web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

ISIS merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në Stamboll

2 Janar 2017, 13:46, Aktualitet CNA

Grupi militant, Shteti Islamik, mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e natës së Vitit të Ri në klubin e natës në Stamboll që la pas vetes 39 të vrarë.

Në një deklaratë grupi ha se “një ushtar i kalifatit” e ka kryer sulmin.

Sulmi filloi në orët e hershme të së dielës kur një person i armatosur qëlloi dhe vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit Reina para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e ngushticës së Bosforit për t’u shpëtuar plumbave.

Klubi Reina në lagjen Ortakoy, një zonë në ngushticën e Bosforit është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Autoritetet që janë vënë në kërkim të sulmuesit thanë se ai mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se personi i armatosur që sulmoi klubin e natës në Stamboll, synonte kaosin në vend, po ai dështoi.

“Ata po provojnë të shkaktojnë kaos, të dëshpërojnë njerëzit tanë dhe te destabilizojnë vendin tonë me sulme të neveritshme mbi civilët”, tha ai. “Në do të qëndrojmë më kokë të ftohtë si komb, duke qëndruar më të bashkuar dhe nuk do të krijojmë hapësirë për lojëra të tilla të pista”, nënvizoi ai.

Udhëheqës gjithandej botës e dënuan sulmin.

Një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ai e ka dënuar “sulmin e neveritshëm terrorist”, duke shfaqur shpresën se përgjegjësit do të vihen para drejtësisë.

Në një mesazh dërguar presidentit turk Erdogan, presidenti rus ,Vladimir Putin, u zotua të ndihmojë Turqinë në luftën kundër terrorizimit.

“Është e vështirë të parafytyrohet një krim më cinik sesa vrasja e njerëzve të pafajshëm gjatë kremtimeve të Vitit të Ri”, citohet të ketë thënë Putin.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit, zëvendësi i zëdhënësit, Mark Toner tha se “sulmet e tilla vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të punuar me qeverinë turke për të luftuar të keqen e terrorizimit”.

Rreth 25 nga 39 të vrarët janë të huaj, përfshirë të tillë nga Jordania, Libani, Izraeli, Arabia Saudite, Iraku dhe Kanadaja.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se vendi i tij po mban zi përkrah të gjithë të tjerëve që humbën qytetarët e tyre të dielën.

Masat e sigurisë ishin shtuar në qytetet më të mëdha turke pas sulmeve terroriste të muajve të kaluar.

Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.

Një grup militant kurd kishte marrë mbi vete përgjegjësinë.

Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la pas vetes 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll./VOA





21:42 Aktualitet

Horoskopi 2017

Këtë vit Urani dhe Jupiteri do ua ndërlikojnë disi jetën. Mi...

Lajmet e fundit nga