web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë po ndodh me Ilir Metën/Nga paralajmërimi për Qeveri teknike, tek Qeveria Rama 2

3 Gusht 2016, 08:19, Aktualitet CNA

Krytari i Kuvendit Ilir Meta gjatë 2-3 javëve të fundit duket se ka bërë disa shoë politikë me deklarimet dhe qëndrimet e tij, të cilat herë kanë turbulluar ujërat brenda koalicionit qeveritar dhe herë duke dhënë qetësi brenda tij.

Nëse do t?i referohemi asaj çka është deklaruar nga Meta në këtë periudhë kohore, dhe më pas nga përfaqësues të dy partive të përfshira në të njëjtin koalicion qeveritar prej 3 vitesh, PS dhe LSI, nuk është e vështirë të kuptohet se problemet mes dy partive të majta janë të shumta.

Kryetari i LSI-së shfrytëzoi më së miri situatën e krijuar për reformën në drejtësi qoftë për të dalë si politikani i konsensusit, qoftë për të dhënë mesazhet e tij në drejtim të Edi Ramës, se mund t?I largohet nga Qeveria dhe të krijojë një krizë politike në mazhorancën e majtë.

Një javë para miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, Ilir Meta deklaroi gadishmërinë për të dalë nga Qeveria dhe për të kontribuar në krijimin e një qeverie teknike. Por, dje tha se kjo deklaratë ishte bërë për ti dhënë fund çdo dyshimi se Qeveria do të ndikonte në zbatimin e reformës në drejtësi.

Mes dy deklaratave, nga ajo e qeverisë teknike tek tërheqja nga kjo ide, Meta ndoshta ka qenë politikani më aktiv në takime, qoftë me faktorë politikë ashtu edhe me diplomatë, duke u vendosur në qendër të vëmendjes dhe duke u identifikuar si faktori politik prej të cilit varej fati i Edi Ramës në postin e Kryeministrit apo krijimi i një Qeverie teknike.

Ishte Kryeparlamentari që organizoi disa takime sa në Tiranë, Gjirin e Lalzit, SHBA dhe për ti mbyllur në Durrës, në vilën qeveritare, me Kryeministrin Edi Rama.

Në Gjirin e Lalzit për ditë me rradhë, Meta organizoi takime me deputetë dhe faktorë politikë, por gjithmonë shoqërohej nga Koço Kokëdhima. Ky i fundit ishte dëshmitar edhe në bisedën 2 orëshë të Metës me ish-Presidentin Meidani. Më pas në SHBA u shfaq në krah të Lulzim Bashës në konventën e demokratëve, ndërsa u raportua se dy politikanët drejtues të dy partive, kishin darkuar sëbashku. Në Durrës u takua me Kryeministrin Rama, por refuzoi darkën, ndërsa të nesërmen pas takimit me Kokëdhimën, ky i fundit u shfaq në një nga lokalet në zonën e ish-bllok me deputetin Tom Doshi.

E gjithë kjo lëvizje që zgjati për dy apo tre javë, kryesisht me dëshmitarë ish-deputetin Kokëdhima, dukej se po përdorej nga Meta për ti çuar mesazhet e sakta Edi Ramës, për atë çka mund të ndodhte, nëse Kryeministri nuk do të pranonte atë çka Kreu i LSI-së kërkonte.

Informacionet e dhëna kryesisht nga stafi i tij bënin të ditur lëvizjen që Meta kishte nisur për të rrëzuar Qeverinë Rama dhe për të krijuar një tjetër qeveri, madje u raportua se kandidati për postin e Kryeministrit të Qeverisë teknike, ishte përzgjedhur ish-Presidenti Rexhep Meidani.

Në anën tjetër nivele dytësore apo tretësore në Partinë Socialiste dhe LSI nisën luftën në distancë me akuza dhe kundërakuza duke fajësuar njëri-tjetrin, ndërsa thelbi ishte që koalicioni kishte probleme dhe duhej rishikuar.

Në kulmin e këtyre deklaratave, ishte sërisht Ilir Meta që ndërhyri duke dhënë një deklaratë pasi kishte përfunduar një seancë masazhi, madje u shfaq në krah me masazhistin e tij, duke u shprehur për vazhdimësinë e koalicionit.

E gjithë kjo situatë të krijon përshtypjen se Kryetari i Kuvendit arriti të ndërtonte një situatë kurthi qoftë për Kryeministrin ashtu edhe për opozitën, të cilët shikonin lëvizjet e Metës, njëra palë e tensionuar dhe pala tjetër drejt një gëzimi. Madje pati edhe situata qesharake kur individë pa asnjë peshë në rradhët e PD-së, nisnin të ndanin postet në Qeverinë teknike, duke u vetëcaktuar ministra të një kabineti në hije.

Por nëse do të bëhej një lidhje llogjike mes deklarimeve dhe lojës së fundit të Metës me kërkesat e tij të vazhdueshme për ndryshime në qeveri, gjë që herë pas here janë kundërshtuar nga Kryeministri Edi Rama, duket se e gjithë kjo sjelle e Kryetarit të Kuvendit ka pasur vetëm një qëllim, të arrijë të vendosë aleatin e tij në qeverisje në një pozicion që të pranonte propozimet e Kreut të LSI-së.

Deri para dy muajsh Meta në takimet me Ramën këmbëngulte në largimin e disa ministrave, një pjesë e të cilëve mendohej se kishin drejtuar sulmet mediatike, por edhe në kancelari të ndryshme ndërkombëtare kundër Kryeparlamentarit. Mes emrave që Meta ka kërkuar të largohen nga Qeveria janë Ilir Beqaj, Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri dhe Edmond Haxhinasto. Të gjithë emrat në atë kohë u kundërshtuan nga Rama, përfshi këtu edhe largimin e përfaqësuesit të LSI-së në ministrinë e Transporteve.

Por, tashmë sikundër thuhet nga stafi i Metës, Edi Rama është dorëzuar dhe ka pranuar pothuajse të gjitha kërkesat me përjashtim të ministrit të Brendshëm, për të cilin Rama duket se po tenton ta mbrojë deri në fund. Madje sikundër thuhet, Rama ka pranuar edhe tezën që LSI të shtojë numrin e ministrave të saj në kabinet, ndoshta duke marrë drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë, duke hequr dorë edhe nga e drejta e vetos që  Vangjel Tavo, deputeti i LSI-së në Qarkun e Gjirokastrës, të mos ishte pjesë e Qeverisë. Kjo ishte një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar qysh në 2013, ku si Rama ashtu edhe Meta kishin rënë dakort që Ylli Manjani dhe Vangjel Tavo të mos ishin pjesë e Qeverisë.  Por duket se presioni i Metës, qoftë në rastin e Manjanit, ashtu edhe në rastin e Tavos, nëse realizohet si skenar, dha rezultate.

Nëse kjo do të realizohet dhe në vjeshtën e 2016, qeveria Rama do të riformatohet sipas kushteve të LSI-së, atëherë të fituarit e vetëm nga kjo lojë janë Ilir Meta dhe Edi Rama. Meta veç arritjes së qëllimit fillestar për ndryshime në qeveri, krijon edhe përshtypjen se arrin t?I imponohet në vendimmarrje çdo force të madhe politike, duke përçuar një mesazh edhe tek zgjedhësit. Edi Rama pavarësisht se do t?i duhet të tolerojë, vijon të mbajë postin e Kryeministrit dhe të ndajë përgjegjësitë për keqqverisjen me LSI-në. Ndërsa opozita në anën tjetër mund të hutohet edhe më shumë, pasi në këto javë, nisi ti besojë realisht një skenari që nisi me shumë seriozitet nga Ilir Meta dhe duket se përfundoi si filmat Happy End për koalicionin qeveritar. /citynews/





Lajmet e fundit nga