web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Kastriot Myftaraj/ Pse Basha pranon sistemin zgjedhor që nxit aleancën Rama-Meta?

31 Maj 2016, 14:23, Aktualitet CNA

Sistemi zgjedhor në fuqi në Shqipëri, ai proporcional rajonal, është miratuar sipas dëshirës së Edi Ramës, kur ai ishte në opozitë, në 2008. Në atë kohë, Kryeministri Berisha kishte bërë me dije se ia linte në dorë opozitës, me të cilën kishte parasysh PS-në, që të përzgjidhte sistemin zgjedhor që dëshironte. Dhe Edi Rama përzgjodhi atë sistem me të cilin mendonte se do të pengonte LSI-në që të hynte në Kuvend. Por LSI arriti të mbijetonte në zgjedhjet e vitit 2009, duke marrë aq deputetë sa t? i mjaftonin që të bëhej e domosdoshme në çdo kombinim për krijimin e qeverisë. Pasi siguroi kështu pjesëmarrjen në qeveri me PD-në, LSI ishte në gjendje që të krijonte një ?pompë? të thithjes së votuesve me anë të përfitimeve të ndryshme, praktikisht një treg të madh të votës. Rama në këto rrethana u detyrua të bënte aleancën me Metën.

Sot paralel me reformën në drejtësi diskutohet përsëri për reformën zgjedhore, për të cilën është ngritur një komision parlamentar që nga shtatori i kaluar. Por duket se reforma zgjedhore nuk është prioritet i PD-së. Kur reforma zgjedhore ka rëndësi të madhe strategjike që nga mënyra se si do të konfigurohen koalicionet në zgjedhjet e ardhshme dhe deri te rezultati i tyre.

Tashmë është e qartë se sistemi zgjedhor në fuqi, ai proporcional rajonal, nuk i intereson PD-së. Ky sistem nxit aleancën parazgjedhore PS-LSI. Dikush mund të thotë se në kuadrin e këtij sistemi mund të bëhet fare mirë një aleancë parazgjedhore PD-LSI. Në letër kjo është e mundur, por në realitet është e pamundur. Sepse Meta nuk do ta prishë me dëshirën e tij koalicionin me Ramën, para zgjedhjeve, ndonëse shtiret sikur mund ta bëjë këtë gjë, me qëllim që t? i

shkëpusë sa më shumë përfitime aleatit të tij. Meta mund ta prishë koalicionin me Ramën vetëm në një rast, kur është i sigurt se me këtë do të shkaktojë rënien e qeverisë dhe krijimin e një qeverie me bazë LSI-PD dhe mbështetësit e Blushit. Kjo gjë është e pamundur. Sepse Rama është në gjendje të bëjë diversion në PD aq sa të shkëpusë nga kjo parti atë numër deputetësh që i duhen për të ta mbajtur qeverinë me një minimum shumice parlamentare, deri në zgjedhje, ashtu siç bëri Berisha në prill 2013, pas largimit të LSI-së nga qeveria e tij. Qoftë drejtpërdrejt vetë Rama, qoftë me anë të Bamir Topit, kjo nuk ka rëndësi.

PD e di se aleanca parazgjedhore me LSI-në do të bënte që kjo parti të humbte kreditet elektorale që ka fituar në këta tre vite opozitë, madje të humbte më tepër se kaq. Blushi e di se një aleancë me PD-në dhe LSI-në do të shkaktonte vdekjen e tij politike me të vetmin përfitim atë të marrjes së mandatit të deputetit opozitar edhe për një legjislaturë. Sa për LSI, kjo parti e di se nëse del nga qeveria në opozitë para zgjedhjeve kjo do të jetë katastrofë për të, pasi do të shembet brenda ditës baza e fuqisë që ka krijuar LSI si parti në pushtet, që në 2009.

Aleanca parazgjedhore PD-LSI është pra një utopi që nuk ka asnjë gjasë të bëhet realitet. Por nëse këto dy parti nuk bëjnë një aleancë parazgjedhore, pamundësohet një aleancë e tyre paszgjedhore. Sepse, nëse PD hyn në zgjedhje me sistemin e sotëm zgjedhor, që favorizon aleancat e mëdha, nuk do të arrijë të marrë aq deputetë sa të mund të shihet pas zgjedhjeve si një aleat eventual paszgjedhor i LSI-së. PD tashmë i ka humbur pothuajse të gjitha partitë aleate që kanë njëfarë peshe elektorale, që nga BDI e Shpëtim Idrizit te PDK e Nard Ndokës, të cilat i janë bashkuar shumicës parlamentare në pushtet. Me sistemin e sotëm zgjedhor, jo vetëm që PD do të humbë zgjedhjet e vitit 2017, por do të mbetet e varur nga LSI edhe për zgjedhjet e vitit 2021.

Në këto rrethana, strategjia më e arsyeshme për PD-në është që të bëjë diversion duke e shpërbërë koalicionin qeveritar para zgjedhjeve, sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje. Kjo mund të arrihet me anë të ndryshimit të sistemit zgjedhor. Për të arritur këtë do të mjaftonte që Basha të deklaronte se para këtyre zgjedhjeve është radha e Ramës që t? ia kthejë favorin PD-së, duke i lënë asaj të drejtën të zgjedhë sistemin zgjedhor që do. Basha ka gjithë të drejtën që ta kushtëzojë me këtë pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje.

Sistemi zgjedhor më i përshtatshëm për këtë strategji është ai proporcional në shkallë republike ku lejohen vetëm koalicionet paszgjedhore, jo ato parazgjedhore. Me këtë sistem zgjedhor partitë tregojnë fuqinë e tyre të vërtetë në zgjedhje. Pas kësaj mund të krijohen aleanca të besueshme zgjedhore. Është e vërtetë se me këtë sistem zgjedhor ka shumë gjasa të fitojë PS, si parti e vetme. Por PD do të dalë parti e dytë, duke marrë në zgjedhjet e vitit 2017 shumë më tepër deputetë sesa do të marrë me sistemin zgjedhor në fuqi. Me sistemin zgjedhor që është sot në fuqi, PD rrezikon seriozisht që të dalë parti e tretë pas LSI.

Pyetja është se përse Basha nuk e dëshiron ndryshimin e sistemit zgjedhor? Fakti që Basha nuk do ndryshimin e sistemit zgjedhor, në praktikë do të thotë se ai nuk do fitoren e PD-së dhe ardhjen në pushtet të partisë së tij, as në 2017, as në 2021./ Shkruar ekskluzivisht për citynews.al





Lajmet e fundit nga