LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Deputeti dhe elektorati, kur tradhtohet vota e besimi?

13 Prill 2024, 09:08, Opinione Ardi Stefa

Deputeti dhe elektorati, kur tradhtohet vota e besimi?

Përpara disa kohësh kam debatuar me disa analistë në lidhje me qëndrimin e deputetëve të Rithemelimit, më pas edhe të deputetëve që mbështesnin Gazment Bardhin, qëndrim, të cilin ata e quanin aksion politik. Sikundër ata edhe unë e konsideroja të papranueshëm “aksionin politik”, sidomos për mesazhin, i cili përcillej në pjesën e moderuar të popullit me skenat e dhunës, verbale e fizike, karriget e përmbysura, bilbilat, zhurmuesit e flakadanët! Dhe, natyrisht, e konsideroja të papranueshëm funksionimin jonormal të Kuvendit me ligjet që miratoheshin në pak minuta dhe me një buxhet jashtëzakonisht të lartë të vitit 2024, i cili kaloi për 8 minuta.

I njëjti debat e diskutim u ripërsërit përpara disa javësh kur bilbilfryrësit, karrigepërmbysësit dhe flakadanëndezësit nga një urrejtje e pamasë kaluan në një dashuri pa kushte dhe bashkuan votat me partinë në pushtet, në emër të “paqes politike” dhe braktisën “revolucionin,” i cili asnjëherë nuk u ndez, duke parë për të disajtën herë personazhet groteske të një teatri absurd politik të fyejnë inteligjencën e shqiptarëve me pretendimin e prodhimit politik.

Por, cila është natyra e mandatit të deputetit, e cila i është dhënë nga elektorati me votë? Si përmbushet ai? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet pasur parasysh se, sipas Kushtetutës, deputetët vendosin me ndërgjegje të lirë se çfarë i shërben më mirë kombit dhe kanë të drejtë të pakufishme të mendimit, veprimit e votës.

Kushtetuta jonë përcakton se Shqipëria është republikë parlamentare. Në ndryshim nga demokracia e drejtpërdrejtë, populli nuk e ushtron pushtetin drejtpërdrejt, por nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Qytetarët zgjedhin deputetët në zgjedhje dhe i mandatojnë që t'i përfaqësojnë për katër vjet.

Çfarë mandati është ky, sipas Kushtetutës? Do të thotë se deputeti duhet të ndjekë urdhra konkretë nga votuesit që e kanë zgjedhur, urdhrat e partisë së tij, apo është i lirë të gjykojë vetë se çfarë i shërben më mirë interesit publik? A mundet partia apo votuesit t'i heqin mandatin e deputetit nëse gjykojnë se ai që ata zgjodhën nuk po zbaton programin, urdhrat apo dëshirat e tyre?

Sipas Kushtetutës sonë, deputetët përfaqësojnë kombin në tërësi, prandaj ata nuk përfaqësojnë interesa të veçanta, siç është interesi i qarkut, në të cilin janë zgjedhur, partisë me siglën e së cilës po ashtu janë zgjedhur, as të ndonjë grupi të caktuar shoqëror!

Pra edhe me Kushtetutë, nuk mund të përcaktohet se ata nuk përfaqësojnë një grup të caktuar zgjedhësish edhe nëse kishin premtuar se do ta bënin këtë gjatë periudhës parazgjedhore.

Deputetët vendosin me ndërgjegje se çfarë i shërben më së miri kombit dhe kanë të drejtë të pakufizuar të mendimit dhe të votës (“Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues!” - neni 70, paragrafi 1 i Kushtetutës). Kushtetuta jonë nuk parashikon kufizim të kësaj lirie as nga partia së cilës i përket deputeti, as nga zgjedhësit që e kanë votuar.

Për më tepër, as partia e tij dhe as votuesit nuk mund t’ja heqin mandatin parlamentar. Kushtetuta jonë nuk parashikon mundësinë e heqjes së një deputeti nga ana e votuesve, as nuk u jep partive fuqinë për të hequr nga Parlamenti deputetë, të cilët nuk janë dakord me linjën e partisë dhe për t'i zëvendësuar me të tjerë. Dorëheqja nga funksioni parlamentar është e drejtë ekskluzive e deputetit (neni 71 par. 2/a, b,,c, ç, d dhe dh i Kushtetutës). Ky rregull është shprehja dhe garancia më themelore e të ashtuquajturit “mandat i lirë” i deputetëve si përfaqësues të kombit.

Kjo do të thotë se Kushtetuta jonë, edhe pse shprehimisht njeh rolin dhe rëndësinë e partive në organizimin e veprimit politik dhe të procesit parlamentar, i jep deputetit lirinë për të gjykuar dhe votuar në kundërshtim me vijën e partisë. Gjë që do të thotë se deputeti mund të ndryshojë qëndrimet që ka shprehur në periudhën parazgjedhore dhe t'i përshtatë ato me zhvillimet, pa pasur nevojë që kjo të pasqyrojë qëndrimet e zgjedhësve që e kanë votuar apo edhe programin e partisë, me të cilën ka kandiduar e fituar.

Themeli i shtetit tonë është sovraniteti popullor (neni 2 par. 1 i Kushtetutës). Megjithatë, sipas Kushtetutës, zgjedhësi e ushtron sovranitetin, jo duke paracaktuar dhe kontrolluar pozicionet specifike që do të shprehë deputeti që ai zgjedh, por duke i dhënë besimin dhe duke e konfirmuar apo hequr këtë besim në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshe nga përfaqësimi në çështjet private, në përfaqësimin politik, gjykimi i interesit publik formohet në thelb gjatë konsultimeve dhe negociatave në sferën publike dhe në Kuvend.

Kjo liri nuk do të thotë që deputeti të mos i nënshtrohet kontrollit për mendimin dhe votën e tij. Deputeti kërkon votën e elektoratit duke paraqitur një kontekst të caktuar, si personalisht, me qëndrimin e tij programor, ashtu edhe nëpërmjet anëtarësimit në një parti të caktuar, që përfaqëson qëndrime dhe parime të caktuara politike.

Tejkalimi i këtij kuadri nuk mund të sjellë, sipas Kushtetutës sonë, humbjen e mandatit të deputetit, por nuk përjashton pasojat politike. Votuesit shprehin mosmiratimin e tyre duke kontaktuar deputetin, individualisht ose të organizuar, dhe në fund duke votuar në zgjedhjet e ardhshme. Në nivel partie, deputeti mund të mos miratohet nga fraksioni politik të cilit ai ka zgjedhur t'i përkasë dhe përfundimisht të përjashtohet nga radhët e tij në përputhje me rregullat e brendshme.

Atëherë kur e tradhton besimin dhe votën e elektoratit deputeti? Natyrisht kur shkelet neni 71 paragrafi 2. Por, pavarësisht se sipas nenit 73, paragrafi 1 (Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit.), ka edhe penalitet moral, veç atij ligjor (Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.) (I njëjti ligj, paragrafi 1).

Por, kur deputeti shkel besimin e elektoratit për interesin e tij të ngushtë politik e ekonomik, për një vend të sigurtë në parlament, nuk quhet tradhti?

Dhuna verbale e fizike, që shohim në Parlament, gjuha fyese, mungesa e debatit të mirëfilltë, e zëvendësuar me ulërima, ofendime e dhunë ndikon te njerëzit e thjeshtë. Pavarësisht se, në fakt, gjuha e tyre është një “teatër i madh”. Ata lëshojnë batuta, shajnë, fyejnë, për t’i treguar publikut se janë të aftë, duke ndikuar tek njerëzit me kulturë e formim të ulët e nën mesatar, tek militarët partiakë...

Kur mungon debati, që jo vetëm ndan dhe identifikon pozicionet e partive politike, dallon programet e tyre, por dhe ndikon në krijimin e atmosferës qytetare, në të cilën pikëpamjet kontradiktore të palëve politike të mos ndikojnë për acarimin e klimës sociale”, atëherë nuk është tradhtuar vota dhe besimi i elektoratit?/ CNA

11:04 Opinione Grigels Muçollari

Gojëkyçurit

Aferat korruptive në qeveri dhe në Bashkinë e Tiranës kanë...

12:39 Opinione Ermal Mulosmani

Zhgënjimi nga demokracia

Ka një moment shumë interesant në librin "Lëkura" të shkri...

Lajmet e fundit nga