web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mesila Doda: PD e PS u bënë bashkë për të mbrojtur Enver Hoxhën

29 Shkurt 2016, 07:53, Aktualitet CNA

Deputetja Mesila Doda ka thënë se dy forcat më të mëdha politike në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë bashkuar për të mos i hequr dekoratat xhelatëve të regjimit komunist dhe vetë Enver Hoxhës. Në një intervistë për gazetën ?Sot?, Doda shprehet se Spartak Braho ka bllokuar nismën e saj dhe të kreut të PDIU-së për titujt e nderit ndaj xhelatëve. Ajo shprehet se ky bllokim ka gjetur dakordësinë e PD-së, pasi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për këtë.

-Zonja Doda, pse u bllokua projektligji për heqjen e medaljeve të ish-eksponentëve të diktaturës komuniste? Komisioni i Sigurisë nuk pranoi as që ta merrte në shqyrtim.  

Në një akt të paprecedent për parlamentarizmin shqiptar, më datë 9 shkurt, trimat e majtë dhe të djathtë, hetuesit, ish-komunistët dhe ish-sigurimsat e Komisionit të Sigurisë morën në shqyrtim pa praninë dhe pa lajmërimin e iniciatorëve të ligjit për medaljet, për ndryshimin e ligjit për medaljet dhe titujt e nderit. Paralelisht me këtë draft dhe shumë i ngjashëm me të ishte depozituar edhe ligji i deputetëve Taulant Balla dhe Edi Rama, i cili, në urgjencë të panevojshme e depozitoi ligjin si deputet i thjeshtë dhe jo si kryeministër. Megjithatë, akti i Komisionit të Sigurisë lë pa fjalë këdo që ka marrë pjesë në jetën parlamentare shqiptare përgjatë këtij çerek shekulli, pasi ky komision deklaron se nuk pranon ta shqyrtojë dhe e kthen për mendim tek Këshilli i Legjislacionit duke e cilësuar si antikushtetues. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që  të marrësh në shqyrtim nismën dhe të mos lajmërohen asnjë nga nismëtarët…! Kjo është shkelje flagrante e procedurës parlamentare. Unë dhe z. Shpëtim Idrizi duhet të ishim thirrur, ashtu siç duhet të ishte thirrur z. Edi Rama dhe z. Taulant Balla nga krahu tjetër, pasi janë nisma me objekt të njëjtë. Dhe do duhej që të shqyrtoheshin së bashku. Komisioni i Sigurisë mund ta aprovonte apo rrëzonte, mund ta kthente për papajtueshmëri si komision përgjegjës me argumentin se ky ishte lëndë legjislative më e përshtatshme për Komisionin e Ligjeve, por që një komision ta dënojë me vdekje një ligj të propozuar, ku nuk është as prerogative e tij e as i takon kjo ishte një strategji e padëgjuar. Për këtë mund të shprehet Gjykata Kushtetuese ose vendimi me të cilin kalohet në seancë plenare. Në këtë rast, siç nuk mundet as ta imagjinonim janë bërë bashkë Flamur Noka me Spartak Brahon, të cilët e kanë dënuar ligjin a-priori dhe nuk kishin as guximin ta pohonin, por fshiheshin pas një vendim të mjegullt se menduam se duhej të kalonte në një komision tjetër. E vërteta është tjetër, bëhen bashkë të majtë e të djathtë për të mbrojtur dekoratat e xhelatëve….kjo është panorama e Parlamentit të sotëm.

-Çfarë qëndrimi mbajti Partia Demokratike?  

Asnjë qëndrim! Spartak Braho, i cili ka qenë ish-hetues i komunizmit, ka bërë gjithë mbrojtjen ligjore për xhelatët në relacionin për Këshillin e Legjislacionit dhe ka deklaruar se nisma është antikushtetuese. Ndërkohë, Flamur Noka, ky demokrat i flaktë, nënkryetar i komisionit, nuk ndihet fare, mundohet ta mbulojë e të mbështesë marrëzinë që kanë bërë të majtët e komisionit…ky është fundi! Pas kësaj që kanë bërë, nuk mund t?i thonë më vetes të djathtë! Ky akt, së bashku me refuzimin e nderimit në Parlament për ish- studentët e grevës, janë gjërat më të rënda që politika mund të ketë bërë gjatë kësaj kohe!

-Pse dosjet e Sigurimit të Shtetit nuk po hapen? Komisioni ka mbetur peng prej disa muajsh.  

Ligji ka kaluar thuajse një vit më parë. Formimi i Komisionit për hapjen e dosjeve është futur në kalendat greke dhe prej shumë e shumë muajsh kanë pritur certifikatat e sigurisë. Edhe atë gjysëm ligji që miratuan nuk po e zbatojnë. E di cila është arsyeja themelore, arsyeja e vërtetë? Sot në politikën shqiptare nuk ka dy krahë politikë, por dy palë njerëzore, ku njëra mbahet fort pas të kaluarës, e adhuron haptaz a fshehtaz dhe kërkon ta mbrojë bashkë me të, të mbrojë përgjegjësit dhe politikanët, gjyqtarët e hetuesit e komunizmit, ndërsa tjetra kërkon një Shqipëri moderne, të ndarë nga krimi i së kaluarës. Nuk mund të thuash ti që do të dënosh kriminelët dhe trafikantët e sotëm, dhe nga ana tjetër ke në Parlament hetues që u kanë dhënë plumbin e fundit njerëzve! Nuk ka si të justifikohet më kjo punë. Pandëshkueshmëria është krijuar qysh në fillim si precedent. Këto janë edhe pjesë të nismave që ne kemi propozuar, dekomunistizimin dhe lustracionin. Kriminelët nuk mund t?i trajtosh si heronj! Titulli dhe medalja e nderit, nuk është e drejtë e mohuar apo që po tentohet të mohohet, sepse nderimi nuk i jepet dikujt që gjatë luftës u soll si hero, por në paqe u soll si xhelat. Titulli i jepet dikujt që tregon përkushtim dhe dashuri përgjatë gjithë punës dhe luftës së tij, në shërbim të mbrojtjes dhe së mirës së atdheut. Turp për ata politikanë që janë vënë në rresht për një, të mbrojnë medaljen dhe titujt e Enver Hoxhës dhe të tjerave monstra si ai. – See more at: http://www.sot.com.al/politike/mesila-doda-pd-ps-u-b%C3%ABn%C3%AB-bashk%C3%AB-kund%C3%ABr-ligjit-t%C3%AB-dekoratave-ja-kush-jan%C3%AB-trimat-dhe#sthash.5IfnLbty.dpuf





Lajmet e fundit nga