web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dy Shqipëritë e ndryshme fetare që paraqiti Kryeministri Rama, në harkun e 24 orëve

14 Janar 2015, 07:10, Aktualitet CNA

Nga Kastriot Myftaraj

Pa kaluar as 24 orë nga shfaqja që Kryeministri Rama i dha botës në Marshimin e Parisit, me katër klerikët përfaqësues të bashkësive të mëdha fetare në Shqipëri, të cilët ecnin të kapur për krahu me njëri-tjetrin, duke simbolizuar bashkëjetesën harmonike fetare në vend, Kryeministri Rama foli në terma skajshmërisht alamuese për një realitet krejt tjetër fetar të Shqipërisë. Në një fjalim të mbajtur në selinë e Kryeministrisë, të nesërmen e kthimit nga Parisi, përpara përfaqësuesve të bashkësive fetare të vendit dhe disa pronarëve të gazetave e televizioneve, si dhe gazetarëve të përzgjedhur, z. Rama deklaroi se: ?Shqipëria është e dobët dhe mjaft e cënueshme nga rreziku i fondamentalizmit islamik.?

Kryeministri i Shqipërisë supozohet që ta dijë kuptimin e fjalëve që përdor dhe të jetë i vetëdijshëm për konseguencën e tyre. Rreziku nga fundamentalizmi islamik është diçka shumë më serioze se rreziku nga terrorizmi islamik. Se terrorizëm islamik mund të ndodhë edhe në një vend ku nuk ka ekstremizëm islamik, por veprojnë një ose disa komando terroriste, të cilat kryejnë një apo disa atentate terroriste. Ndërsa rreziku nga fundamentalizmi islamik është diçka krejt tjetër. Vetë fjala ?fundamentalizëm? ka në origjinë fjalën ?themel?. Nga kjo pikëpamje Kryeministri Rama dha alarmin se Shqipëria rrezikohet nga themeltarizmi islamik, do të thotë nga një përmbysje eventuale e rendit kushtetues, e kryer nga një lëvizje islamike, e llojit te subversionit (përmbysjes), e cila synon ta rindërtojë shtetin shqiptar mbi themele islamike, pra të ligjit kuranor. Pra, Shqipëria rrezikohet jo thjesht nga një apo disa atentate terroriste islamike, por rrezikohet nga një shndërrim total shtetëror dhe shoqëror i kryer me dhunë.

Kjo deklaratë e Kryeministrit Rama do të thotë se shfaqja e katër klerikëve në Paris ishte një inskenim i rremë propagandistik. Madje Kryeministri Rama nuk nguroi që të merrte përsipër autorësinë e kësaj farse kur tha në fjalimin e tij të djeshëm në Kryeministri: ?Unë i jam thellësisht mirënjohës përfaqësuesve të lartë të klerit shqiptar, të cilët jo vetëm pranuan të më shoqërojnë dje mua, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Mirëqenies Sociale si pjesë e delegacionit shqiptar në Paris, por u bënë dhe dëshmitarë aktivë??
Nëse në Shqipëri paska një rrezik shumë serioz të fundamentalizmit islamik, siç tha Kryeministri Rama, atëherë kjo do të thotë se drejtuesit e dy bashkësive fetare në Shqipëri, Komunitetit Musliman Suni dhe Bashkësisë Bektashiane, nuk i kanë aspak gjërat nën kontroll në bashkësitë përkatëse. Nuk është aspak teprim që e përfshij këtu edhe Bashkësinë Bektashiane se tashmë po vihet re gjithmonë e më tepër prirja shqetësuese që të rinj shqiptarë me prejardhje muslimane të sektit bektashian zgjedhin Islamin Suni si kauzën e tyre në version radikal, për shkak se Bektashizmin e shohin si një sekt tashmë fiktiv.

Në të vërtetë, Kryeministri Rama ka të drejtë. Nuk gjej aspak kënaqësi që të them se ato gjëra që thotë ai tani, i kam thënë unë me kohë, madje për këtë jam ballafaquar edhe me Drejtësinë, deri edhe i kallzuar penalisht me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, disa vite më parë. Shqipëria, dhe këtu kam parasysh së pari forcat shtetërore të sigurisë, nuk do të jetë në gjendje që të përballojë zbatimin në territorin e saj të një agjende subversive të qendrave fundamentaliste islamike ndërkombëtare, nëse nuk ndërmerr veprime të shpejta konsistente parandaluese. Kryeministri Rama e nisi fjalimin e tij duke thënë: ?Kjo është një ftesë për të çelur një bashkëbisedim, lidhur me një moment jashtëzakonisht të veçantë të Europës kun e bëjmë pjesë, por edhe për Shqipërinë dhe perspektivën e shoqërisë sonë.?

Auditori që kishte përzgjedhur Kryeministri Rama, sa u përket të ftuarve laikë, çka varej prej tij (se sa u përket klerikëve të ftuar mundësitë e përzgjedhjes së tij qenë të kufizuara për arsye të mirëkuptueshme), tregon se ai nuk ka ndërmend që ta bëjë seriozisht këtë bashkëbisedim, më tepër se ç? do ta kishte bërë me breshkat e veta.
Por problemi është shumë serioz dhe kërkohet një qasje shumë serioze. Na duhet një rikthim në atë pakt të dikurshëm themeltar konfidencial të elitave të shtetit e shoqërisë shqiptare, sa iu përket çështjeve religjioze. Në sajë të këtij pakti Shqipëria përjetoi paqen fetare në përiudhën mes dy luftrave botërore, pas traumës të vitit 1914, me rebelimin islamik në Shqipërinë e Mesme, si dhe atë të ekstremistëve të krishterë ortodoksë në Shqipërinë e Jugut, të mbështetur nga Greqia. Ky pakt konsistonte në ndarjen e fesë nga shteti (e me këtë edhe nga politika), si dhe në ndalimin e marrjes nga të huajt të posteve në hierarkinë fetare në Shqipëri. Nëse do të ndalohet që të ketë klerikë të huaj në Kishën Ortodokse dhe në atë Katolike, atëherë do t? u hiqet një argument propagandistëve fundamentalistë islamikë që përçojnë ndikimet radikale nga bota arabe dhe turke në bashkësinë muslimane të Shqipërisë.

Vetë klerikët e huaj ortodoksë dhe katolikë që gjenden në Shqipëri duhet ta kuptojnë se nga një pikëpamje afatgjatë ata jo vetëm që nuk iu sjellin dobi, por madje iu bëjnë një dëm të madh bashkësive përkatëse fetare të cilave iu kanë shërbyer. Se ekzistenca e tyre iu shërben shumë propagandistëve fundamentalistë islamikë për të radikalizuar besimtarët muslimanë. Një lëvizje fundamentaliste islamike në Shqipëri do të sillte si pasojë zhdukjen fizike të një pjese të madhe të popullsisë së krishtere të vendit, nga vrasjet dhe emigrimi për t? i shpëtuar gjenocidit fetar. Këtë gjë duhet ta kuptojnë ortodoksi Janullatos dhe katoliku Masafra. A mos mendon Janullatosi se në rastin e një rreziku të tillë ortodoksët e Shqipërisë do të shpëtohen nga një ndërhyrje ushtarake e Greqisë? Ortodoksët e Shqipërisë sot në pjesën më të madhe jetojnë në Shqipërinë e Mesme, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Kavajë. Ushtria greke nuk mund të ndërhyjë në Shqipërinë e Mesme se këtë gjë nuk do ta lejojë Turqia. Për Turqinë, ndërhyrja ushtarake greke në Shqipëri do të ishte baras me ndërhyrjen e dikurshme ushtarake greke në Qipro dhe reagimi do të ishte i njëjtë. Madje Turqia do ta përdorte ndërhyrjen ushtarake greke në Shqipëri për të pushtuar ishujt e Egjeut pranë bregdetit turk, si presion ndaj Greqisë.

Nëse të krishterët ortodoksë shqiptarë kanë një shpresë sado të vogël te një ndërhyrje ushtarake greke, në rast të një lëvizjeje subversive islamike në Shqipëri, katolikët shqiptarë nuk kanë asnjë shpresë të tillë. Italia, e cila pas vitit 1990 ka qenë indiferente ndaj katolikëve shqiptarë, nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri për t? i shpëtuar ata, aq më tepër kur nga kjo do të rrezikonte një përplasje me Turqinë, e me këtë me të gjithë botën islame.

Si reagim ndaj radikalizmit islamik do të organizohen për veprime luftarake edhe segmente të popullsive të krishtera të vendit dhe kjo do të bëjë që të shpërndahet e të mjegullohet faji. Një subversion islamik në një vend të NATO-s si Shqipëria dikur do të sillte ndërhyrjen e NATO-s, ndonëse dyshoj shumë që kjo ndërhyrje të ishte e shpejtë dhe e dëshiruar nga vendet e mëdha të aleancës atlantike për shkak të ndërlikimeve që do të paraqiste situata shqiptare. Në çdo rast, si me ndërhyrjen e NATO-s si pa të, do të kishim një Shqipëri ku popullsia e krishterë do të ishte shumë më e vogël se sa është sot, çka do të ishte një zhvillim shumë i padëshirueshëm.





16:37 Aktualitet

Termet ne Tirane

Sherbimi Sizmik Shqiptar njoftoi per lekundje termeti me mak...

Lajmet e fundit nga