web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Takaj konfirmon largimin e Memellit: Do sjellim trajner të ri te Skënderbeu

17 Nëntor 2022, 08:51, Sport CNA

Migen Memelli mund të quhet përfundimisht i larguar nga Skënderbeu. Rezultatet e nëntë javëve të luajtura dhe mbi të gjitha humbja e fundit në Peshkopi që i pozicionoi në vend të 7-të në renditje, i kanë sosur durimin presidencës.

Drejtuesit e klubit po përgatisin ndryshim radikal në pankinë. Duket si një lëvizje e paralajmëruar, derisa Ardjan Takaj kishte vendosur edhe “ultimatum” për ndeshjet e fundit.

Rezultatet nuk janë në favor të trajnerit, ndërsa në tri ndeshjet e fundit ka mbledhur vetëm 2 pikë nga 9 të mundshmet.

Presidenti Takaj konfirmoi planin e tij, që prek direkt stolin.P ër t’i dhënë një tjetër impuls skuadrës, ai që e pëson në këtë mes është pikërisht tekniku pogradecar.

Shkurtimisht dhe prerë, ai tha per Panorama Sport se do të ketë ndryshime në pankinë për pjesën e mbetur të sezonit.Nuk ka pranuar të japë sqarime të mëtejshme se kur do të ndodhë zyrtarisht “divorci” dhe kush do të jetë pasuesi, por thjesht qartësoi vendimin:

“Do të ketë ndryshime në klub, prisni vetëm pak ditë.Do të ketë një trajner të ri te Skënderbeu dhe më pas, hap pas hapi do të shohim çfarë mund të ndryshojmë tjetër. Për momentin kaq mund të them”.

Ndonëse konfirmoi ndryshimin e trajnerit në ditët në vijim, presidenti nuk pranoi të flasë për emra duke u treguar rigoroz në dhënien e informacionit të plotë.

Ajo që vlen të theksohet është se për momentin janë disa emra në tavolinën e Ardjan Takajt për të marrë drejtimin e ekipit, madje me ndonjë prej tyre bisedimet janë në fazë të avancuar.

Edhe pse duket se gjithçka është mbyllur, formalitetet do të kryhen në ditët në vijim.

Trajneri duket se do të ketë një takim me presidentin, për të folur rreth termave të marrëveshjes. Themi në ditët në vijim, pasi aktualisht ekipi ka marrë pushimet.

Pas ndeshjes me Korabin, janë shpërndarë dhe e kanë lënë që të ritakohen të premten.

Mbetet për t’u parë nëse do të jetë sërish Memelli ai që do të dalë me ekipin në stërvitje nesër apo do të vijë trajner i ri.Korçarët në momentet që flasim kanë 13 pikë të grumbulluara në 9 javë kampionat.

Shanset për të rikuperuar i kanë, pasi duhet të luajnë ende të prapambeturën me Apoloninë. Kjo ndeshje sipas të gjitha gjasave do të luhet në 4 dhjetor, disa ditë para rifillimit të kampionatit.





Lajmet e fundit nga