web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lista e shtetasve të Shqipërisë që do të arrestohen nga Gjykata Speciale e Kosovës

13 Gusht 2015, 15:04, Aktualitet CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Që të mund të funksionojë Gjykata Speciale e Kosovës e krijuar para pak ditëve me vendim të Kuvendit të Kosovës, duhet që të miratohet edhe një ligj nga Kuvendi i Shqipërisë, ashtu siç ka bërë Kuvendi i Shqipërisë me rastin e krijimit të Task Forcës Speciale Hetimore (TFSH) të EULEX, në 2012. Task Forca Speciale Hetimore e EULEX u krijua që të shërbejë si zyrë hetimore e Prokurorisë Speciale të Kosovës (e përbërë nga prokurororë ndërkombëtarë), në funksion të Gjykatës Speciale. Me rastin e krijimit të Task Forcës Speciale Hetimore, Kuvendi i Shqipërisë, me kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë amerikanë dhe europianë, në 12 maj 2012 miratoi ligjin me titull ?Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Speciale Hetimore të EULEX.? Me këtë ligj i jepet e drejta Task Forcës Speciale Hetimore që të kryejë hetime në Shqipëri, deri edhe duke ngritur akuza nga shtetasve shqiptarë dhe madje duke urdhëruar arrestimin e tyre. Personi ndaj të cilit do të ngrihet akuzë dhe do të arrestohet, nuk ka asnjë të drejtë ankimi në Gjykatat e Shqipërisë, por thjesht do të deportohet jashtë Shqipërisë, pas konfirmimit të kërkesës së TFSH nga ana e Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Nevoja e këtij ligji u shpjegua me atë se pjesa më e madhe e ngjarjeve të paraqitura në raportin e Dick Marti supozohej të kishin ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë, prandaj me miratimin e këtij ligji vendi ynë do të tregonte vullnetin dhe disponimin e plotë për t? u zbuluar e vërteta me një hetim ndërkombëtar. Por, ndonëse në kohën që Kuvendi i Shqipërisë u tha se kjo gjë bëhej për ta çliruar vendin tonë nga akuzat e padrejta që u ngritën në raportin e Dick Marty, në preambulën (hyrjen) e ligjit, nuk vihet aspak ky kufizim në veprimtarinë hetimore të TFSH në Shqipëri, as në objektin e hetimeve dhe as në periudhën kohore në të kaluarën për të cilën mund të kryhen këto hetime. Raporti i Dick Marty thotë se krimet e pretenduara atje janë kryer në periudhën nga qershori 1999 deri në fund të vitit 2000. Por tani del se TFSH na paska të drejtë të hetojë dhe të ngrejë akuza për periudhën nga fundi i shkurtit 1998 deri në fund të vitit 2000. Moskufizimi i objektit të hetimit dhe i periudhës së hetimit në ligjin shqiptar është bërë me qëllim, ashtu që, në bazë të këtij ligji, TFSH dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, të përbëra nga ndërkombëtarë, të mos kufizohen në punën e tyre në objektin e raportit të Dick Marty dhe as në periudhën kohore të tij. Kështu që TFSH dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, mund të bëjnë hetime dhe ngrenë akuza e të urdhërojnë arrestime për krime të supozuara kundër njerëzimit e krime lufte që nuk kanë të bëjnë me trafikun e organeve njerëzore dhe që jashtë periudhës kohore që përmendet në raportin e Dick Marty. Kjo do të thotë, asgjë më pak se TFSH ka të drejtë të ngrejë akuza dhe të arrestojë njerëz edhe për çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë e UÇK në Shqipëri, në periudhën nga shkurti 1998 deri në qershor 1999, si dhe për veprimtarinë e njerëzve të UÇK në Shqipëri pas kësaj date deri në fund të vitit 2000. Dhe dihet se Shqipëria, në vitet 1998-1999 ishte bazë e UÇK me miratimin dhe bashkëpunimin e autoriteteve shtetërore shqiptare. Ligji i vitit 2012 është miratuar me konsensusin e të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë, me votat e përbashkëta të PD, PS, LSI.

Numri i madh i drejtuesve të UÇK të të gjithë rangjeve që do të arrestohen dhe do të dalin si të pandehur para Gjykatës Speciale, e bën të qartë se në pikëpamjen e TFSH dhe të Gjykatës Speciale në UÇK ka pasur një linjë kriminale të organizuar që shkonte deri në rangjet e larta të saj. Kjo gjë e implikon seriozisht shtetin shqiptar që lejoi veprimtarinë e UÇK-së në territorin e tij, duke pasur si partnerë të privilegjuar pikërisht ata njerëz që do të arrestohen dhe dalin para Gjykatës Speciale, për shkak se i përkasin kësaj linje të organizuar kriminale të UÇK-së. Autoritetet shqiptare të kohës nuk mund të shfajësohen me uljen e shkallës së kontrollit mbi territorin në Veriun e Shqipërisë, për shkak të trazirave të vitit 1997 në vend. Sepse ka pasur një vullnet të qartë të pushtetarëve të kohës në Shqipëri (1998-2000) për të mbështetur në cdo mënyrë pikërisht atë linjë të UÇK-së e cila tani del të ketë kryer krime. Ata ish-drejtues të UÇK që do të arrestohen për të shkuar si të pandehur në Gjykatën Speciale, nuk mund të bënin dot asgjë nga ato gjëra të këqija që kanë bërë në Kosovë dhe në Shqipëri, pa mbështetjen e autoriteteve të kohës në Shqipëri. Prandaj është e sigurt se Gjykatën Speciale për Kosovën do të shkojnë si të pandehur edhe ish-zyrtarë nga Shqipëria të viteve 1998-2000.

Derisa UÇK ishte një organizatë paramilitare, e cila nuk i përkiste ndonjë shteti, Shqipëria ishte një shtet, anëtar i OKB. që kishte detyrime ligjore ndërkombëtare që rridhnin nga vetë statusi i saj shtetëror. Sot, Fatos Klosi, kryetari i shërbimit të fshehtë të Shqipërisë, SHIK të periudhës për të cilën do të gjykojë Gjykata Speciale (shkurt 1998-dhjetor 2000) mban statusin e veteranit të UÇK, të cilin ia ka dhënë komisioni qeveritar i Kosovës. Gjithashtu, ky status i është dhënë edhe z. Sabit Brokaj, që në këtë periudhë ka mbajtur detyrat e Ministrit të Mbrojtjes dhe këshilltarit ushtarak të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për kohën, Rexhep Meidani. Nga pikëpmja juridike kjo do të thotë pohim zyrtar i implikimit të Shqipërisë në veprimtarinë e UÇK. Të tjerë drejtues të lartë shtetërorë të Shqipërisë së kohës së Luftës së Kosovës, duke përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama, e kanë kundërshtuar marrjen e statusit të veteranit të UÇK-së që iu është ofruar nga komisioni qeveritar i Kosovës.

Kur me ngritjen e akuzave nga Prokuroria Speciale ndaj drejtuesve të rangjeve të ndryshme të UÇK-së, të bëhet e qartë se në UÇK ka pasur një linjë kriminale që shkonte deri në rangjet e larta, do të bëhet e dukshme edhe përgjegjësia nga kjo pikëpamje e autoriteteve të Shqipërisë. Prandaj do të ngrihen akuza nga TFSH edhe ndaj autoriteteve shtetërore të kohës, në Shqipëri, të të gjitha rangjeve. Ekzistojnë tashmë dy lista me jo më pak se 70 emra, nga të cilat do të dalin jo më pak se 25 shtetas të Shqipërisë, të cilët kanë mbajtur poste zyrtare të rangjeve të ndryshme, ndaj të cilëve do të ngrihen akuza nga Prokuroria Speciale dhe të cilët do të arrestohen për të dalë si të pandehur para Gjykatës Speciale. Unë nuk spekuloj si Milaim Zeka i cili thotë atë që nuk e besojnë as pulat e katundit Obrije të Drenicës, vendlindjes së tij, pra se ndërkombëtarët i kanë dhënë atij dy lista me krejt emrat e atyre që do të arrestohen nga Gjykata Speciale. Milaimi do të ishte paksa i besueshëm nëse do të thoshte se i kanë dhënë dy lista me emrat e rrethit të njerëzve nga të cilët do të përzgjidhen ata që do të arrestohen për të dalë si të pandehur në Gjykatën Speciale. Dhe në fakt Milaimi ka publikuar pikërisht dy lista me emrat e njerëzve nga rrethi i të cilëve do të dalin ata që do të arrestohen për të dalë si të pandehur në Gjykatën Speciale. Por Milaimi e di se dy lista të tilla, pra një me emra drejtuesish të rangjeve të larta e një tjetër me emra drejtuesish të rangjeve të ulëta, ekzistojnë edhe për Shqipërinë, përveçse për Kosovën. Por Milaimi nuk e thotë këtë, se i mërzitet Fatos Klosi, ish-shefi i shërbimit të fshehtë të Shqipërisë në kohën e Luftës së Kosovës, sot zyrtarisht veteran i UÇK, i cili me siguri ka qeshur shumë duke e dëgjuar Milaim Zekën të thotë në televizione të ndryshme se kur u vra Ahmet Krasniqi ai ishte në Suedi dhe jo në Shqipëri.

Lista A e shtetasve të Shqipërisë, nga e cila do të përzgjidhen emrat e atyre që do të arrestohen për të dalë si të pandehur në Gjykatën Speciale është:
1)Rexhep Meidani, ish-President i Republikës
2)Pandeli Majko, ish-Kryeministër
3)Ilir Meta, ish-zëvendëskryeministër dhe i dërguar i plotfuqishëm i Qeverisë së Shqipërisë në Qarkun e Kukësit me rastin e Luftës në Kosovë, më pas Kryeministër i Shqipërisë.
4)Fatos Nano, ish-Kryeministër
5)Petro Koçi, ish-Ministër i Punëve të Brendshme
6)Spartak Poçi, ish-Ministër i Punëve të Brendshme
7)Ilir Gjoni, ish-Ministër i Punëve të Brendshme
8)Luan Hajdaraga, ish-Ministër i Mbrojtjes
9)Sabit Brokaj, ish-Ministër i Mbrojtjes dhe ish-këshilltar ushtarak i Presidentit të Republikës së Shqipërisë
10)Fatos Klosi, ish-Kryetar i SHIK.
11)Aleks Andoni, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare
12)Leonard Solis, ish-Ministër i Shëndetësisë
13)Arben Rakipi, ish-Prokuror i Përgjithshëm
14)Sokol Bare, ish-Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ish-këshilltar i Kryeministrit Fatos Nano për sigurinë kombëtare, këshilltar i Hashim Thaçit në kohën e Konferencës së Rambouillet. (Rambujesë).
15)Besnik Bregu, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
16)Hasan Hametaj, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
17)Veton Gjoliku, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
18)Veli Myftari, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
19)Taulant Dedja, ish-përfaqësues i plotfuqishëm i Qeverisë në Qarkun e Kukësit në kohën e Luftës së Kosovës.

Lista A mund të zgjerohet edhe me emra të tjera. Një arsye se përse ka shumë gjasa që të ndodhë kështu është se kur deputetët e PS-së që në 2012 ishte në opozitë, bashkuan votat me deputetët e PD-së për të miratuar ligjin me titull ?Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Speciale Hetimore të EULEX.?, ku i jepet e drejta TFSH që të kërkojë dhe të marrë në Shqipëri, për nevojat e hetimeve, çdo lloj prove që dëshiron, deputetët tanë me siguri menduan se po i jepnin qasje TFSH vetëm në shtëpinë e katundarit matjan Abdulla Katuçi. Edi Rama, sipas urdhërit të të cilit vepruan deputetët e PS-së, me siguri që nuk ka menduar që në bazë të këtij ligji, hetuesit e TFSH mund të kërkojnë të njihen edhe me ndonjë Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) top sekret të kohës kur Edi Rama ishte ministër, që kishte të bënte me mbështetjen materiale të UÇK-së nga Qeveria e Shqipërisë, të cilën VKM e ka nënshkruar dhe Edi Rama.

E sot, në bazë të ligjit të vitit 2012, Kryeministri Rama është i detyruar t? u lejojë qasje hetuesve të TFSH në këto lloj dokumentesh. E nëse hetuesit e TFSH nuk e kanë kërkuar këtë gjë ende, kjo ka ndodhur se është e nevojshme që Shqipëria të miratojë një ligj të ngjashëm me atë të vitit 2012, me të cilin t? i jepet juridiksion edhe mbi territorin e Shqipërisë Gjykatës Speciale të krijuar në Kosovë. Se nuk mund të funksionojë një gjykatë e cila ka mospërkim juridiksioni me Prokurorinë e ngritur në shërbim të saj. E pasi Shqipëria ta ketë miratuar këtë ligj, do të kemi surpriza nga Gjykata Speciale. Por Kushtetuta e Shqipërisë e ndalon shprehimisht krijimin e gjykatave speciale mund të thotë dikush. Ashtu është, por Kushtetuta mund të ndryshohet, ashtu siç ndodhi në Kosovë, me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale.

Sa për Listën B të shtetasve të Shqipërisë nga rrethi i të cilëve do të përzgjidhen emrat e atyre që do të arrestohen për të dalë si të pandehur në Gjykatën Speciale, këta do të jenë zyrtarë të rangjeve më të ulta, kryesisht në nivel lokal. Në listën B janë drejtues të SHIK dhe SHIU (shërbimit të fshehtë ushtarak) në Qarkun e Kukësit dhe atë të Dibrës, drejtues të Divizionit të Kukësit, prefektë, drejtues të Aviacionit Civil të kohës, drejtues të Policisë së Shtetit në Qarkun e Tiranës, posacërisht në Aeroportin e Tiranës, drejtues të Forcave Speciale të Policisë, drejtues lokalë të Shëndetësisë etj.

Por më parë Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë ligjin për zgjerimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale në territorin e Shqipërisë. Pasi të jetë bërë kjo dhe pasi të jenë ngritur akuza për një numër të madh të ish-drejtuesve të UÇK-së, si dhe të ketë nisur gjykimi i tyre, çka do ta bëjë të dukshme se kjo veprimtari nuk mund të kryhej pa implikimin e shtetit shqiptar, atëherë do të nisin arrestimet edhe në rrethin e ish-zyrtarëve të Shqipërisë në lidhje me ngjarjet e vitit 1998-2000, sa i përket veprimtarisë së UÇK-së.





12:55 Aktualitet

Zjarr në Kukës

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Gostil të Kukësit....

12:49 Aktualitet

Mbytet pushuesi

Një pushues është mbytur në plazhin e Shkëmbit të Kavajës. V...

Lajmet e fundit nga