web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Censusi i shpendëve në Prespë/ Numri në rënie, eksperti: Njerëzit i shkatërrojnë habitatet

18 Janar 2025, 16:40, Sociale CNA

Censusi i shpendëve në Prespë/ Numri në rënie,

Ka startuar ditën e sotme censusi i shpendëve në Parkun Kombëtar të Prespës, një aktivitet që zhvillohet prej vitit 1993 e deri më sot.

Prej mëngjesit të sotëm, grupet e punës po shohin shpendët ujorë dimërorë që ndodhen ne liqenin e Prespës së Madhe, për të parë habitatet e tyre dhe llojet e shpendëve që dimërojnë në këtë liqen.

Klajdi Duro, specialist ornitolog, ka treguar se censusi ka për qëllim të shohë trendet e popullatave ndër vite ndërsa thotë se vitet e fundit vihet re një rënie e numrit të shpendëve që dimërojnë në liqen.

Sipas tij, ka një sërë arsyesh që ndikojnë në rënien e numrit të tyre, duke filluar nga faktorët klimatikë e deri tek shkatërrimi i habitateve nga vetë njerëzit.

“Ndodhemi në liqenin e Prespës së Madhe për të organizuar censusin e shpendëve ujorë dimërues në Shqipëri. Është një aktivitet që zhvillohet çdo vit, që prej vitit 1993. Censusi ka për qëllim të numërojë popullatat e shpendëve ujorë që dimërojnë në vendin tonë, për të parë përgjithësisht trendet e popullatave ndër vite.

Prespa është një nga zonat kryesore që mbulohet nga censusi dhe gjatë viteve të fundit vërehet një rënie e numrit të shpendëve që dimërojnë në liqen. Kjo për shkak të arsyeve të ndryshme që mund të jenë kryesisht ndryshimet klimatike, duke qenë se dimri është më i butë, do të thotë që shpendët nuk zbresin kaq në jug për të dimëruar.

Mund të ketë edhe arsye të tjera si shqetësimi nga ana e njeriut apo shkatërrimi i habitateve ku ato dimërojnë. Prespa këto vite ka qenë konstante, s'ka ndonjë ndryshim të madh por këtë vit vihet re që ka më pak individë se vitin e shkuar”.

Një nga speciet që ka pësuar rënie drastike është rosa laramane me çafkë, ndërsa nga të dhënat e deritanishme nuk ka specie të reja në liqenin e Prespës. Prioritet dhe rëndësi të madhe kanë speciet që rrezikojnë të zhduken, e për këtë Klajdi Duro këshillon që t’i kushtohet vëmendje habitateve pasi janë ato që mundësojnë hapësirat e duhura për shpendët dimërues.

“Speciet që kanë pësuar më tepër rënie janë rosat, si për shembull rosa laramane me çafkë. Jo, nuk ka specie të reja. Përgjithësisht numri i tyre vitet e fundit ka qenë konstant. Vëmendje kryesisht për speciet që kanë status rrezikimi, ato kanë prioritet por do të thoja që rëndësi duhet t’u kushtohet habitateve sepse ato mundësojnë që speciet të gjejnë hapësirat e duhura për të dimëruar në vend.

Habitatet i dëmton kryesisht aktiviteti njerëzor duke qenë se mund ta tjetërsojnë ose shkatërrojnë atë dhe speciet nuk gjejnë vende të duhura për tu ushqyer apo strehuar dhe kanë shqetësim nga njeriu dhe dimërojnë diku tjetër”.

Censusi ka startuar prej mëngjesit të sotëm në Parkun Kombëtar të Prespës, ndërsa do të vijojë ditën e nesërme në liqenin e Pogradecit, Rezervuarin e Gjançit e për herë të parë në liqenin e Moglicës. Vitet e fundit në juglindje është vënë re një trend konstant i numrit të shpendëve ujorë dimërues i cili ka qenë në rënie. /CNA





Lajmet e fundit nga