web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhjet në Peshkopi, rikonfigurohen koalicionet e reja/Kush i mbështet kandidatët Shehu dhe Ymeraj ?

13 Gusht 2016, 07:20, Aktualitet CNA

Zgjedhjet që do të mbahen në Peshkopi më 11 Shtator për postin e Kryebashkiakut të qytetit megjithëse i përkasin vetëm një njësie vendore, duket se po konfigurojnë koalicionet e reja në politikën shqiptare. Kjo për faktin se subjektet politike po angazhohen në mbështetje të njërit apo tjetrit kandidat.

Megjithëse bëhet fjalë për zgjedhjet në 1 bashki, ato mund të konsiderohen si testim për funksionimin e aleancave dhe koalicioneve. Kjo të paktën është deklaruar nga disa prej deputetëve socialistë, që e shikojnë Peshkopinë si gurë prove në raportet mes PS dhe LSI.

Të dy partitë prej 3 vitesh bashkëqeverisin vendin, por marrëdhëniet mes dy subjekteve të drejtuara nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, janë më të acaruara se kurrë më parë në 3 vitet e bashkëqeverisjes.

Demokratët zyrtarisht kanë shpallur si kandidatin e tyre Sherefedin Shehun, deputetin e PD-së, ndërsa nga rradhët e PS-së më parë kandidimit është Dionis Ymeraj, Drejtori i Tatimeve në Bashkinë e Peshkopisë.

Shpallja e kandidaturave u pasua nga reagimet politike në pozitë dhe opozitë, ndërsa duket se kandidatura e Shehur e përzgjedhur nga PD, ka siguruar një mbështetje maksimale jo vetëm në rradhët e koalicionit opozitar. Në anën tjetër kandidati pothuajse i përzgjedhur nga PS, Dionis Ymeraj, duke i papranueshëm për aleatët e PS-së, çka do të thotë se në përballjen e 11 shtatorit, ai do të ketë mbështetjen e të vetmit subjekt politik, Partisë Socialiste. Madje edhe në këtë të fundit, ka problem, kjo pasi kandidatura e Ymerajt është propozuar nga deputeti Manja, i cili duket se ka vendosur veton përballë kandidaturave të tjera të propozuara nga organizatat socialiste.

Mbështetja për Sherefedin Shehun

Janë një sërë subjektesh politike, por edhe organizata të cilat kanë shprehur mbështetjen për kandidatin e PD-së, Sherefedin Shehu. Përveç se kandidatura e tij është mirëpritur nga dega lokale e PD-së, duke i dhënë fund situatës së krijuar në 2015, që çoi në humbjen e Bashkisë së Peshkopisë për shkak të përçarjeve që ekzistonin në këtë degë, ajo ka marrë mbështetjen e partive aleate të PD-së. Republikanët dhe LZHK kanë deklaruar mbështetjen, ndërkohë që këtij koalicioni i është bashkuar edhe AK e Kreshnik Spahiut.

Citynews ka mësuar se po kështu organizatat lokale joqeveritare apo grupimet e ndryshme që veprojnë në këtë bashki kanë dhënë mbështetjen për deputetin e PD-së, duke e cilësuar si përfaqësuesin e duhur për drejtimin e Bashkisë së Peshkopisë.

Në mbështetje të kandidaturës së Sherefedin Shehut janë rreshtuar edhe të rinjtë që kohë më parë organizuan një protestë që kundërshtonin mbylljen e filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Peshkopisë, vendim ky i marrë nga Qeveria Rama.

Po kështu i janë bashkuar edhe shoqatat dhe grupet e interesit që kundërshtojnë ndërtimin e HEC të Skavicës. Gjithashtu Lëvizja Qytetare Dibrane, e krijuar pas skandalit seksual të ish-Kryebashkiakut socialist, Shukri Xhelili, dhe ku përfshihen intelektualë dhe të rinj të arsimuar brenda dhe jashtë vendit, ka shprehur mbështetjen e plotë për kandidaturën e propozuar nga PD.

Pra referuar këtyre fakteve, Shehu shkon në përballjen e 11 Shtatorit me një mbështetje të zgjeruar që shkon përtej asaj që quhet koalicioni zyrtar i drejtuar nga PD.

Mbështetja për Dionis Ymeraj

Dionis Ymeraj është një figurë lokale, e panjohur dhe aktuaisht mban postin e Drejtorit të Tatimeve në bashkinë e Peshkopisë. Megjithëse zyrtarisht emri i tij nuk është bërë publik si kandidat i socialistëve, gjasat janë që ai të zyrtarizohet në fillim të javës tjetër. Por  në përballjen e 11 Shtatorit, Ymeraj duket se shkon vetëm me mbështetjen e PS-së, pasi partitë e tjera të përfshira në koalicionin qeveritar, nuk kanë ndërmend të investohen në një mbështetje publike ndaj tij. Këtu nuk përfshihen vetëm partitë parlamentare të mazhorancës, por edhe ato që konsiderohen të vogla dhe që s?kanë përfaqësim në kuvend.

Citynews u interesua në lidhje me mbështetjen e kandidatit Ymeraj, por mësoi se veç socialistëve, emri i tij nuk ka asnjë mbështetje. LSI ka deklaruar se zgjedhjet e Peshkopisë nuk kanë pse trajtohen si zgjedhje të përgjithshme, ndërsa vendimi për të mbështetur ose jo kandidaturën e PS-së, i është lënë degës lokale të kësaj partie në Peshkopi. Por referuar përplasjeve që deputeti i vetëm i LSI-së në Peshkopi, Përparim Spahiu, ka pasur me kolegun e tij socialist, Ulsi Manja, atëherë mbështetja e aleatit të PS-së në qeverisje, do të jetë zero për kandidatin e përzgjedhur nga socialistët.

Por burimet konfirmuan për Cityneës se gjithashtu PDIU nuk ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Ymeraj, kjo për faktin se partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, nuk ka konkretizuar ende marrëveshjen me PS-në për postet ministrore, por edhe për faktin se ka pasur zëra që në këtë bashki, PDIU ka kërkuar të kishte kandidatin e saj.

Gjithashtu mësohet se edhe PSD dhe PDS të drejtuara nga Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo nuk do të mbështesin kandidaturën e Ymeraj, kjo për faktin se Rama nuk ka respektuar asnjë pikë të marrëveshjes që ka me këto dy parti. Dhe veç kësaj panorama, duket se vetë socialistët janë të ndarë në procesin e 11 shtatorit, pasi si kandidaturë e propozuar nga një pjesë e strukturave lokale, ishte ajo e Donika Hysenaj, Prefektja e komanduar e Peshkopisë.   /citynews/

 





Lajmet e fundit nga