjo paraqet madje 50 për qind të GDP-së (Brutoproduktit që krijohet në Kosovë). Vazhdimi i këtij trendi tregon se Kosova nuk po e bën industrializimin dhe fuqizimin e sektorit privat që do të gjeneronte edhe eksporte”, u shpreh Sadiku.”Në pikëpamje strukturore neve edhe, pse është hapur tregu evropian Kosova ka shumë pak produkte për konsumatorin evropian dhe shumë pak produkte me cilësi konkurruese dhe me çmime konkurruese”, ka potencuar ai.”Ndaj Kosova do të duhej që me politika ekonomike ta adresojë këtë shpërpjestim të madh makroekonomik dhe duhet të dimë se a do të vazhdojmë që të eksportojmë me këtë trend të eksporteve vetëm 150 deri 200 milionë euro në vit sapo Kosova do të rritë eksportin”, tha Sadiku./Kosova Sot





16:44 Aktualitet

Si u themelua CIA?

Nga Dr. Bledar KurtiGjatë shtatë dekadave të fundit ka patur...

Lajmet e fundit nga