web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse nuk besohet Lulzim Basha?

11 Korrik 2016, 13:33, Aktualitet CNA

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike, duket se ka një problem besimi jo vetëm në raport me politikanët, por edhe me zgjedhësit. Perceptimi i krijuar për kreun demokrat është se për gjithçka që thotë në rastin më të mirë merret me dyshim, ndërsa në rastin më të keq, është i pabesueshëm.

Shprehja e thënë në një nga seancat e Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të tij nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte që Basha të gënjen edhe për orën. Batuta ndoshta ka një bazë vërtetësie, ndoshta thjesht është një nga ato shpotitë politike, por perceptimi është se pas çdo gjëje që deklaron ngrihen shumë pikëpyetje.

Në 3 vitet e drejtimit të Partisë Demokratike, shumë nga aksionet opozitare të nisura me furi kundër qeverisë dhe politikave të saj u lanë në mes. Aq shpesh ndodhi kjo sa në një nga mbledhjet me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar demokrat, Basha është pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse i linte në mes nismat apo aksionet opozitare.

Ambasadori amerikan në Tiranë nuk do të nguronte të deklaronte pak javë më parë se në lidhje me reformën në drejtësi, Basha nxirrte gjithmonë nga një preteks të ndryshëm nga ai i herës së parë, duke bërë publike në këtë mënyrë pavendosmërinë e tij për ti qëndruar deri në fund një variant.

Në anën tjetër përgjatë 3 viteve në krye të opozitës, ai ka treguar një mefshtësi në hapat politikë, duke qenë gjithmonë në vonesë kohe me zhvillimet, apo duke mos qenë në gadishmëri për tiu përgjigjur atyre. Nëse do i referohemi disa prej skandaleve që kanë përfshirë Qeverinë Rama, shumë lehtësisht do të evidentohet se reagimi i parë apo denoncimi i parë ka ardhur nga ish-Kryeministri Sali Berisha, ndërsa kreu demokrat Lulzim Basha, ka reaguar në rastin më të mirë me 1 apo dy ditë vonesë.

Mefshtësia mund ti evidentohet edhe në ato pak protesta që ka thirrur opozita në këto 3 vite. Mitingu më i gjatë ka zgjatur rreth 60 minuta, çka do të thotë se gjithë energjitë për përgatitjen e një proteste masive, përmblidheshin vetëm në 1 orë.  Megjithë superskandalet qeveritare që nga shëndetësia, rendi e siguria, rritja e nivelit të papunësisë dhe varfërisë, Basha asnjëherë nuk ndërmorri hapin për organizimin e një proteste disa orëshe, edhe pse kishte paralajmëruar se do të organizoheshin manifestime deri në mosbindje civile.

Një tjetër aspekt që krijon dyshime mbi lidershipin aktual të PD-së janë pikërisht përplasjet e krijuara brenda rradhëve të saja. Me një të rënë të lapsit, Basha vendosi zhvillimin e zgjedhjeve në 21 degë ekzistuese dhe 14 të reja. Procesi duhej të përfundonte brenda 15 Korrikut, por deri më sot ka përfunduar vetëm në një degë, atë të Urës Vajgurore. Por më e rëndësishme se afati për mbylljen e procesit janë problemet dhe përplasjet që janë krijuar në rradhët e demokratëve. Në Durrës, ndër degët kryesore në vend, ekistojnë edhe përplasjet më të mëdha, kur me një veprim të padëgjuar më parë, ekipi i deleguar nga qendra, i kryesuar nga Sekretari Organizativ, shkon në selinë e PD-së dhe ndryshon bravat e dyerve duke mos pyetur as kryetarin në detyrë, Osman Stafa. Përplasje të tjera janë krijuar në Korçë, Vlorë, Shkodër, gjithashtu degë të rëndësishme dhe të mëdha të forcës kryesore në opozitë.

Ndoshta mungesa e autoritetit të lidershipit, lënia në mes e projekteve të nisura apo ndryshimi i shpeshtë i qëndrimit në favor të gjetjes së zgjidhjes mund të konsiderohen edhe si faktorë kyç, në atë që sot PD nuk po mundet të përmbyllë një proces zgjedhjesh të brendshme. /citynews/





Lajmet e fundit nga