web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Shëndetësia falas, mashtrim"/ Vokshi: Mungesë ilaçesh dhe barna të skaduara

31 Korrik 2024, 13:20, Politikë CNA
"Shëndetësia falas, mashtrim"/ Vokshi: Mungesë
Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, denoncoi nga selia blu se shëndetësia falas është mashtrimi më i madh i Edi Ramës.

Sipas saj, në spitalet e vendit ka mungesë ilaçesh dhe barna të skaduara.

Vokshi nënvizoi se përgjegjësit për këtë situatë në shëndetësi janë Edi Rama, ministrat e Shëndetësisë ndër vite (Beqaj, Manastirlliu dhe Koçiu) si dhe drejtuesit e QSUT ndër vite.

Deklarata e plotë:

Shëndetësia falas është mashtrimi më i madh i Edi Ramës! Pacientët jo vetëm nuk arrijnë të marrin shëndetësi falas, por nuk marrin as shërbim shëndetësor në pjesën më të madhe. Sektori i Shëndetësisë është i nënfinancuar, dhe ai buxhet shkon kryesisht në 4 koncesionet e panevojshme, abuzive e korruptivë që në total shkojnë rreth 450 mln euro.

Pak ditë më parë thirra në dëgjesë në komisionin për Shëndetësinë për skandalin tek onkologjiku, ministren e Shëndetësisë, Drejtoreshën e QSUT-së dhe shefen e shërbimit të onkologjisë. Ministrja Koçiu tha: kemi arritur sukses me reformat në shëndetësi! Shëndetësia po ecën vetëm përpara! Çfarë thanë drejtoresha e QSUT dhe shefja e shërbimeve?

E kanë pranuar pa u skuqur, pa u zverdhur, pa asnjë ndjesi njerëzore, mungesën e medikamenteve:

– Irinotecan

– Erlotinib është në mungesë. Ka qenë donacion, por nuk ka më në gjendje! Nuk bëhet tenderi se duhet bërë pazari që të bëhet tenderi. Pacientëve u është dhënë dozë e reduktuar çdo 10 ditë

– gencitabina është në mungesë

– jodi është më mungesë që nga janari.

Kush është përgjegjës për mungesat?

Tenderë të anuluar

Kush mban përgjegjësi që edhe pas raportit të KLSH-së që ngrinte alarmin që vonesa e tenderimit të medikamenteve në onkologjik disa ditë sillte efekt negativ të menjëhershëm në shëndetin dhe jetën e pacientëve??

Referuar Open data Albania janë rreth 4 mln lekë tenderë që nga 1 janari e deri më sot, që nuk bëhen sepse më parë duhet bërë pazari?? E nëse nuk bëhen tenderët ka mungesë… dhe askush nuk mban përgjegjësi!!!

Janë përgjegjësi për trajtimin në mënyrë çnjerëzore të pacientëve që marrin kimion në karrike, në një sallë të vogël, madje edhe të pakondicionuar, dhjetëra pacientë të ulur si mos më keq, me vigonë e tuba në duar, që rrinë me orë të tëra orë në kushte të tmerrshme??

Ndërkaq raporti i KLSH-së thotë se shpenzimet financiare nga buxheti i shtetit për trajtimin e sëmundjeve tumorale, nuk janë rritur, por janë mbajtur pothuajse të pandryshueshme, ndërkohë që numri i pacientëve të diagnostikuar dhe të trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje.

Ka një bashkëpunim mes qeveritarëve, drejtuesve të sektorit shëndetësor në publik dhe atij privat të qëllimshëm të mos vënë në funksion pajisje e aparatura që pacientët të orientohen në privat e të ndajnë fitimin.

Kush mban sot përgjegjësi për mungesën e medikamenteve? Për mungesën e kurave të pacientëve?

Çfarë ndodh me pacientët që nuk u respektohet protokolli?

Çfarë ndodh me pacientët që nuk marrin dot trajtimin?

Çfarë ndodh me pacientët që nuk marrin dot kimion?

Çfarë ndodh me pacientët që u përgjysmohen apo reduktohen dozat?

SKANDALI ME BARNAT E SKADUARA:

Po ju referoj një tjetër shqetësim që e kam ngritur edhe në komisionin për shëndetësinë. Bëhet fjalë për medikamentin FEIBA që përdoret për pacientët me hemofili. Kërkova informacion edhe në QSUT me anë të një shkrese zyrtare për të marrë informacion në lidhje me këtë medikament. Në përgjigje, asnjë informacion i kërkuar.

Në informacionin që ka ardhur në PD, me urdhër të Albana Ficos, në atë kohë drejtoreshë e QSUT, është bërë një ndërhyrje në sistemin e farmacive brenda QSUT-së, për kalimin e këtij medikamenti, edhe pse i skaduar (data e skadencës 31.12.2024), nga farmacia qendrore në një farmaci tjetër.

Sasia: 1,137 flakonë të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientët me hemofili

Data e skadencës: 31/12/2023

Vlera totale: 135,924,438 lekë (rreth 1.35 mln EURO)

Sot po i bëj edhe një herë pyetjet ministres së Shëndetësisë dhe drejtueses së QSUT-së:

• A ka sasi të skaduara në QSUT të medikamentit FEIBA?

• Ku ndodhet momentalisht sasia prej 1137 flakonë të medikamentit FEIBA me datë skadence 31 dhjetor 2023?

A është futur kjo sasi FEIBA e skaduar në farmacinë e pediatrisë ndërkohë që sistemi SISP nuk e lejon?

Pse është bërë ndërhyrja nëse nuk është procedurë e rregullt?

• A e ka dhënë urdhrin për këtë ndërhyrje ish-drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico?

• Çfarë ndodh me këtë sasi të skaduar medikamentesh që qarkullon me urdhër të drejtuesve nga një pavion në tjetrin??

Përgjegjësit për këtë situatë në shëndetësi janë Edi Rama, ministrat e Shëndetësisë ndër vite (Beqaj, Manastirlliu dhe Koçiu) si dhe drejtuesit e QSUT-së ndër vite.

Duhet të ndryshojmë situatën në shëndetësi në mënyrë që qytetarëve t’u respektohet e drejta kushtetuese për një shërbim shëndetësor të denjë.

Duhet të reagojmë, të marrim fatin tonë në duar, për të mbrojtur shëndetin! Për të mbrojtur jetën!/CNA 





Lajmet e fundit nga