web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Lobimi në SHBA/ Meta: Kontratën e firmosi një avokat greko-amerikan pa autorizimin tim

28 Tetor 2024, 18:13, Politikë CNA
Lobimi në SHBA/ Meta: Kontratën e firmosi një avokat
Kryetari i PL-së, Ilir Meta

Në reagimin e tij nga burgu, kryetari i PL-së, Ilir Meta ka mohuar akuzat për lobimin e LSI-së në SHBA.

Meta ka pretenduar se nuk ka autorizuar veprime të paligjshme, teksa tha se kontratat janë bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane

Ai ka deklaruar se kompania “McKeon Group” e ka nënshkruar kontratën me një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin e tij apo të LSI-së.

Pjesë nga deklarata:

Lidhur me lobingjet, siç e sqarova edhe në sallën e gjyqit, në dijeninë time çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk kam autorizuar veprime të paligjshme.

Në sallën e gjyqit me shkresë konkrete demonstrova sesi kompania “McKeon Group” kishte regjistruar në FARA (Departamenti i Drejtësisë) një konkratë të nënshkruar nga një avokat greko-amerikan Fideszis, pa dijeninë dhe autorizimin tim dhe të LSI.

Në 20 Janar, Presidenti i “McKeon Group” i kërkoi zyrtarisht FARA (Departamenti i Drejtësisë) të korrigjonte atë marrëveshje pasi Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Meta na tha se ky person s’ka qenë i autorizuar nga ai dhe LSI dhe se qëllimet e bashkëpunimit janë të tjera.

Po kështu më duhet të sqaroj se lidhur me dy kompanitë e lobimit të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, në dijeninë time çdo vendim i LSI ka qenë i ligjshëm në respekt të ligjit shqiptar dhe amerikan.

Nëse SPAK-ut i rezultojnë diferenca midis deklarimeve në KQZ dhe përfitimeve nga kompanitë e lobimit për interes të LSI-së, SPAK-u dhe FBI i kanë patur të gjitha mundësitë të verifikojnë se cilët persona ose kompani kanë paguar në USA dhe t’i vendosin në ndjekje penale.

Është e padiskutueshme që unë Ilir Meta të kem autorizuar dikë të bëjë veprime të tilla ose të kem patur dijeni.

Por SPAK-ut nuk i intereson e vërteta e përgjegjësisë por përpjekja për të krijuar tymnajën që përderisa këto janë deklaruar si shërbime ndaj LSI dhe Ilir Metës, paguesi është Ilir Meta, kur kjo është e pavërtetë dhe SPAK-u dhe FBI e dinë se cilët janë paguesit që duhet të përgjigjen para ligjeve shqiptare dhe amerikane.

Po kështu më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime.

Lobimi në SHBA/ Meta: Kontratën e firmosi një avokat

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e SPAK-ut për të shtuar një insinuatë më shumë në fletërrufenë e gjatë.

Akoma më i turpshëm është konkluzioni se unë kam përfituar nga kartat që ish-bashkëshortja ime paska marrë dhe përdorur nga Adrian Shatku, gjë që s’do ta kisha lejuar kurrë.

Po kështu konkluzioni se Kryetari i Kuvendit ka ndërhyrë për të bërë një ndryshim ligjor në favor të një biznesmeni është absurd.

Procedura e ligjbërjes është e përcaktuar se si nis dhe konkludohet dhe roli i Kryetarit të Kuvendit është si ai i çdo deputeti tjetër në votim, në bazë të bindjes së tij.

Si nuk u shqetësua SPAK-u për shumë ligje me porosi dhe emra të përveçëm që bëri Edi Rama dhe u denoncuan nga Presidenti i Republikës?

Akoma më absurd është konkluzioni se meqënëse Kryetari i Parlamentit ka biseduar me Kryetaren e AKEP-it për shqetësimet e ngritura nga e vetmja kompani shqiptare në fushën e telekomunikacionit, PLUS, qënkan ndërhyrje për favorizim kur ankesa e tyre ishte se po diskriminoheshin nga kompanitë e huaja.

Ndërkohë që te PLUS, kishim aksionerë shqiptarë dhe shqetësim i tyre nuk mund të injorohej.

Si përfundim për sot, e gjithë Fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit.

Kjo gjë nuk ka për të ndodhur kurrë ndaj i kërkoj Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi, Kryesisë dhe gjithë strukturave tona anembanë vendit, t’i japin përgjigjen e merituar këtij skenari ogurzi për demokracinë, se Partia e Lirisë nuk mund të bëhet Partia e Tradhtisë./ CNA





Lajmet e fundit nga