web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Shehaj: Familjarët e pronarit të biznesit do punojnë pa sigurime

14 Nëntor 2015, 15:03, Aktualitet CNA

Në një intervistë ekskluzive për ?Shqiptarja.com?, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisilda Shehaj shpjegon mënyrën si është zhvilluar në terren aksioni masiv kundër evazionit, si dhe rezultatet e deritanishme të tij. Sipas kreut të tatimeve, janë kryer në total 103 mijë kontrolle, janë regjistruar 36 mijë biznese, si dhe më shumë se 80 mijë punonjës që punonin në të zezë.

Shehaj sqaron se tashmë është përgjysmuar numri i grupeve që operojnë në terren, ndërkohë që aksioni do të vazhdojë me verifikimin e punës së vetë tatimorëve, por edhe përmes provokatorëve, të cilët do paraqiten si konsumatorë të zakonshëm për të kuptuar nëse bizneset lëshojnë apo jo kuponët. Kreu i tatimeve sqaron gjithashtu si duhet të veprojnë bizneset për të shmangur dënimet përmes vetëkorrigjimit të të dhënave, si dhe që së shpejti po merren masa që të përjashtohen nga penalitetet familjarët e paregjistruar të personave që kanë biznese familjare.

Që prej kësaj jave kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore në procedurat tatimore, të cilat parashikojnë ashpërsimin e masave ndëshkuese ndaj bizneseve me shkelje. Nga ana tjetër, administrate tatimore që nga 1 shtatori po zbaton në terren një aksion masiv kundër evazionit, i cili po perceptohet me shqetësim nga biznesi. Ka një shqetësim të përgjithshëm për aksionin, madje ka edhe akuza për represion nga ana administratës tatimore. Cili është opinioni juaj?
Nuk po ju them çfarë mendoj unë për aksionin kundër evazionit dhe rolin e tatimeve, por po ju sjell në vëmendje vetëm që në progres raportin e Bashkimit Evropian, i bërë publik vetëm dy ditë më parë, administrata tatimore ka marrë vlerësim shumë të mirë. Në raport theksohet qartë se administrata tatimore është e përgatitur në mënyrë të moderuar.

Nëse në vitet e mëparshme theksohej se ka përpjekje të moderuara, sot Bashkimi Evropian e sheh administratën tatimore si të përgatitur në mënyrë të moderuar. Sa për klimën represive, që sapo e përmendët, unë nuk e shoh. Referojuni gjobave që janë vënë gjatë kësaj kohe. Deri tani janë kryer 103 mijë kontrolle dhe janë vendosur 6 mijë gjoba, ose e thënë ndryshe, totali i gjobave nuk kalon mbi 1.5 milionë dollarë. Ndërkohë nuk kemi rënie të qarkullimit, nuk kemi rënie të arkëtimit të TVSH-së, dhe të asnjë treguesi tjetër që mund të flasë për tkurrje të aktivitetit ekonomik.

Në çfarë pike është aksioni në terren?
Tashmë jemi në fazën e dytë të aksionit, që do të thotë se gjysma e inspektorëve është tërhequr nga terreni. Nga afërsisht 500 grupe, tashmë në terren operojnë rreth 230 grupe. Pak nga pak, të gjitha grupet do tërhiqen në terreni për të vazhduar normalisht punën në zyra. Tashmë, falë informacionit të grumbulluar gjatë këtyre muajve, kemi të dhënat e nevojshme për të kuptuar ecurinë e bizneseve. Kuptojmë menjëherë cili biznes paraqet ulje të ndjeshme të xhiros ditore dhe kemi nisur një projekt në Tiranë, falë të cilit u telefonohet çdo ditë rreth 1 mijë bizneseve, të cilat shfaqin oshilacione të dukshme në përdorimin e kasave apo vlerën e kuponëve.

Çfarë u kërkohet subjekteve që shfaqin oshilacione?
Ne tashmë kemi informacion mbi qarkullimin ditor të këtyre subjekteve dhe sistemi na vë në alarm për subjektet që shfaqin oshilacione të forta nga mesatarja ditore. U bëhet e ditur se administrate tatimore po monitoron xhiron e tyre ditore, të jenë më të kujdesshëm në lëshimin e kuponëve, në vlerën e tyre reale etj.

Çfarë prodhoi aksioni kur vjen fjala te informacioni i administratës tatimore lidhur me bizneset dhe çfarë  masash janë marrë si rezultat I këtij informacioni.
Fitorja kryesore e aksionit është numri i bizneseve të rinj të regjistruara sipas ligjit. Bëhet fjalë për afërisht 36 mijë subjekte të reja. Ndërkohë që rezultatet e aksionit përsa i përket të ardhurave në arkën e shtetit falë formalizimit të tyre, do t?i shohim në vitin 2016. Për t?u nënvizuar është se deri tani janë monitoruar imtësisht 12,845 subjekte,  dhe ka ndryshuar përgjegjësia tatimore për 3,614 prej tyre.

Çfarë do të thotë ndryshim i përgjegjësisë tatimore?
Nga këto 12,845 mijë subjekte, 877 që figuronin biznes i vogël, por që realisht janë biznese të mëdhenj, tashmë janë të regjistruar si të tillë. Ndërkaq, 1539 të tjerë, kaluan nga biznes i vogël, me xhiro nga 2 deri në 5 milionë në vit, në biznes të vogël me TVSH. Ndërkohë që rreth 1,200 biznese të tjerë, rezultojnë tashmë me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë në vit, ndërkohë që qenë regjistruar nën këtë xhiro.

Aksioni ka zbardhur dhe një shifër impresionuese prej më shumë se 70 mijë punonjësish të padeklaruar. Ku fshiheshin gjithë këta punonjës në të zezë?
Kryesisht nëpër bizneset e paregjistruara, të cilët tashmë u regjistruan.

E megjithë këtë numër të ri biznesesh të formalizuar, administrate tatimore përsëri nuk arriti të realizonte planin e të ardhurave. Në shtator, mosrealizimi i të ardhurave ishte mjaft i madh.
Kjo nuk është e vërtetë. Po të shikojmë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave për nëntëmujorin, rezulton se Administrata Tatimore ka një mosrealizim prej 600 milionë lekësh në zërin të ardhura tatimore, dhe një mbirealizim prej 550 milionë lekësh për nëntëmujorin në zërin sigurime shoqërore. Moseralizimi i administratës tatimore për nëntëmujorin është jo më shumë se 99 milionë lekë, pra kemi realizuar më shumë se 99% të planit. Pjesa tjetër e mosrealizimit i detyrohet të ardhurave që mblidhen nga doganat, por që në buxhet përkufizohen si të ardhura tatimore.

Mediat qëllimisht apo në mënyrë të paqëllimshme, trajtojnë si të ardhura tatimore si të ardhurat tatimore që mblidhen nga tatimet, ashtu dhe të tjerat që mblidhen nga doganat. Të dhënat flasin shumë qartë: realizimi i administratës tatimore është 10.9% më i lartë krahasuar me vitin 2014 dhe 31.1% më shumë se viti 2013. Ndërkohë që realizimi është 99.2% në raport me planin për nëntë muajt e parë të këtij viti. Ai mosrealizim prej 0.8%, varet nga shumë faktorë.

Të mos harrojmë që vetëm nga heqja e TVSH-së për kompanitë e sigurimeve, Administrata Tatimore u privua nga një e ardhur prej 1.9 miliardë lekësh. Problem mbetet zëri i tatimit mbi të ardhurat personale, i cili përbëhet nga tre zëra: Dividenti, interesat bankare dhe të ardhurat nga shitblerja e pronave. Për këtë vit, një pjesë e mirë e bizneseve të mëdha nuk kanë shpërndarë fitime në formën e dividentit, duke vendosur t?i rikapitalizojnë.

Të kthehemi tek aksioni. Akuzoheni se e keni orientuar më së shumti drejt biznesit të vogël, madje nuk mungojnë ekstreme arrestime?
Fakti është se u kërkua të krijohej ky lloj perceptimi, por besoj se pa sukses. Më thoni sa raste të tilla kujtoni, nuk besoj se do arrini më shumë se dy, tre apo pesë raste. Ai që mori më shumë publicitet qe i një berberi, ndërkohë që punonjësi tatimor u dhunua. Nga ana tjetër, prej kohësh përsërisim vazhdimisht që të gjithë subjektet me shkelje kanë një shans t?u shpëtojnë ndjekjes penale e gjobave, duke vetëkorrigjuar deklaratat tatimore. Të gjithë taksapaguesit, të cilët deri më datë 31 dhjetor 2015, korrigjojnë deklaratat tatimore, do t?u falet gjoba dhe ndaj tyre nuk do të bëhet kallëzim penal.

Ndërkohe, nëse vetëkorrigjimi bëhet pas datës 1 janar 2016, deri në mars, tatimpaguesit që korrigjojnë deklaratat tatimore dhe paguajnë të gjithë detyrimin, bashkë me gjobat e interesat, duke arritur të shmangin vetëm kallëzimit penal. Një mundësi e ngjashme u jepet edhe subjekteve të cilët kanë kryer evazion në vite, të cilët mund të anashkalojnë masat ndëshkuese nëse korrigjojnë deklaratat dhe shlyejnë detyrimin e krijuar në kohë. Por, dua të sjell në vëmendje edhe një ndryshim tjetër që po planifikojmë të bëjmë për t?u ardhur në ndihmë bizneseve familjare.

Po përgatisim ndryshimet në udhëzimin përkatës për të bërë të mundur mospenalizimin e familjarëve të cilët gjenden duke punuar në ambientet e subjektit. Pra, të afërmit e personit që ka licencën e biznesit, bashkëshortja, fëmijët, prindërit, nuk do gjobiten në rast se punojnë në atë subjekt. Do përjashtohen nga detyrimi për regjistrim të gjithë personat që gjenden në certifikatën familjare të personit që ka regjistruar subjektin.

Ka edhe një akuzë tjetër. Ndërsa flitet për ashpërsim të gjobave e të ndëshkimeve penale, nuk kemi asnjë tatimor të proceduar penalisht. Askush nuk do merrte përsipër të thoshte se kemi një ekonomi me informalitet 50% dhe asnjë tatimor të korruptuar. Nuk ka asnjë dyshim që gjithë ky evazion do të ishte i pamundur pa përfshirjen e tatimorëve. 
Janë 1,060 vendime të Komisionit Disiplinor të Administratës tatimore për shkelje nga ana e punonjësve. Kemi kapur shkelje të shkallëve të ndryshme, ndërkohë që janë dhëna masa administrative nga mbajtja e një të tretës së pagës, deri në shkarkim nga detyra.

Gjithsesi, bizneset kërcënohen me ndjekje penale, ndërsa tatimorët ndëshkohen me masa administrative?
Vetëm në muajin tetor, falë një prej dosjeve të dërguara nga ne në prokurori për krim financiar, u arrestua një biznesmen dhe dy inspektorë tatimorë. Në total janë mbi 40 inspektorë të dërguar për ndjekje penale. Por ç?na mbetet të bëjmë ne si administratë që dërguam në prokurori 9 persona për vjedhje me faturat e TVSH-së për një vlerë totale prej 8.5 milionë dollarë, të cilët janë sot të lirë.

Nga ana tjetër, në fazën e dytë të aksionit ndaj evazionit kemi edhe atë që ne e quajmë rikontrrollin e bizneseve. Kjo faze, në fakt, nuk kontrollon më bizneset, se tashmë i kemi të dhënat e nevojshme për ta, por do kontrollojë të dhënat që kanë paraqitur inspektorët lidhur me bizneset. Nëse ka mosrakordime, nëse inspektori ka manipuluar të dhënat, do merren menjëherë masa.

Këta janë ?spiunët?, apo ?provokatorët?, për të cilët po flitet dendur së fundmi?
Jo, personat për të cilët fola do të kontrollojnë vetëm punonjësit tatimorë. Ata, të cilëve ju i referoheni si ?spiunë?, por që në fakt janë provokatorë, do të kenë një tjetër rol. Do t?i jepet një fond i caktuar në para dhe do të ulet në një bar, apo do kërkojë një shërbim të caktuar nëpër subjekte të ndryshme. Në rastin që nuk i jepet nga subjekti kuponi tatimor për kafen, produktin, apo shërbimin e marrë, do raportojë në zyrat tona, të cilat do marrin masat e parashikuara në ligj.

Sa do jetë numri i tyre? Të jem i sinqertë, dalja e tyre në skenë ka ngjallur shumë kuriozitet në media.
Nuk do jetë një numër masiv, përkundrejt kuriozitetit tuaj. Kemi menduar që numri i tyre të jetë rreth 80. Dhe çdo veprim i tyre do të jetë transparent për bizneset.

Cilët kategori biznesesh do të ?provokohen? më së shumti prej tyre?
Nuk bëhet fjalë për kategori biznesesh. Provokatorët do paraqiten në ato subjekte të cilët sistemi i përcakton si potencialisht me risk më të lartë për evazion. Është sistemi që mat sjelljen e bizneseve, korrektësinë e tyre në lëshimin e kuponëve, si dhe element të tjerë, duke evidentuar automatikisht ata më të dyshimtët. Pikërisht në këto biznese do të paraqiten edhe provokatorët.

Ndërkohë që flitet për shpërblime për personat që denoncojnë subjekte të cilat nuk u japin kupone tatimore?
Po. Është parashikuar edhe shpërblimi i qytetarëve që do të denoncojnë subjektet që nuk japin kupon, ose e japin jo me vlerën reale. Nuk është përcaktuar ende përfundimisht kuota e shpërblimit për ta, por do përcaktohet në vijim.

Siç thatë edhe vetë, rezultatet reale të aksionit kundër evazionit, në terma taksash të derdhura në arkën e shtetit, do të mund të shikohen vetëm vitin e ardhshëm. Sa mendoni se do jenë këto të ardhura të shtuara në buxhet?
Nuk do doja të bëja parashikime. Por mund t?ju sjell në vëmendje se në muajin tetor kemi shifër të shkëlqyer realizimi të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ndërsa mesatarisht për çdo muaj mblidhnim 3.1 miliardë TVSH, në muajin tetor, administrate arkëtoi 3.4 miliardë lekë nga kjo taksë që në datën 14. Në fund të muajit u arkëtuan 3.65 miliardë, që është një shifër rekord, me rreth 500 milionë lekë, apo 5 milionë dollarë më shumë se mesatarja.

Po ashtu, dua të sjell në vëmendje edhe rezultate të shkëlqyera lidhur me mbledhjen e tatimit në burim të qirave, i cili është dyfishuar në raport me një vit më parë. Ishin rreth 3 mijë subjekte të cilat prej vitesh nuk paguanin tatimin mbi qiratë, të cilët tashmë morën përsipër përgjegjësinë tatimore dhe po derdhin rregullisht detyrimet. shqiptarja.com





Lajmet e fundit nga