web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Askush nuk po e ndihmon Fullanin!

14 Shtator 2014, 20:09, Aktualitet CNA

Nga Mero Baze

Çfarëdo vendimi që të marrë Gjykata e Apelit lidhur me masën e sigurisë, ka të bëjë vetëm me rehatinë fizike të të pandehurit Fullani, por jo me ndihmën që duhet t?i jepet atij për ta fituar këtë betejë që ka nisur drejtësia kundër tij. Edhe ata që janë të acaruar nëse lirohet, edhe ata që bëjnë sikur do ta shpëtojnë po u lirua, në të vërtetë nuk janë duke debatuar mbi fajësinë e Fullanit, por mbi rehatinë e përkohshme të tij deri në ditën e gjykimit.

Ndihma e vërtetë ndaj Ardian Fullanit prej miqëve të tij në politikë dhe media do të jetë sikur të heshtin tani që me të po merret drejtësia. Beteja për të mbrojtur Fullanin kishte kuptim kur ai ishte ende guvernator, kur dukej se ishte i garantuar nga të gjithë anët, dhe kur po bllokonte hetimet duke qenë në krye të detyrës. Arrestimi i tij pas ngritjes së akuzës dhe marrjes si i pandehur, i jep fund kapitullit të guvernatorit Fullani dhe hap kapitullin e fatit të qyetarit Ardian Fullani përballë drejtësisë. Në këtë betejë, politikanët dhe analistët që bëjnë si bodigardë të tij, në të vërtetë kanë problemet e veta me drejtësinë, nëse hetimi thellohet.

Pesë pikat e akuzës që ka ngritur prokuroria fillimisht dhe që mjaftuan që Fullani të arrestohej dhe të shkarkohej, janë vetëm maja e ajzbergut e akuzës përfundimtare që mund të rëndojë mbi të. Hetimet e bankës pa Fullanin guvernator, po zbërthejnë një zinxhir të frikshëm abuzimesh, që nuk kanë më lidhje me vjedhjen banale të 7 milion dollarëve, por me mënyrën e papërgjegjshme se si është administruar një institucion. Tenderat për rikonstruksionin e bankës dhe Dajtit, qeratë e orientuara tek klientë personalë të medies dhe vetë Fullanit, shpenzimet marramendëse dhe sponsorizimet e politikanëve dhe medies klienteliste, janë stuhia e vërtetë me të cilën duhet të përballet ish- guvernatori në gjykatë.

Duke tentuar ta mbrojnë politikisht tani që atij nuk i hyn më në punë politika, ?badigardët? e tij mediatik dhe politik, janë duke paralajmëruar që të vihet një kufi për hetimet, që të mos të shkohet tek gjurmët e tyre. Ata nuk i bëjnë asnjë nder Ardian Fullanit, pasi ai tani e ka çështjen a do ta kalojë këtë periudhë në burg apo në shtëpi, ndërkohë që disa javë më parë e kishte dilemën a do ishte guvernator i mbrojtur nga gjithë palët apo vetëm nga një palë. Në këtë aspekt, nuk ja vlen më të merresh me fatin e tij personal, por vlen të shikojmë si do funksionojë sistemi dhe sa i kalbur apo sa fuqi ka të ripërtërihet ai.

Akuzat paraprake mbi prokurorinë për stalinizëm apo banditizëm, në të vërtetë burojnë nga frika se prokuroria nuk po merret më me Fullanin, por me klientelën e tij në Bankë, dhe lidhjet politike dhe mediatike që kanë thithur miliona euro nga Banka Shqiptare.

Faza politike e këtij procesi përfundoi kur Fullani u shkarkua nga guvernator dhe u mbyll në qeli. Prej atij momenti, mbrojtësit e tij heshtën. Heshti Sali Berisha, TV Klani, dhe gjithë rrethi shoqëror i tij. Ai shkoi i vetëm në gjykatë, ku nuk u prit nga askush dhe i vetmi argument publik që ai s?kishte faj, ishte ai i avokatit të tij, që e lidhi me xhelozira fizike dhe erotike.

Ulërimat që kanë filluar e bëjnë sikur mbrojnë Fullanin, në të vërtetë janë për hesap të tyre. Frika reale e gjithë atyre që e ndjekin me vëmendje këtë proces, nuk ka të bëjë më me Fullanin dhe vjedhjen e 7 milionëve, por me rrethin politik dhe mediatik që ka përfituar miliona nga abuzimet e Bankës dhe që e kishte Fullanin si mashë në duart e veta.

Ndaj, Fullanin realisht nuk është duke e ndihmuar askush. Sali Berisha që  e braktisi i pari si burracak, dhe u fsheh për 7 ditë, tani është shqetësuar mos dalin gjëkundi transaksionet e Familjes nga hetimi në Bankë dhe kërkon ta politizojë procesin hetimor. Frangaj dhe shërbëtorët e tij kanë probleme reale me kapjen e Bankës dhe përdorimin e saj si biznes privat të tyre, ndaj dhe ata u kujtuan të mbrojnë Fullanin kur atij nuk i vlente më mbrojtja. Gjykata e Apelit po ashtu, dhe sidomos trupi gjykues, aq shumë i afërt me Berishën, nuk ka ndonjë shans të ndihmojë Fullanin as duke e liruar, as duke e mbajtur në burg, pasi kjo nuk ka të bëjë me fajësinë apo pafajësinë e tij dhe as me mbijetesën si guvernator, por thjesht me faktin nëse do t?i çojnë ushqimin në burg apo do hajë në guzhinë në shtëpi. Bile ata që mendojnë se e ndihmojnë Fullanin duke kërkuar me çdo kusht lirimin e tij, vetëm sa zgjojnë ndonjë orkes të trupit gjykues për ndonjë shpërblim.

Prokuroria është e vetmja që ka në dorë aktualisht ta ndihmojë ose ta fundosë Fullanin. Ajo ka në dorë biles që qysh nesër në mesditë të kërkojë riarrestimin e tij me fakte të reja që kanë dalë ndërkohë nga hetimi. Por, sido që të shkojë puna, Fullanit i duhet ta fitojë i vetëm këtë betejë. Ai duhet ta pastrojë historinë e tij, duke u përballur me gjithë akuzat që do të dalin nga hetimi dhe në fund, të pranojë vendimin e të vazhdojë jetën si qytetar normal. Politikanëve dhe medies së tij, u duhej si guvernator. U duhej ta kishin aty si një kukull që e përdornin për operacione finaciare, për autorizme transaksionesh, për nxjerrje parash nga Banka në treg dhe anasjelltas, për punësime nepotike, dhe shpenzime luksoze dhe tendera të papërgjegjshëm. Si ish- guvernator u duhet vetëm që të mos flasë. Por, një heshtje e tillë ose shitet shtrenjtë, ose paguhet shtrenjtë nga ai që s?duhet të flasë. Nuk jam i sigurtë se se si e mendojnë këtë pazar me ish- guvernatorin, ata që po sillen si ?miq? të tij.





Lajmet e fundit nga