web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Oligarkët po rrënojnë fermerët kosovarë

5 Gusht 2016, 20:29, Kosova & Bota CNA

Politika katastrofike ekonomike e Qeverisë “Mustafa”/Çmimet e ulëta të importit dërrmojnë prodhuesit vendas

Mungesa e masave mbrojtëse sezonale po i detyron bujqit e Kosovës të heqin dorë fare nga prodhimi, sidomos i grurit, sepse bizneset oligarke, të favorizuara nga mafio-pushtetarët, po importojnë grurë të dobët nga Serbia, me çmim të ulët, duke i dëmtuar së tepërmi prodhuesit vendas

Skandali i para dy vjetësh i importit të grurit në emër të grurit për shtazë e për kafshë, ku realisht një pjesë e tij ishte bluar e përpunuar duke u plasuar në treg si miell për ushqim human, domosdo ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe te prodhuesit vendorë. Të paktën kështu kanë vlerësuar njohësi e fushës së ekonomisë dhe analistët, të cilët kanë alarmuar se kësisoj po falimentojnë bujqit, për shkak se oligarkët po vazhdojnë ta mbështesin importin e grurit të mykur e për kafshë nga Serbia, dhe rrjedhimisht duke e ulur çmimin e grurit vendor të fermerëve kosovarë. Veç kësaj, ata kanë kërkuar që të krijohen edhe masat mbrojtëse për prodhimet vendore vitale për vendin, dhe mos të lejohet edhe më tej diskriminimi që ka ndodhur deri tash. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se të gjithë fermerët, të cilët janë të kushtëzuar nga subvencionet e shtetit si dhe ata bujq, të cilët prodhojnë më shumë se sa nevojat e tyre familjare, përballen me vështirësi të mëdha, dhe kjo, sipas tij, ndodh për shkak të politikave të disfavorshme që i ka krijuar shteti për fermerët dhe bujqit në Kosovë. Dibrani në këtë drejtim e ka bërë edhe një krahasim, duke thënë se një vend, i cili nuk investon në shkollim për të fituar dije, si në mjekësi për ta mbajtur shëndosh qytetarin e saj po ashtu edhe në bujqësi për ta ushqyer popullatën siç duhet, sipas tij, e ka të vështirë të krijojë raporte sociale më të mira se sa këto që janë në Kosovë. ” Pastaj janë regjistruar skandale, të cilat e kanë përcjellë edhe sektorin e bujqësisë, siç na është i njohur skandali me grurin e importuar nga Serbia, për të cilin është thënë se u dedikohej kafshëve, ndërsa pronarët e kompanive atë grurë e kanë kontrabanduar për miell që u dedikohej qytetarëve. Edhe pse është vërtetuar se ka pasur manipulime në këtë plan, me sa di, askush nuk është vënë para përgjegjë- sisë?! Tashmë duke i ditur edhe aferat e shumta mund të nënkuptohet se dikush nga oligarkët dhe prokurorët e shtetit janë të implikuar në këto afera, të cilat po reflektojnë një klimë të ashpër dhe tejet të papërshtatshme për bujqit dhe fermerët kosovarë”, ka thënë ai, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.

Bujqit meritojnë lehtësira

Më tej, Dibrani ka nënvizuar se ky diskriminim i këtij lloji kundër bujqve po lejohet për ta bërë qytetarin edhe më të varur ndaj oligarkëve politikë, të cilët tashmë dihen se kush janë, por, siç tha, gjetja e mekanizmit për t’i vënë përpara drejtë- sisë duket tani për tani si një gjë e paarritshme. ” Andaj, dita- ditës, prodhimtaria bujqësore, bujqit dhe fermerët po përmbyten nga një treg i disfavorshëm, të cilin e ka aplikuar Qeveria në dëm të prodhuesve bujqësorë, ndërsa në vendet e zhvilluara benificionet për bujqit janë të mëdha, ngase bujqësia nuk ndihmohet me grante formale e me mjete të kufizuara, por duhet të favorizohet me mjete të rregullta, pasi bujqit në Kosovë janë një dikaster i rëndësishëm për të gjeneruar vende të reja pune, andaj bujqit duhet të kenë lehtësira të shumta qoftë në marrjen e kredive, në blerjen e pajisjeve, pastaj për furnizim me farëra e produkte të domosdoshme për të rritur prodhimin e deri te shfrytëzimi i karburanteve, të cilat i gëzojnë kudo bujqit e përparuar në Evropën Perëndimore”, është shprehur Dibrani. Kryetari i Organizatës joqeveritare “Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, thotë se problemi i çmimit të grurit nuk është aq i thjeshtë siç duket në shikim të parë. Ai këtu ka përmendur disa probleme, duke thënë se problemi i parë qëndron në faktin se Kosova nuk ka kontratë bilaterale të tregtisë me asnjë shtet me të cilin ka raporte qoftë politike apo ekonomike, derisa, sipas tij, një kontratë e tillë është e domosdoshme që ta rregullojë edhe çështjen e çmimit. ” E dyta, çmimi i grurit i takon një domeni pak më të lartë ekonomik që ne e quajmë çmim global ose ekonomi globale dhe është tregu botëror që i rregullon çmimet e grurit. E treta është se prodhuesit e mëdhenj të grurit, e që të tillë nuk ka Kosova, kanë leverdi të prodhimit të grurit dhe të uljes së çmimit të tij, për arsye se punojnë parcela të mëdha jo me dhjetëshe, por me qindra hektarë që matet dhe natyrisht se aty e shohin fitimin e tyre. E katërta është se të gjitha shtetet në rajon në gadishullin iberik subvencionojnë prodhimin e grurit me shuma më të larta se sa që e subvencionon dhe që mundet ta subvencionojë buxheti i Kosovës ose Ministria e Bujqësisë”, potencoi ai.

Konkurrenca e pandershme

Prodhuesin vendor, Kaçaniku ka nënvizuar se pak më shumë e prekin edhe çmimet damping, ku bëjnë pjesë çmimet e subvencionuara, por, sipas tij, e prek edhe konkurrenca jo e lirë që vjen edhe nga tregtia e pandershme, derisa me të cilët, si me dampingun, konkurrencën e lirë, dhe me monopolin nuk merret asnjë ministri. ” Ministria e Bujqësisë pretendon se e mbaron obligimin e vet ndaj fermerëve me subvencionet që prapë nuk janë komplete dhe prapë kanë vërejtje, ndërsa Ministria e Tregtisë nuk merret fare me çmimet damping, dhe me konkurrueshmërinë në treg ose me monopolin. Natyrisht se te monopoli ose te konkurrenca e lig në treg, ne kemi probleme edhe për shkak se Kuvendi akoma nuk e ka kompletuar autoritetin e konkurrencës. Andaj, domethënë, problemi i çmimeve është një problem jashtëzakonisht i thellë të cilin ne duhet ta trajtojmë në nivel edhe të Kuvendit të Kosovës, por edhe të Qeverisë dhe të ministrive në një interaktivitet së bashku me prodhuesit dhe me qytetarin konsumator”. Më tej, ai ka shtuar se që nga 2009-ta organizata ‘Konsumatori’ ka reaguar për problemet me grurë dhe miell, duke kërkuar që të ndërmerren masa.” Nga 2009-ta e deri më sot, ne rregullisht kemi ngritur zërin në këtë çështje dhe asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje të drejtpërdrejtë ose konkrete që d.m.th për 7 vjet rresht të gjitha qeveritë që janë ndërruar nuk janë marrë në mënyrë të përgjithshme dhe serioze apo profesionale me çështjen e çmimeve të prodhimeve vendore. Ata arsyetohen me treg të lirë, ndërsa ne si organizatë u kemi thënë se Kosova nuk ka treg vendor, prandaj nuk mund të ketë as treg të lirë, e pa këto të dyja nuk mund të ketë as strategji të zhvillimit ekonomik, ku në mungesë të saj ne kemi shumë probleme në ekonomi, por ato më të mëdhatë janë në bujqësi, por natyrisht se të gjitha problemet dhe telashet së bashku me prodhuesin vendor i bart qytetari konsumator, i cili i fundit i paguan edhe me çmim, por edhe tatime dhe taksa”, ka theksuar kryetari i Organizatës joqeveritare “Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, për gazetën “Kosova Sot”.
Propozimi i Shatrit

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri mendon se ka nevojë që në kuadër të masave të politikës fiskale me marrë aso veprime Qeveria, dhe masa që t’i mbrojë prodhuesit e imtë vendorë, por edhe ata të mëdhenj në politika fiskale, që janë të përkohshme apo sezonale. ” Ne jemi dëshmitarë se prodhimet tona, të prodhuesve tonë individualë të artikujve ushqimorë, prodhimeve etj., nuk mund të jenë konkurrente në treg, ngase me çmime shumë të ulëta po vijnë prodhimet prej vendeve të tjera, sidomos nga Maqedonia gjatë verës, ku ata janë të subvencionuar nga shteti dhe në atë mënyrë ata po dalin me çmime shumë më të ulëta se sa kosto e prodhimeve tona vendore”. Andaj, në këtë drejtim, Shatri ka bërë me dije se Qeveria është dashur që ta përgatisë një pako të masave fiskale, të rregullave fiskale që do t’i mbronte në mënyrë sezonale këto prodhime gjatë verës, pasi, siç tha, ne kemi prodhime të mjaftueshme vendore. ” Pra, të vendoset një taksë shtesë pa import të artikujve të ngjashëm në mënyrë që të tjerët të mos mund të vijnë me çmime që i konkurrojnë dhe i mundin në treg shumë lehtë prodhuesit tanë. Kjo është mënyra më e lehtë dhe më e rregullt që edhe nuk bie në kundërshtim me ekonominë e tregut të lirë, me ligjin e konkurrencës, derisa në anën tjetër përfiton shtetin dhe i mbron prodhuesit e vet dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë”, ka potencuar ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për gazetën “Kosova Sot”. Sindikata ankohet, mullisët justifikohen Tahir Tahiri, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë më herët se kompanitë për prodhimin e miellit në Kosovë blejnë grurë të vjetër dhe me cilësi të dobët në shtetin e Serbisë, me çmime tejet të ulëta. Në këtë mënyrë, sipas tij, po dëmtohen fermerët në Kosovë. “Po shkojnë po marrin grurë nga Serbia, grurin e rezervave të Serbisë, tri katër vjet të vjetër, të cilit i ka humbur cilësia dhe kualiteti, me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Dhe e kanë ul çmimin e grurit në Kosovë. Ky është faktori kryesor që çmimi i grurit në Kosovë sillet 0.15 cent. Është shumë dëshpëruese dhe sjellje jashtëzakonisht e keqe e mullisëve të Kosovës “, tha Tahiri për REL. Se çmimi i grurit është shumë i lirë e konfirmojnë edhe përfaqësues të Shoqatës se mullisëve të Kosovës, sipas të cilëve, kjo është pasojë e sasisë së madhe të grurit të kultivuar në vendet e rajonit. Misin Voci, kryetar në këtë Shoqatë, për Radion Evropa e Lirë ka treguar se blerja e grurit në vendet e rajonit është më e lirë, për shkak se nuk janë të obliguar të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Voci, që në pronësi familjare kanë katër mullinj në Prizren, në Suharekë, në Rahovec dhe në Malishevë, shprehet se çmimi i grurit është shumë i ulët, dhe që, sipas tij, nuk ia vlen të kultivohet. “Çmimi i grurit në Serbi ndikon shumë, sepse çmimi i një toni me grurë në Serbi është nga 110 -115 euro. Neve na leverdis të blejmë nga importi, sepse e kemi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kurse kur blejmë nga bujqit në Kosovë nuk mund të rimbursojmë TVSH-në, pasi në këtë kuadër ka probleme më Administratën Tatimore të Kosovës.”

(KOSOVA SOT)   





Lajmet e fundit nga