LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse njerëzit bëjnë luftë?

26 Dhjetor 2022, 10:22, Sociale CNA

Pse njerëzit bëjnë luftë?

Për të mbijetuar, shumë specie detyrohen që të vrasin. Kafshët që hanë kafshë të tjera përbëjnë rreth 2/3 e të gjitha llojeve të kafshëve. Por që një specie të mbijetojë, nuk do të kishte kuptim që të vriste llojin e saj, pasi në fund kjo do të sillte zhdukjen.

E megjithatë, për njerëzit, vrasja e njëri-tjetrit në shifra të mëdha është pothuajse një shenjë dalluese e species sonë. Asnjë specie tjetër nuk zhvillon një luftë vdekjeprurëse, në një shkallë kaq të gjerë si ne. Po pse e vrasim kaq shpesh llojin tonë dhe si arrin të mbijetojë specia jonë?

Dhuna përkundrejt vrasjes

Te njerëzit nuk është e jashtëzakonshme kryerja e akteve të dhunshme ndaj pjesëtarëve të species sonë. Sulmet ndaj llojit të dikujt janë të zakonshme në botën e kafshëve, jo më pak te të afërmit tanë më të ngushtë, shimpanzetë. Ata do të mbrojnë me dëshirë territorin e tyre, dhe individët brenda një tufe luftojnë ashpër në mbrojtje të pjesëtarëve të grupit të tyre.

Por edhe pse dhuna mes shimpanzeve mund të shkaktojë humbjen e një veshi ose gishti, ajo përfundon rrallëherë me vdekje. Vrasja ndodh vetëm në raste të rralla, si për shembull kur një grup i madh shimpanzesh meshkujsh veçanërisht të irrituar sulet mbi një viktimë të vetme në një kufi territorial. Ndërkohë, njerëzit e çojnë dhunën brenda specieve në një nivel krejtësisht të ri vrasës përmes luftës së vazhdueshme, në të cilën vrasja vazhdon për ditë, muaj dhe vite.

Vrasja brenda llojit është e pazakontë

Mund të duket e habitshme që ne vrasim me kaq shumë gatishmëri ata që i përkasin species sonë, pasi na mungojnë kthetrat e mprehta, brirët e mëdhenj, dhëmbët e gjatë ose shpejtësia e madhe. Por gjasat për të vrarë të ngjashmin, nuk lidhen fare me atë se sa e frikshme duket një specie apo çfarë ha ajo.

Rendi i kafshëve në të cilin meshkujt kanë më shumë gjasa të vrasin meshkujt e specieve të tyre, është familja e drerëve që hanë kryesisht bimë, dhe këtu përfshihen devetë, dhitë, delet etj. Megjithatë, të afërmit e këtij grupi, balenat, të cilat ushqehen vetëm me specie shtazore, nuk i vrasin kurrë pjesëtarët e specieve të tyre.

Në përgjithësi, një studim zbuloi se rreth 1/4 e specieve të gjitarëve treguan prova të kafshëve të rritura që vrisnin të rriturit e tjerë. Nga një këndvështrim evolucionar, ka raste kur vrasja e atyre që i përkasin species tënde është e dobishme. Shumë lloje gjitarësh, përfshirë njerëzit, dihet se praktikojnë vrasjen e foshnjave, ose vrasjen e qëllimshme të të vegjëlve.

Vrasja e tyre mund të përmirësojë shanset e mbijetesës për pasardhësit, të cilët vazhdojnë të lënë pas pasardhës të tjerë. Duke lënë mënjanë moralin, vrasja e të vegjëlve mund të rrisë shanset e mbijetesës së popullsisë, veçanërisht kur ndodh një katastrofë e madhe. Por ajo që mbetet ende e çuditshme, është fakti se njerëzit e rritur vrasin të rritur të tjerë në një numër të madh, dhe mund ta bëjnë këtë edhe në kohërat e bollëkut material.

Si do të mbijetojmë (ose ndoshta jo)

Unë mendoj se ekzistojnë 2 shpjegime përse ne mund të shpëtojmë edhe duke vrarë pjesëtarët e species sonë në një mënyrë kaq të pangopur. Njëra është që ne e lidhim zakonin tonë për të vrarë njëri-tjetrin me zakonet e bashkëpunimit ekstrem.

Siç e thekson primatologia Sara Hardi, sistemet shoqërore njerëzore përmbajnë një përzierje kurioze të karakteristikave që gjenden edhe te specie të tjera. Nga njëra anë, agresiviteti ynë dhe mosbesimi ndaj të huajve janë shumë tipikë te “kushërinjtë” tanë shimpanzetë.

Nga ana tjetër, bashkëpunimi dhe ndarja jonë janë tipike për speciet më të afërta të majmunëve, siç janë marmosetët (të cilët, duhet theksuar se praktikojnë edhe vrasjen rutinë të të vegjëlve të tyre). Ndërsa ushtrojmë dhunë ndaj llojit tonë, ne gjithashtu birësojmë rregullisht fëmijë nga kontinente të tjera dhe ndërtojmë familje të gjera me diversitet të pafund në moshë, gjini, dhe lidhjet biologjike.

Kësisoj, një pjesë e arsyes se përse mbijetojmë, është se ne i kompensojmë mënyrat tona vrastare duke ndihmuar njëri-tjetrin për të zbutur dhunën. Por një mënyrë tjetër për të parë këtë kombinim të dhunës dhe kujdesit, është se kapaciteti ynë për bashkëpunim intensiv mund të na inkurajojë të jemi shumë të mirë në luftën kundër vetes.

Siç e ka nënvizuar historiani Uilliam H.Mekneil “socialiteti e arrin shprehjen e tij më të lartë në akte heroizmi, vetëflijimi dhe zotësie, dhe lidhjet e solidaritetit mes luftëtarëve janë të ashpra dhe të forta”.

Mund të jetë ende herët për të ditur nëse mund të vazhdojmë të jemi kaq efektivë në vrasjen e njëri-tjetrit dhe që gjithsesi të vazhdojmë të mbijetojmë si specie. Njerëzit modernë kanë ekzistuar vetëm për më pak se 200.000 vjet, dhe nuk ka shumë prova fizike që njerëzit kanë vrarë njerëz para rreth 15.000 vjetësh.

Ndoshta ka një arsye pse speciet e tjera nuk duket se tregojnë kombinimin tonë të sjelljeve shoqërore bashkëpunuese dhe të dhunshme. Le të shpresojmë që kjo të mos përcaktojë shfarosjen e qenies sonë.

Shënim: Daniel Graham, profesor i asociuar i Shkencave Psikologjike në Kolegjin Hobart & Uilliam Smith, SHBA.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga