web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dokumentet e Panamasë zbuluan sesi Berisha dhe Meta kërkuan të blenë mbështetjen e lobit hebre me paratë e shqiptarëve

4 Prill 2016, 21:31, Aktualitet CNA

Nga Kastriot Myftaraj

Koncesioni për markimin e karburanteve erdhi në jetë si një fëmijë ilegjitim i martesës politike PD-LSI, domethënë Berisha-Meta, me vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 200, dt. 13. 3. 2013, i marrë tre javë para se ministrat e LSI të largoheshin nga Qeveria. Titulli i vendimit është ?Për miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Fluids International s.a. dhe Petroleum Consulting Partners A.G.?
Vërtet që kontrata është bërë midis Ministrisë së Financave dhe koncesionarëve, por në përgatitjen e saj ka pasur një bashkëpunim-kyç Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, e cila madje ka qenë përgjegjëse për anën teknike të çështjes. Dhe këtë ministri në atë kohë e ka pasur LSI. Ministër ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës, Edmond Haxhinasto. Se sa i besuar është Haxhinasto për Metën, për këtë mjafton të thuhet se kur Meta ishte kryeministër dhe i ishte bërë obsesion përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë, në nëntor 2001 dërgoi si të ngarkuar me punë në Beograd (në këtë nivel qenë marrëdhëniet mes dy vendeve në atë kohë), pikërisht Haxhinaston, i cili deri atëherë kishte qenë shef i kabinetit të kryeministrit. Kur Meta u bë Ministër i Punëve të Jashtme në 2002, Haxhinasto u bë këshilltari i tij.
Kur në përfundim të bashkëqeverisjes me Berishën, Metës i duhej një njeri i besuar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, për të bërë disa punë të llojit panamez, ai emëroi ministër pikërisht Haxhinaston. Dihet se LSI kishte zyrtarisht një zotërim prej 20% të të punësuarve në administratën publike, sipas marrëveshjes së bashkëqeverisjes me PD-në. Një nen i pashpallur i kësaj marrëveshjeje sanksiononte se LSI kishte 20% edhe në punët e pista fitimprurëse që bënte Qeveria ?Berisha? dhe kjo shifër dyfishohej kur këto punë nuk bëheshin dot pa përzierjen e drejtpërdrejtë të një ministrie të LSI. Rasti i kontratës për markimin e karburanteve ishte pikërisht ky i dyti. Përveç kësaj, për t? u miratuar VKM duhej nënshkrimi i ministrave të LSI.
Kush ishin këto dy kompani, Global Fluids International s.a. dhe Petroleum consulting Partners A.G.të cilave Qeveria e Shqipërisë me një VKM poi u jepte koncesionin e markimit të karburanteve?
Në shkurt 2012 Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, e zotëruar nga LSI kishte nisur të studionte tregun ndërkombëtar për të gjetur kompani partnere për markimin e karburanteve. Por nuk kishte shpallur asnjë ofertë ndërkombëtare për këtë gjë, sepse nuk do të bëhej një tender i hapur, por do të përzgjidhej partneri që do t? i jepej koncesioni. Në këtë kohë, në Baar të Zvicrës, themelohet një kompani hermetike, e llojit off-shore, e quajtur Petroleum Consulting Partners AG. Zvicra është versioni europian i Panamasë për çështje të tilla. Data e regjistrimit në Regjistrin Tregtar në Zvicër, është 16 shkurt 2012. Kjo kompani ishte ajo me të cilën Sali Berisha dhe Ilir Meta, do të përfitonin të ardhurat e këtij koncesioni. Petroleum consulting Partners AG. Kishte një kapital prej 100 mijë franga zvicerane dhe ishte një dhomë bosh, një emër për të kryer punë të pista. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, ishte një horr i njohur në botën e off-shores, Francois Claude Morax, me banim në Zurich, i cili në 1995 ka shpallur falimentimin, duke likuiduar 14 kompanitë që kishte themeluar dhe bashkëthemeluar. Francois Claude Morax është një nga ata që jetojnë duke huazuar emrin për të bërë punë të pista, një presta nome siç thonë në Itali, në fjalorin mafioz.
Kur kompania ?Petroleum consulting Partners AG? u përzgjodh me VKM për si fitues i koncesionit për markimin e karburanteve, në mars 2013, ajo nuk kishte asnjë përvojë në fushën e markimit të karburanteve përveç mëtimit të shpallur prej saj se mund ta kryente këtë veprimtari.
Në këtë kohë hyn në lojë avokati Assaf Halkin nga Israeli. Në maj 2013, Assaf Halkin themeloi në një tjetër off-shore, në ishullin Anguilla, një kompani me emrin Global Fluids International Technologies, në aktin e themelimit të së cilës thuhej se do të kryente investime në Shqipëri në fushën e teknologjisë së lartë. GFI Technologies ishte në pronësi të Assaf Halkin, Ismail Mulletit (ky i fundit proxy i Sali Berishës për punë të pista që nga koha e kompanisë së PD, ?Shqiponja?, në kohën kur Berisha ishte President i Republikës), dhe të një kompanie të regjistruar në Kanada me emrin Global Fluids International S.A, e themeluar në vitin 2001.
Me rastin që kompania kanadeze Global Fluids International S.A u bë bashkëthemeluese e kompanisë Global Fluids International Technologies, që do të kryente veprimtari në Shqipëri, në maj 2013 themelohet një kompani bijë e Global Fluids International S.A, me emrin Global Fluids International Albania sh.p.k. Kompania ishte një bashkim i përkohshëm për koncesion, me kapital bazë 1 milion lekë të rinj. Pronarë të kësaj kompanie ishin Global Fluids International Albania sh.p.k., me 75% dhe Petroleum consulting Partners AG 25%.
Kur në 2015 kompania Global Fluids International S.A në Kanada doli në shitje, duke përdorur për këtë gjë shërbimet e një kompanie të specializuar publike kanadeze, Eurocontrol Technics Group Inc., kompania vendosi të çlirohet paraprakisht nga koncesioni kompromentues shqiptar. Prandaj, në shtator 2015, GFI Albania sh.p.k. bëri likuidimin e saj duke ia shitur pjesën e saj Petroleum Consulting Partners AG, dhe duke mbajtur vetëm 0.07% të aksioneve.
Administrator i Global Fluids International Albania sh.p.k. ishte ish-gjenerali i forcave speciale të Ushtrisë Izraelite, Uzyel Ben Itzhak. Në letër ai e kishte zyrën në Shqipëri, në Mëzez, afër Tiranës. Nuk ka dyshim se me këtë koncesion, Sali Berisha dhe Ilir Meta kërkuan të blenë mbështetjen e lobit hebre.
Kartat e Panamasë duhet të çojnë në burg Berishën dhe Metën. Ndonëse Meta nuk ka qenë anëtar i qeverisë kur u miratua VKM-ja, nëse do të hetohet çështja, ministrat e LSI do të shesin Metën si urdhëruesin e vërtetë për votimin e tyre në këtë vendim. VKM e marsit 2013 është shumë hermetike. Në VKM të publikuar në fletoren zyrtare nr. 52, dt. 12 prill 2013, thuhet se miratimi i kontratës bëhet sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen këtij vendimi. Por nga vendimet dhe shtojcat nuk publikohet asgjë.
Pak kohë pas daljes së VKM, Berisha dhe Meta e kuptuan se në të kishte diçka që nuk shkonte, edhe sipas pikëpamjes së tyre. Pikërisht në kohën kur kishte nisur fushata për zgjedhjet e 23 qershorit 2013, ku Meta ishte në koalicion me Ramën, Meta pati një bisedë me Berishën për VKM-në, duke i kërkuar që të saktësohej diçka me një VKM të dytë. Kështu që në 30 maj 2013 doli VKM nr. 498 ?Për përcaktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës bruto?.
Nga kjo VKM kuptohet se koncesionari do të bënte shërbime shumë primitive, dhe jo të specializuara siç pretendohet nga Qeveria.
Kur Shoqata e Hidrokarbureve, një grup interesi privat shqiptar, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e koncesionit, kjo gjykatë në vendimin e saj të marsit 2014 votoi pesë me katër për rrëzimin e kërkesës. Për refuzimin e kërkesës votuan kryetari Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Gani Dizdari, Altina Xhoxhaj, Vitore Tusha. Për pranimin e kërkesës votuan Fatmir Hoxha, Fatos Lulo, Besnik Imeraj dhe Sokol Berberi.
Me publikimin e Dokumenteve të Panamasë çështja e këtij koncesioni duhet të hetohet si krim dhe përgjegjësit të dënohen. Sali Berisha për VKM të tilla ka një teori juridike personale, që mund të quhet jurisprudencë e Viçidolit (vendlindja e Berishës) e pasuruar me jurisprudencën e Çepanit (vendlindja e Metës), se nuk ka përgjegjësi kolektive. Pra, meqënëse VKM është akt kolektiv i anëtarëve të Këshillit të Ministrave ata nuk kanë përgjegjësi për të. Sipas kësaj logjike nëse njëqind shqiptarë, marrin një vendim për të asgjësuar fizikisht njerëzit që bëjnë akte të tillë, ata nuk kanë përgjegjësi sepse e kanë marrë vendimin kolektivisht.





Lajmet e fundit nga