web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rrugë e re, probleme të vjetra/ Banorët në Rrëmenj: Nuk e gëzuam dot, u amortizua brenda vitit

23 Mars 2026, 12:34, Sociale CNA

Vetëm disa muaj më parë përfundoi një investim për rehabilitimin e rrjetit rrugor të brendshëm në fshatrat e njësisë administrative Buçimas. Një ndër zonat që përfitoi ishte edhe fshati Rrëmenj, ku dy segmente rrugore që lidhin lagjet mes tyre u rikonstruktuan, duke sjellë fillimisht lehtësim për banorët.

Rrugë e re, probleme të vjetra/ Banorët në Rrëmenj: Nuk

Por jo shumë kohë pas përfundimit të punimeve, në disa pjesë të këtyre rrugëve kanë nisur të shfaqen dëmtime serioze. Sipas banorëve, situata është përkeqësuar ndjeshëm pas reshjeve të para të shiut, duke rrezikuar jo vetëm infrastrukturën, por edhe sigurinë e përditshme.

Rrugë e re, probleme të vjetra/ Banorët në Rrëmenj: Nuk

“Rruga është ndërtuar para një viti. Kur filluan reshjet e shiut, gradualisht u dëmtua pak nga pak. Është e rrezikshme, më tepër për fëmijët, sepse kalojnë me biçikleta. Kanë ardhur ta shohin kur u bënë reshjet e para të shiut, thanë do ta bëjmë, por deri tani asgjë. Kjo rrugë kishte mbi 30 vite që nuk ishte vënë dorë fare. S’e gëzuam dot, edhe pse u bë rruga. Mirë është të ndërhyhet sa më parë, sepse sa më shumë kalon koha, aq më shumë dëmtohet nga makinat”,-tregon një banore.

Banorët thonë se problematikat janë të shumta, duke nisur nga cilësia e dobët e punimeve deri te mungesa e elementëve mbrojtës në zonat më të rrezikshme.

Rrugë e re, probleme të vjetra/ Banorët në Rrëmenj: Nuk

“Rruga ka thuajse një vit që është bërë. Është shumë e rrezikshme; makinën me merak e nxjerrim dhe me merak e futim në shtëpi. Këtu është kryqëzim dhe duhej një mur i fortë me hekura. E kanë bërë pa cilësi fare. Kërkojmë që të ndërhyhet, pasi ky është fshat ku kalojnë të gjitha makinat",-shprehen banorët. 

Ndërkohë, banorë të tjerë ua hehin fajin punimeve, duke pretenduar se mungesa e një themeli të qëndrueshëm po sjell degradimin e shpejtë të rrugës.

Rrugë e re, probleme të vjetra/ Banorët në Rrëmenj: Nuk

“Rruga ka 8 muaj që është bërë, por themelin e kanë hedhur mbi kashtë. Po ta shohësh, edhe ai muri tjetër do të bjerë. Ata kanë mbushur xhepat e tyre. Rrezikohemi. Unë kam shtëpinë pas lumit dhe më është mbushur me baltë. Nuk e vret mendjen askush për këtë punë. S’kemi ku të ankohemi më. Po të vish në darkë këtu, mund të gjesh 20 makina, sepse nuk i fusim dot në shtëpi”,-tregojnë ata. 

Banorët e Rrëmenjit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe izolimin e mundshëm të lagjeve. Ata theksojnë se një investim i shumëpritur nuk duhet të përfundojë në një problem të ri për komunitetin./CNA





Lajmet e fundit nga