web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse i duhet PDIU Ramës?!

25 Tetor 2016, 08:16, Aktualitet CNA

Kreu i qeverisë, Edi Rama, prej disa kohësh ka filluar një flirt apo dashuri të re me PDIU-në e Shpëtim Idrizit. Një parti me frymë nacionaliste dhe e mbyllur në një çështje të caktuar siç është ajo e pretendimit të pronave çame në Greqi.

Një dashuri që mund të quhet ndryshe një tradhëti e Shpëtim Idrizit ndaj të djathtës dhe kalimi I tij te Rama për disa poste të cilat janë të nevojshme, për të forcuar partinë dhe për të paguar kostot e saj mujore. Një parti e vogël mund të shpëtojë vetëm duke qenë në pushtet.

Këto përfitime vijnë nga mandatet e deputetëve, të cilat janë marrë PD-së nga koalicioni dhe cohen për ti shërbyer Ramës, i cili largimet e deputetëve të tij nga grupi parlamentar i zëvëndëson me parti të vogla nga gjiri i së djathtës.

Pse i duhen çamët Ramës?

Rama sot e do PDIU-në për të qëndruar larg marrëdhënieve dhe marrëveshjeve me Greqinë në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe kjo bëhet thjesht dhe vetëm për të nxitur një frymë nacionaliste pranë së majtës, frymë e cila i ka munguar historikisht në zgjedhje. Kjo lëvizje i shton votat që i ka humbur rrugës për shkak të ?reformave? të pretenduara si dhe akuzave të forta për korrupsion dhe përfshirje në trafik droge. Kjo lëvizje çon tek Rama rreth 70-80 mijë vota, të cilat janë të djathta dhe krijon një devijacion mes koalicionit të majtë dhe të djathtë prej rreth 150 mijë votash. Diferencë e mjaftueshme për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme.

Çdo votë që Lulzim Basha po përpiqet ta fitojë si opozitar i hiqet nga Edi Rama me një firmë të koalicionit elektoral me Shpëtim Idrizin.

Së dyti, PDIU i duhet Edi Ramës për të luftuar Ilir Metën. Në zgjedhjet e ardhshme qënia e PDIU-së me një numër të madh votash brenda koalicionit nuk lejon që LSI-ja të marrë të gjithë mandatet që vijnë për shkak të formulës së votave që mblidhen nga partitë e vogla që nuk mund të kapin një mandate deputeti.

Idrizi mund të dyfishojë mandatet e deputetëve të partisë së tij duke dëmtuar Ilir Metën, i cili mund të pretendonte deri në 25 mandate brenda koalicionit, tani vështirë se I kap 15. Kjo llogari gjithmonë me votat e vitit 2013. Në rast se Meta shkon në zgjedhje dhe risiguron 280 mijë votat e zgjedhjeve lokale atëherë LSI do të jetë më e fortë në qeverisje.

PDIU është një lojë e EdiI Ramës për të luftuar Ilir Metën dhe në zgjedhjet e ardhshme tentativa do të jetë që PS dhe PDIU të sigurojnë të dyja mbi 70 mandate. Këtyre mund ti bashkangjiten edhe parti të tjera të vogla që mund të vijnë nga koalicioni i djathtë, siç mund të jetë rasti i PAA-së së Agron Dukës, që mund të sigurojë 2-3 mandate dhe më pas të shkojë në qeverisje me Ramën dhe Idrizin për t’iu siguruar më shumë stabilitet.

Në fund mund të themi se, PDIU është beteja e Ramës kundër Metës, Edi fiton qeverisjen dhe pushtetin politik, çamët një tortë nga pushteti dhe forcojnë pozitat në qeverisje por sërish të dy bashkë do të kenë një ?luftë? me një njeri si Ilir Meta që i ka rezistuar shumë betejave politike. /Citynews





Lajmet e fundit nga