web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fotot dhe denoncimi në Fiks Fare/ Ja skema e blerjes së votës në Dibër

12 Shtator 2016, 18:12, Aktualitet CNA

Vëllezërit e kandidatit të PS dhe koordinatorët e ASHE premtojnë vende pune

Fiks Fare i ka kushtuar vëmendje të veçantë zgjedhjeve në Dibër, ku mbrëmjen e së hënës zbuloi skemën e blerjes së votës në këtë bashki. Gazetarët e emisionit investigativ treguan sesi familjarë të kandidatit të Partisë Socialiste, Muharrem Rama, ofronin vende pune në këmbim të votës për qytetarë të ndryshëm në zonat e kësaj bashkie.

Nga investigimi i Fiks Fare u zbulua se fillimisht qytetarët duhej të paraqiteshin në shtabin elektoral të PS-së. Bashkëpunëtori i emisionit u takua aty me dy vajza, të cilat i thanë që në ato momente nuk kishte persona për të folur me të. Në këto kushte, qytetari shkon te farmacia e vëllait të kandidatit të ASHE-së për Bashkinë e Dibrës, pasi kishte informacion se jepeshin lekë në këmbim të votës. Gjatë bisedës, vëllai i kandidatit Rama i kërkon qytetarit listën e votuesve që kishte me vete, ndërkohë që në ato momente, aty vjen dhe vëllai tjetër i kandidatit, Nehati. Pas një bisede të shkurtër me të dhe teksa shohin listën, Nehat Rama i kërkon qytetarit që të kthehej pas 15 minutash. “Shkoni tek radiologjia këtu, ose shkoni pini ndonjë kafe ku të doni e pastaj ecni, Të bëjmë një konsultë, kush do ua japë. A mirë? Dhjetë minuta a një çerek ore, mirë”, i drejtohet vëllai i kandidatit qytetarit të interesuar për para.

Qytetari kthehet pas 15 minutash, ku takon sërish Nehat Ramën, i cili i cakton një takim për të nesërmen në mëngjes. “Do shkosh e takojsh Ilir Venecin, mirë atje do shkojsh, do i thuash të çoj Nehati, mirë. Më çoi Nehati i thuaj. Ai të mbaron punë mirë se ai e ka atë zonë”, shprehet vëllai i Muharrem Ramës.

Qytetari paraqitet një ditë më vonë dhe gjen një koleg të vëllait të kandidatit, i cili i kishte thënë që të takonte një koordinator të PS-së. Qytetari u takua me koordinatorin e PS-së në rrugë dhe i ka thënë që do e telefononte një person që ka zonën. Gjatë bisedës telefonike, koordinatori është shprehur se nuk japin para, por mund të bisedojnë për ndonjë vend pune pas zgjedhjeve.

Por, veç bisedave për blerjen e votës me shtabin elektoral dhe të afërmit e kandidatit, Fiks Fare bisedoi edhe me banorë në zona të ndryshme të Bashkisë Dibër. Ata u treguan gazetarëve të emisionit investigativ se të dyja forcat politike kanë ofruar para në këmbim të votës. Ata shpjegojnë se shumat janë të ndryshme, ku e majta ofron euro, ndërsa eë dajthta lekë. “Familje shumë të varfra, ose pa nivel, shiten për 10-20 mijë lekë të vjetra, ose një torbë miell”, rrëfen një nga banorët e Sllovës. Një banor tjetër tregon se PS ka ofruar edhe 5 mijë lekë të reja për votë.

Nga ana tjetër, Fiks Fare solli edhe atmosferën e ditës së zgjedhjeve, kur në disa raste në fshatra të Dibrës nuk mungoi votimi kolektiv. Emisioni transmetoi disa raste në fshatrat Sllovë, Rrënxë dhe Muhur, ku 2-3 veta votojnë bashkë, ndërkohë që vëzhguesit thonë se gruaja bën çfarë i thotë burri, duke e cilësuar këtë veprim si diçka e zakonshme.

“Rilindja Urbane”/ Dibra mori 4.6 miliard lekë në korrik e gusht, Shkodra 750 milionë

 Dy nga bashkitë më të mëdha në veri, Shkodra dhe Dibra, nuk janë trajtuar njësoj nga Qeveria. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim të thjeshtë në Agjencinë e Prokurimit Publik. Bashkia e Shkodrës, përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, ka marrë në total rreth 750 milionë lekë të vjetra. Gjithsej, kjo bashki ka hapur tre tendera. Ka marrë nga buxheti i shtetit 638 milionë për rregullimin e bllokut të pallateve në lagjen “Xhabije”. Nga këto, ka përdorur 387 milionë.

Ka marrë nga buxheti i shtetit edhe 50 milionë lekë të vjetra për pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese. Tenderi i tretë ka qenë për lerjen e artikujve të ndryshëm ushqimor, ku ka marrë 74 milionë lekë.

Ndërkohë, Bashkia e Dibrës, e cila zhvilloi së fundmi zgjedhjet lokale, ka bërë mbi 30 tenderë, ku nga këta 10 me paratë e buxhetit të shtetit. Fondi i akorduar nga qeveria, përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, është 4.6 miliard lekë. Kështu, qeveria ka financuar 1.7 miliard lekë të vjetra për përmirësimin e infrastrukturës vendore. Fituesi është shpallur në muajin gusht, disa javë para zgjedhjeve.

Bashkia e Dibrës ka akorduar 922 milionë lekë për rinovimin e infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut. Fituesi është shpallur në muajin gusht, ndërsa edhe në këtë rast, paratë kanë ardhur nga buxheti i shtetit.

Gjithashtu, përgjatë dy muajve të fundit, në Dibër kanë shkuar edhe rreth 800 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës së mesme në Maqellarë.

Gjithashtu, buxheti i shtetit ka financuar në Dibër edhe asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi, me fond prej 540 milionë lekësh. Ndërkohë, janë edhe disa tender të tjerë me paratë e buxhetit.





Lajmet e fundit nga